• Në orën 13:15 minuta komisioni vendosi mbylljen e portës kryesore dhe shpalljen zyrtare të fillimit të grevës së urisë.Afrim Krasniqi*U desh edhe gjysmë ore që studentët e shpërndarë nëpër salla të rigrupoheshin sipas fakulteteve. Komisioni u përpoq të bëjë regjistrimin e plotë të pjesëmarrësve dhe grupimi sipas fakulteteve ishte gjëja e parë e nevojshme për t’u bërë.Deri në orën 17:00 kur komisioni kishte në dispozicion të plotë listën përfundimtare të pjesëmarrësve në grevën e urisë, në ambientin rreth kinoklubit ndodhi një zhvillim i ri. Forca të shumta policie, të armatosura dhe të shoqëruara nga ushtarakë të panumërt, në distancë 200 metra rrethuan me kordon të gjithë godinën ku mbahej greva. Brenda kordonit të tyre, qëndruan rreth 10-15 pensionistë, të cilët hidhnin parulla kundër studentëve dhe në mbrojtje të diktatorit. Kjo paradë force e ushtarakëve të Alisë kishte si qëllim krijimin e distancës mes grevistëve dhe qytetarëve, që vazhdonin mitingun në solidaritet me ta. Ardhja e forcave të policisë krijoi një hutim mes studentëve. Ishin të shumtë ata që e menduan këtë si veprim paralajmërues për nxjerrjen e tyre me forcë nga greva. Ata më dyshuesit parashikuan se kjo mund të ndodhte po atë mbrëmje sapo të errësohej dhe qytetarët të largoheshin. Megjithë këtë veprim provokativ të policisë, të justifikuar nga Alia me “domosdoshmërinë e sigurimit të jetës së studentëve nga provokacionet e forcave të errëta”, askush nga pjesëmarrësit në grevë nuk dyshonte në këmbënguljen e tij për të vazhduar grevën deri në fund.Orët e para të sakrificësOrët e para të pasdites së 18 shkurtit, studentët grevistë i shfrytëzuan për t’u sistemuar nëpër salla. Disa studentë të jashtëm sollën batanije nga godinat e tyre, të tjerë filluan leximin e librave. Dikush kishte gjetur një dërrasë për ta përdorur si mbështetëse. Dikush, ende qëndronte ulur në disa stola të ngjitur kinemaje. Kishte edhe nga ata që filluan të thithin cigaret e para të duhanit, ndërsa vajzat sistemuan njëra me tjetrën sendet personale. Por, më shumë se gjysma e studentëve duke shfrytëzuar perdet e sallave të kinoklubit, bënë shirita të cilët pasi mbusheshin me thirrje për paqe, parulla kundër Hoxhës, Alisë e PPSH-së, lidheshin në kokë. Studentë të arteve montuan një kasetofon të fuqishëm që furnizonte me muzikë moderne të gjithë ambientet e grevës. Muzika dhe surprizat e studentëve-artistë u bënë realisht miqtë më të mirë dhe të përhershëm gjatë gjithë zhvillimit të grevës.Pavarësisht se nuk kishin kaluar as dy orë nga fillimi i grevës, ndërmjetësit-mysafirë nuk vonuan të vinin. I pari hyri një burrë i pashëm dhe i veshur me një kostum që i shkëlqente në trup. Vinte nga Kroacia dhe një natë më parë ishte dukur në një kronikë televizive, ndërsa shtrëngonte duart me R. Alinë. Ai u prezantua si T.B., dhe tha se ishte njëri prej drejtuesve kryesorë të shqiptarëve në Kroaci. Ai foli rrjedhshëm dhe me një gjuhë të vështirë filozofike. Njëherë u shpreh se, i përkrahte studentët, pastaj foli mbi rëndësinë e unitetit, pastaj për marrëdhëniet individ-ndërgjegje-vullnet e kushedi se çfarë tjetër. Fjala e tij ishte e lodhshme për t’u mbajtur mend e tëra. Ajo që mbaj mend ishin