Kryetarja e Gjykatës së Apelit të Korçës, Entela Prifti


Shpëton vetëm gjykatësi që votoi pafajësinë. Grekët: Jeni rrezik për rendin kushtetues.


Bllokohen në Kapshticë gjyqtarët e prokurorët e Boboshticës


Hakmarrje kolektive përfaqësuesve të Drejtësisë në Korçë për dënimin me burg të kreut të OMONIA-s, Naum Disho. Asnjë pikë kufitare me Greqinë nuk lejon kalimin në shtetin fqinj të gjyqtarëve të Shkallës së Parë, të Apelit apo prokurorëve të kësaj çështjeje. Një listë e zezë me emrat e tyre ndodhet në duart e kontrollorëve grekë prej vitit të shkuar, por ky fakt është nxjerrë në dritë vetëm pas bllokimeve që u janë bërë përfaqësuesve shqiptarë të Drejtësisë. Rrezik për rendin kushtetues të Greqisë, ka qenë argumenti i kufitarëve grekë, të cilët kanë shpallur të padëshiruar gjyqtarët dhe prokurorët e Korçës, duke shkaktuar skandalin e radhës në marrëdhëniet mes dy vendeve. Të parët që janë përballur me këtë dënim për shkak të detyrës kanë qenë gjyqtarët, mes tyre vetë kryetarja e Gjykatës së Apelit të Korçës, Entela Prifti, gjyqtarja tjetër e Apelit, Brunilda Malo, si dhe përfaqësuesja e trupit gjykues në Shkallën e Parë të Korçës, Afërdita Maho.

Këtë fakt e konfirmon kryetarja e Gjykatës, Entela Prifti, e cila nuk ka bërë komente të tjera për gazetën, në pritje të ndjekjes së rrugës institucionale. Nga burime të brendshme në Gjykatën e Korçës mësohet se vetë Prifti është përballur dy javë më parë me këtë situatë, pasi u bllokua në pikën kufitare të Kapshticës. Bashkë me gjyqtaren Malo, ajo ka qenë pjesë e treshes së trupit gjykues që dha vendimin për Naum Dishon në Apel, më 10 janar të këtij viti, duke lënë në fuqi dënimin me 1 vit heqje lirie me akuzën e dhunimit të varreve në Boboshticë. Ndërsa pasditen e së hënës, ndëshkimi ka qenë për gjyqtaren Afërdita Maho, e cila më 9 qershor të vitit të shkuar dha dënimin e parë për Naum Dishon, duke e shpallur zyrtarisht fajtor për ndërtimin në varrezat e Boboshticës në Korçë. Bashkë me familjarët e saj, Maho ka dashur të kalojë për qëllime private në Greqi, por pasi të tjerët kanë lënë dokumentet dhe nuk u kanë nxjerrë probleme, gjatë kontrollit ka ngecur pasaporta e gjyqtares Maho. E njëjta skenë është paraqitur si dhe për rastin e dy kolegeve të saj të Apelit. Një fletë ku shënoheshin në greqisht dhe shqip motivet e refuzimit të hyrjes në Greqi, u është paraqitur atyre, ndërsa është vënë kryqi në vendin ku citohej se personi paraqet rrezikshmëri, pasi cenon rendin kushtetues të shtetit grek. Në këtë mënyrë është bërë kthimi pas i gjyqtareve të çështjes së Naum Dishos. I vetmi që i ka shpëtuar dënimit ka qenë gjyqtari i Apelit, Stavri Kallço, i cili në janar të këtij viti dha vendimin e tij për ta shpallur të pafajshëm kreun e organizatës OMONIA në Korçë. Kallço ka qenë kreu i treshes së trupit gjykues në Apel, bashkë me Priftin dhe Malon. Në seancën e datës 10 janar 2012, një votë e Kallços ka qenë për pafajësinë e Dishos, ndërsa anëtaret e tjera të trupit gjykues kanë votuar për dënimin e kreut të OMONIA-s. Vendimi ka qenë përcaktues për fatin e Dishos, i cili nga ai moment është person në kërkim nga Policia e Korçës.

