ATHINE - Ndërsa rriten paralajmërimet e partnerëve për dalje të Greqisë nga euro, bankat e huaja kanë filluar të përgatiten për skenarin e përdorimit të dhrahmisë. Edhe orët e fundit pati disa deklarata të forta nga ministri francez i Financave, komisioneri evropian për ekonominë apo zëdhënësi i ministrisë gjermane të Financave, të cilët i kujtonin Greqisë angazhimet e mara apo rrezikun që e pret në rast të injorimit të tyre dhe në sfondin e këtyre ndërhyrjeve politike, bëhen përgatitje praktike për mundësinë e daljes së Greqisë nga eurozona.
 
Sipas mediave ndërkombetare, Kina dhe Britania kanë porositur bankat e veta, të jenë gati për hyrjen në përdorim të monedhës greke madje edhe për falimentimin e Greqisë. 

Qeveria kineze i kërkoi Bankës Qëndrore të Kinës dhe institucioneve të tjera ekonomike të përgatisin plane emergjence dhe të detajojnë masat e nevojshme, në mënyrë që dalja e mundshme të Greqisë nga Eurozona, të mos ketë pasoja në monedhën vendase, juan. Sipas burimeve të Reuters, masat mund të përfshijnë kontrolle mbi lëvizjet e kapitalit. 

Gazeta “The Times” njofton se Autoriteti britanik i Sherbimeve Financiare iu ka kërkuar të gjitha bankave britanike të vlerësojnë kreditin dhe rrezikun operacional në ekonomitë rajonale të eurozonës. Në Greqi, banka britanike HSBC (me 15 degë) ka filluar kontrollin mbi ATM-të, për të përcaktuar nëse ato mund t’iu shërbejnë nevojave për kartëmonedha dhrahmi, kur vendi të largohet nga eurozona. Zëdhënësi i HSBC ka konfirmuar se, si të gjitha bankat, edhe kjo bankë është përgatitur në shumë nivele për të marrë në konsideratë daljen nga euro ose falimentimin e Greqisë. Përveç kësaj, edhe kompani të tjera britanike janë duke marrë masa parandaluese për dalje të mundshme të Greqisë nga Eurozona.

Standard&Poor’s

Ndërkaq agjencia ndërkombëtare e normimit Standard&Poor’s vlerëson se “shanset e daljes së Greqisë nga eurozona në muajt e ardhshëm janë "të paktën një në tre", dhe kjo do të çonte vendin në falimentim. "Kjo mund të ndodhë nëse Greqia kundërshton reformat e kërkuara nga ana e Treshes”, thotë agjencia, gjë që do të pasonte me pezullimin e ndihmës së huaj financiare. "Ky rezultat, sipas mendimit tonë, do të dëmtojë seriozisht ekonominë greke dhe ka të ngjarë të çojë në falimentimin e Greqisë", vlerëson Standard&Poor’s.

Deklaratat paralajmëruese për Greqinë

Tronditëse ishin deklaratat e ministrit francez të Financave dje, sipas të cilit nëse grekët nuk respektojnë angazhimet e tyre, pa dyshim dalja e Greqisë nga euro do të diskutohet. 

Komisioneri për Ekonominë, Olli Rehn tha se vendi duhet të respektojë angazhimet e veta. 

Sipas zëdhënësit të ministrisë gjermane të Financave, Martin Kotchaous po bëhen të gjitha përpjekjet për të mbajtur Greqinë në zonën Euro, por me 2 parakushte: Një qeveri e qëndrueshme nga zgjedhjet dhe zbatimi i angazhimeve për të cilat është rënë dakord.

Lidhje te tjera Franca: Nëse Greqia s'respekton zotimet, do të dalë nga euro Xhorxh Soros: Evropa ka 3 muaj kohë për të shpëtuar euron