djersët që i mbuluan fytyrën dhe fakti, se studentët të zemëruar me të, kërkuan që ai të largohej nga salla. Mysafiri i parë u largua, ndërsa komisioni i grevës lajmëroi vendimin që asnjë i “huaj” të mos lejohej të hyjë brenda ndërtesës pa miratimin paraprak të tij. Radha e ndërmjetësve të dërguar nga Alia, vijoi me ardhjen pasdite të ministrave S. Gjinushi e I. Ahmeti. Pavarësisht se ministri i Ndërtimit nuk kishte asnjë lidhje me studentët dhe kërkesat e tyre, dukej qartë se ai dhe Gjinushi ishin ndër të vetmit të besuar të Alisë në komunikim me studentët. Alia në kujtimet e tij thotë se, “hymë në dialog me studentët dhe për këtë u angazhua sidomos ministri i Arsimit S. Gjinushi dhe sekretari i Parë i BRPSH-së, L. Bashkurti”. Takimi i parë mes tyre dhe komisionit të grevës u zhvillua në njërën nga dhomat e vogla, ku ishte vendosur komisioni. Ata sollën variantin më të ri të Alisë, propozimin për të mbyllur grevën me kushtin që emri i Hoxhës të vendosej nga organet kompetente në fillimin e vitit të ri shkollor. Alia ishte këmbëngulës në idenë e tij për “zhvillimin e njëfarë referendumi me studentë dhe ish-studentë të universitetit”. Thënë ndryshe, kjo ishte rruga më optimale që Alia zgjodhi për të arritur mosndryshimin e emrit të universitetit dhe shndërrimin e debatit nga çështje e brendshme e studentëve, në çështje të të gjithë shoqërisë. Ideja e referendumit me studentë dhe ish-studentë, teknikisht dhe logjikisht ishte zgjidhja më e mirë për regjimin për të cilin shmangia e grevës dhe fitorja në kohë dukej se ishin jetike. Alia dhe të deleguarit e tij mbronin variantin se, askush përveç Kuvendit Popullor nuk kishte të drejtë ligjore të vendoste për emërtimin e universitetit. Kjo ofertë e përsëritur vazhdimisht nga të dërguarit e Alisë u cilësua njëzëri si e papranueshme nga studentët. Bisedimet e para me të dërguarit e Alisë u mbyllën me frikën e këtyre të fundit se, nëse studentët nuk do të pranonin kompromise politike, atëherë ata mund të përfundonin shumë keq. Për cilindo analist dhe vëzhgues të atyre ditëve të konfliktit të madh, kjo frikë ishte e dukshme. Por, mrekullisht studentët e kishin kapërcyer harkun e ylberit.  Në orën 15:30 fillonin emisionet tradicionale të lajmeve në radio. Në raste të tilla muzika pushonte dhe studentët në heshtje prisnin të rejat më të fundit të reagimit zyrtar. Emisioni radiofonik i asaj pasditeje filloi me rëndësinë që i duhej kushtuar përkujdesjes së pemëtarisë në Dibër dhe u mbyll me hollësi të konfliktit më të njohur të botës, atij irakian. Asnjë fjalë për grevën e studentëve. Krejt e kundërta ndodhi në edicionet televizive të mbrëmjes. Ndryshe nga mesdita, në këto edicione, greva e studentëve ishte epiqendra e lajmeve. U lexua deklarata e qeverisë, peticione të kolektivave të disa reparteve ushtarake, një letër anonime në emër të studentëve të Prishtinës etj. Ato të gjitha në unanimitet dhe me gjuhë ushtarake dënonin aktin vetësakrifikues të studentëve grevistë dhe kërkonin mbrojtjen me çdo çmim të “pastërtisë së komandantit tonë të lavdishëm Enver Hoxha”. Gjatë leximit të paçavureve të tilla, atmosfera e grevës binte ndjeshëm. Më pas studentët e ILA-s riaktivizonin muzikë