E njëjta situatë në kufi deklarohet se është dhe për prokurorët që kanë ndjekur çështjen Boboshtica, ndonëse nuk ka të dhëna nëse ata kanë tentuar të kalojnë kufirin për në Greqi gjatë kësaj kohe. Ajo që pohohet nga burimet është se lista ekziston në pikat kufitare me emrat e përfaqësuesve të Drejtësisë, të cilët po ndëshkohen kolektivisht pse kryen detyrën, të argumentuar sipas fakteve dhe denoncimit të vetë banorëve të fshatit Boboshticë.


Arrestimi

Pak ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, Policia e Korçës shpalli Naum Dishon person në kërkim. Me gjithë kërkimet që janë kryer për arrestimin e kreut të organizatës OMONIA në Korçë, ai nuk është gjetur për tu ballafaquar me Drejtësinë. Aktualisht, çështja e arrestit të Dishos ka kaluar disa shkallë dhe tashmë ndodhet në Gjykatën e Lartë, bashkë me dosjen e dënimit të tij me 1 vit burg. Nga ana e Dishos kërkohet pafajësi, duke pretenduar se nuk ka kryer asnjë shkelje.


Lista

Precedentët e krijuar së fundit në kufirin grek, duke bllokuar përfaqësuesit e Drejtësisë shqiptare hedh dyshimet për ekzistencën prej muajsh të një liste me emrat e tyre. Tri rastet e gjyqtareve e konfirmojnë këtë fakt. Vetë ato nuk kanë bërë deklarata publike, në pritje për ta zgjidhur në mënyrë institucionale këtë problem. Gazeta i siguroi në rrugë jozyrtare këto të dhëna, duke e cilësuar si akt të paprecedent, sidomos në kushtet e dy shteteve demokratike.


Varret e Boboshticës, banorët e fshatit denoncuan skandalin


Kreu i OMONIA-s, Naum Disho


KORÇE Skandali i varreve të Boboshticës shpërtheu në vitin 2010, kur në varrezat e këtij fshati, nga organizata OMONIA e Korçës, drejtuar nga Naum Disho, u urdhërua ndërtimi i një memoriali në nder të ushtarëve grekë të rënë në fillim të shek. XX. Vetë banorët e zonës denoncuan rastin, pasi sipas tyre, punëtorët e paguar për ndërtimin e memorialit kishin hedhur beton, duke zënë përfund varret e vjetra të banorëve, madje sipas tyre, gjatë punimeve ishin nxjerrë në sipërfaqe eshtra të vdekurish. Pas denoncimit, nisën hetimet dhe Prokuroria e Korçës ngriti akuzë për dhunimin e varreve të vjetra të Boboshticës për tre persona: kreun e OMONIA-s, Naum Disho, si dhe dy punëtorët Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe. Nga kryerja e këtyre punimeve dhe konkretisht nga hedhja e një sasie prej 58 m2 beton në pjesën ku ndodhet një kryq betoni, duke zgjeruar bazamentin e këtij kryqi, nga ku u krijua një rrugicë midis kryqit dhe vendit ku është kambana, si dhe nga ndërtimi i shkallëve, janë dhunuar disa prej varreve të këtij fshati, të cilat janë gërmuar dhe më pas mbuluar nga betoni, ishte argumenti i Prokurorisë kur dorëzoi çështjen në gjyq, në nëntor të vitit 2010. Ndaj tre personave rëndoi akuza e ndërtimit të paligjshëm, kryer në bashkëpunim dhe dhunimit të varreve, kryer në bashkëpunim. Kjo çështje, me reagimet e forta nga organizata OMONIA, vazhdoi deri në vendimin e datës 9 qershor 2011. Prokuroria kërkoi dënimin me dy vjet të Naum Dishos dhe 6 muaj burg me kusht për dy punëtorët. Në fund të seancës, gjyqtarja Afërdita Maho vendosi dënimin me 1 vit heqje lirie për Dishon dhe 6 muaj për dy punëtorët. Pas apelimit të çështjes, më 10 janar 2012, Gjykata e Apelit la në fuqi të njëjtën masë për të akuzuarit, duke marrë vendimi të formës së prerë, dhe Naum Disho u shpall person në kërkim.


KORÇE/ ELIDA DOMI