Engjëllushe Llane 

Sot nuk flitet shumë për të. Por prej tij kanë dalë figura të shquara, arkitektë, poetë, mendimtarë e luftëtarë. Fshati i Gremshit, qendër e rëndësishme që nga shek. XIII-XIV për Tomorricën dhe Skraparin, ndodhet 23 km në lindje të qendrës së Skraparit, Çorovodës. Ndodhet në krye të krahinës së Tomorricës në lartësinë 875 m mbi nivelin e detit. Tomorrica deri në vitin 1912, kur u ngrit flamuri në Vlorë, ka qenë Kaza (nënprefekturë-rreth) më vete, e ndarë nga Skrapari, me të cilin sot formojnë një rreth të përbashkët. Sipas kujtimeve të Gjon Muzakës, para 500 vjetëve, Tomorrica përbëhej prej 80 fshatrave e përfshinte në juridiksionin e saj luginën e lumit Devoll me të gjitha fshatrat në të dy krahët e tij, deri në Maliq të Korçës. Nga Gremshi, në periudha të ndryshme kanë dalë burra të shquar, jo vetëm si udhëheqës ushtarakë të kryengritjeve të popullit tonë kundër osmaneve, por edhe në fusha të tjera. Mimar Kasemi, i njohur në vendin tonë me emrin Arkitekt Kasemi, lindur rreth vitit 1570 në fshatin Gremsh, gjatë çerekut të dytë të shek. XVI ka kryer detyrën e Kryearkitektit të Perandorisë Osmane. Arkitekt Kasemi nuk u la shekujve që do të vinin pas asnjë enigmë, asnjë mundësi spekulimi rreth gjenisë së tij, origjinën e tij shqiptare, e pikërisht tomorricare. Dëshmitë i la në Vakufnamen e tij të famshme të vitit 1648, ku mes të tjerave shkruan se “nga pronat e mija të mirëfillta po lë vakëf në fshatin Gremsh, që është vendlindja ime në Nahijen e Tomorricës, të Kazasë së Beratit, xhaminë, imaretin dhe banjon publike, të cilat i kam ndërtuar vetë”. Në Gremsh ai ndërtoi banja publike (hamame), xhaminë dhe mensën e të vobektëve si dhe dy çezma. Në Berat ndërtoi 7 çezma dhe ujësjellësin e qytetit. Në Xyrë të Elbasanit ndërtoi 2 hane. Arkitekt Kasemi ka investuar dhe për mirëmbajtjen e dy rrugëve të njohura të mesjetës, Berat-Korçë dhe Berat-Elbasan–Ohër. Në periferi të qytetit të Çorovodës ndodhet dhe një nga veprat e tij të famshme(e vetmja në gjendje të mirë, e cila është monument kulture) që njihet me emrin Ura e Kasabashit. Dhimitër S. Shuteriqi në përshkimin “Nga Qafa e Sinjës te Qafa e Gjarprit”, 30 maj 1978, ngacmon një temë me interes që e kërkon një saktësim. “Në këtë vigjilje të festës së madhe të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare, atje në Skrapar këndonin një këngë të re për Avdyl Frashërin: “Mirëserdhe Ti në Shqipëri, Lule Avdyl Frashëri!”. Në Skrapar pyesin për prejardhjen e familjes së vëllezërve Frashëri, por vërtetohet që ata janë me orgjinë nga Tomorrica. Këtë e ka shkruar vetë Samiu në enciklopedinë e tij. “Pra duhet t’i besoj”, - shkruan Dhimitër Shuteriqi. Krahina e Tomorricës ka marrë pjesë në të gjitha kryengritjet për liri e pavarësi, këngët që përjetojnë përpjekjet e pashuara të popullit shqiptar nën kryesinë e forcave të Lidhjes, ruajnë të freskët edhe pjesëmarrjen e popullit të Tomorricës. Në vargjet e një kënge thuhet: “Hyseni me Kahreman në këmbë e ngriten Kazanë”. Kahremani ishte nga Gremshi. Avdyl Beu, kur erdhi në Frashër, duke u nisur nga influenca që kishte në popull dhe lidhjet e gjakut që kishte me të dhe me fshatin e tij, e ftoi për një takim, i cili u realizua në lagjen e Hysebellinjve, në fshatin Potom. Historiani Kristo