dhe një kasetë magnetofoni me imitime të të gjithë kreut të PP-së dhe familjes së diktatorit. Kjo kasetë e realizuar me një mjeshtri artistike dhe me pjesë mjaft pikante nga jeta dhe aktiviteti i Byrosë Politike dhe diktatorit u transmetua thuajse çdo gjysmë ore gjatë gjithë grevës. Ishte me të vërtetë surpriza më e madhe e grevës së urisë.Orët e natës së parë të grevës kaluan me të njëjtën monotoni. Muzikë, lexim, kërcim, humor, lojëra, cigare, urrejtje, thirrje, vendosmëri dhe mall. Ishte një natë e gjatë dhe e lodhshme. Deri pas mesit të natës askush nuk kishte mbyllur sytë për të fjetur. Aty rreth orëve të para të ditës së re, erdhën për të vizituar grevistët edhe liderët kryesorë të Partisë Demokratike. Ardhja e tyre u prit me ovacione të mëdha... Ky sulm dhe fushatë akuzash propagandistike kundër PD-së e kishte detyruar këtë të fundit të zgjidhte pozicionin e vet përfundimtar. Ose do të deklaronte distancim nga studentët për të fituar betejën propagandistike, ose do të deklarohej përfundimisht në mbështetje të plotë të studentëve. Kjo e dyta vërtet e rrezikonte shumë politikisht PD-në, ndoshta deri paralajmërim të sigurt të humbjes në zgjedhjet e marsit. Por, PD-ja të vetmen pasuri kishte mbështetjen studentore. Ajo kurrsesi dhe në asnjë rrethanë nuk duhej ta humbiste këtë pasuri. Kjo ishte ndoshta arsyeja kryesore që e detyroi PD-në, që jashtë dëshirës së saj maksimale, të sakrifikonte momentin politik për t’u bashkuar publikisht me studentët. Padyshim, ky vendim i imponuar nga arsyet e mësipërme ka qenë vendimtar dhe historik për të dhe për të ardhmen e demokracisë në Shqipëri. Koha e vërtetoi këtë përfundim.Momente tensioni Diku pas orës 02:00 të mëngjesit, një pjesë e studentëve preferuan të provojnë gjumin. Ishte e pamundur që në atë ambient të ngushtë të kishte hapësirë për gjumin e të gjithë studentëve, ndaj romantikët dhe muzikantët vazhduan të shkruajnë ditarë dhe të dëgjojnë muzikë. Rreth orës 04:00 të mëngjesit, kishte filluar dita e re për grevistët. Muzikë e lartë dhe të qeshura të shumta krijuan atmosferën për një ditë më optimiste. I vetmi ndryshim ishte zëri më i vrazhdë i grevistëve, pasojë normale e një dite të lodhshme që u la pas. Zgjimin e mëngjesit komisioni i grevës e shfrytëzoi për të komunikuar nisjen e dy telegrameve. Njërin për sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Peres de Kuelar dhe tjetrin për studentët e Universitetit të Prishtinës. Njëkohësisht me këtë, sipas traditës së një dite më parë vijoi leximet e të gjithë telegrameve të solidaritetit. Atë mëngjes komisioni lexoi edhe një telegram të veçantë drejtuar studentëve grevistë nga emigrantët shqiptarë të New-Jorkut në SHBA. Leximi i tij shkaktoi një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Thirrjet “Shqipëri mos ke frikë, se ke djemtë në Amerikë” u bënë refren i brohoritjeve pa fund të grevistëve. I gjithë shtypi zyrtar i 19 shkurtit botoi deklaratën e Këshillit të Ministrave. Kjo deklaratë që e cilësoi të papranueshme kërkesën e studentëve për heqjen e emrit të diktatorit, i bëri thirrjen e fundit studentëve për t’u tërhequr dhe propozonte thirrjen e një referendumi nga Kuvendi Popullor dhe jo