Frashëri, në monografinë e Avdyl Frashërit, ka evidentuar se “Avdyl Frashëri kryesisht si politikan, Naimi veçanërisht si poet, Samiu sidomos si mendimtar-duke plotësuar kështu njëri-tjetrin, sa veprimet, shkrimet dhe pikëpamjet e tyre të studiuara bashkërisht, ndriçojnë historinë e vërtetë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”. Pikërisht tek këta mendimtarë e historianë të mëdhenj, që ndriçojnë historinë e Shqipërisë, duhet të mbështetemi për të gjetur prejardhjen e të parëve të tyre. Bejlerët e Frashërit janë nga Tomorrica. Halit Frashëri është i ati i Naimit, ai nuk është frashërjot, se gjyshi i tij Ajazi është nga Tomorrica. I nipi i Hamza Bej Tomorricës, Lumo Skendo në librin e tij për Naim Bej Frashërin, 1901 botuar në Sofje shkruan: “Më 1570 Hamza Beu, i pari i Tomorricës desh të shtojë urdhrin e tij, e të marrë mpronje Skraparë, Oparë, Vercen, etj; po qeveri e Turqisë qe si pëlqenin punët e këtij zotërie, e rrethoj në Berat, dhe Hamza Beu, si ju sosnë çdo gjë desh të dilte i veshur si grua; po u njoh dhe u zu i gjallë; mi këtë me gjithë fëmijë u dërgua në Stanimarkë, ku ndenjnë 70 vjet; Më 1650, në kohë të Mehmet Pashë Qypryliut u fal Ajaz beu, i nip i Hamzajt dhe ju dha për mpronje Frashëri, Mertinja, Topojani dhe në Vlorë Kudhesi, Armenja dhe ca fshatra në Myzeqe, po Ajazi pëlqeu Frashërin për të ndenjur, se është vend i fortë. Kur erdhi Ajazi në Frashër, atje gjeti fëmijë parësije: Aliçkasit, Cerasit, Bregasit, dhe Bakiasit.(Nga Aliçkasit më pastaj ca shtëpi van e bën Orgockën e Butkën; Bregasit bënë Goroshanin dhe Lushnjën, ca nga të Bakasit van’në Koblare). Enciklopedisti, historiani dhe personaliteti i shquar, Fan Noli, duke bashkuar lidhjet historike Tomorr, Tomorricë, Skrapar, Gremsh dhe Frashër, arrin jo rastësisht, po me plot kuptim të përdor pseudonimin Bilbil Rushit Gremshi. Emri “Bilbil” është sinonim i Naim Frashërit, kurse mbiemri Gremshi është nga e kish prejardhjen Naimi. Sami Frashëri në “Kamus Ul Alamit” (faqe 123)thotë: “Bejlerët e Frashërit origjinalisht janë të shpërngulur prej rretheve të nënprefekturës Tomorricë, të Beratit dhe janë atdhesuar në katundin Stanimarkë, qe atyre ju dha si feud. Në periudhën kur Qypryli Mehmet Pasha ishte Kryeministër, i cili si bashkatdhetar i bejlerëve lejoi njërin nga barku i Iljaz Beut duke i dhënë këtij katundin Frashër dhe disa katunde të tjera që ishin të banuara të gjithë prej kristianëve, në vend të fshatit Stanimarke.” Për Naimin, Tomorri është gjithçka e mirë, që buron në shpirtin e shqiptarëve. Tomorrin e ka bërë objekt të pikturave të veta Eduard Liri dhe prej këtij e ka derdhur në art, Alfred Tomison. Komunisti internacionalist dhe personaliteti i shquar Antonio Gramshi, mendohet se origjinën e ka po nga Gramshi i Tomorricës. Antonio Gramshi në letra nga burgu i Turit, 12 tetor 1931,faqe 161-165 në polemikë me motrën e gruas së tij, Tatjanën midis të tjerave shkruan: “Vetë unë nuk kam asnjë racë; Im at është me orgjinë shqiptare, të vonshme familja iku nga Epiri pas ose gjatë luftës se vitit 1821”. Simbas Antonios familja e tij është nga Epiri, d.m.th., nga Shqipëria e Jugut. Familja e Antonios e ka ruajtur për mbiemër, emrin e fshatit Gremsh.                                 
(* Drejtore e Muzeut Historik Skrapar)