qeveria. Por, surpriza më e madhe e mëngjesit të 19 shkurtit ishte botimi në gazetën e PPSH-së i një letre të hapur drejtuar R. Alisë nga anonimë të “Bashkimi i Veprimtarëve Vullnetarë ‘Enver Hoxha’”. Ky ishte një organizëm i ri ekstremistësh dhe sigurimsash të regjimit të Alisë, i themeluar në Berat në prani të sekretarit të Dytë të KQ të PPSH-së, Xhelil Gjonit dhe ministrit të Mbrojtjes, Kiço Mustaqi, më 12 shkurt 1991. Fakti që kjo letër kërcënuese botohej më 19 shkurt, ndërsa poshtë saj mbante mbishkrimin e datës 12 shkurt, tregon se botimi i saj u përdor nga regjimi si karta e fundit e presionit mbi studentët.Studentët ishin vënë në dijeni të një takimi të realizuar mes përfaqësuesve të PD-së dhe R. Alisë, ku ata i kishin kërkuar krushkut të diktatorit të pranonte të dekretonte kërkesën e studentëve. Demokratët e kishin paralajmëruar atë se në rast të kundërt, përgjegjësia do të ishte e tij. Menjëherë pas këtij takimi, në një nga ambientet e KQ-së kishte filluar një mbledhje rrufe e Plenumit të PPSH-së. Studentët prisnin dhe besonin se pjesëmarrësit në këtë mbledhje do të kishin arritur të kuptonin se krimet e tyre në shërbim të diktaturës ishin të papërfillshme me krimin që ata po realizonin me jetët e qindra studentëve grevistë. Këtë parandjenjë utopike e ushqeu dhe thuajse e faktoi një lajm anonim i ardhur tek studentët rreth orës 13:30. Lajmi ishte se plenumi e kishte miratuar kërkesën e studentëve. Liderët e PD-së dhe të komisionit të grevës shpejtuan ta shpërndanin lajmin, pavarësisht se asnjë prej tyre nuk ishte i bindur në vërtetësinë e tij. Megjithatë, komunikimi i këtij lajmi fals e shndërroi të gjithë atmosferën e grevës. Një entuziazëm i paparë shpërtheu brenda dhe jashtë ndërtesës së urisë. Lot gëzimi dhe përqafime mes grevistëve dhe politikanëve. Të gjithë grevistët u përgatitën për ta mbyllur atë, ndërsa përjashta mijëra qytetarë prisnin daljen e studentëve për ta festuar së bashku fitoren. Për të ndodhur kjo duhej dy orë pritjeje derisa të fillonte edicioni i lajmeve në radion shtetërore. Ora shënoi 15:30 dhe spikeri radiofonik filloi të fliste. Lajm i parë, deklarata e Plenumit të KQ të PPSH-së (21). Auditorit i ngriu gëzimi në buzë. Festa e nisur dy orë më parë u shndërrua në zi. Deklarata nuk konfirmoi realizimin e kërkesës së tyre, përkundrazi ajo kërcënoi dhe paralajmëroi një fund shumë dramatik të grevës duke theksuar se, “demokracia (e PPSH-së) ka limitet e saj”. Ajo konfirmoi se PPSH-ja dhe R. Alia nuk do ta lëshojnë “nderin” e mësuesit të tyre të vdekur. Alia përfundimisht i kishte hequr të drejtën vetes për të fituar respektin e brezave të ardhshëm. Ai u shfaq si diktator, sepse ishte i tillë, u shfaq si një konservator komunist, sepse ishte i tillë, u shfaq si pasardhës besnik i diktatorit Hoxha, sepse ishte i tillë. Mesnata e dytë e grevës së urisë solli përsëri pranë studentëve të dërguarit e zakonshëm të R.Alisë, Gjinushin, Ahmetin dhe Bashkurtin. Për më shumë se tre orë ata biseduan me komisionin e grevës rreth një propozimi të ri për dhënien fund të grevës. Propozimi i ri i Alisë ishte që “Universiteti të ndahej në tri pjesë, njëra nga të cilat, Universiteti i Shkencave Humanitare do të mbante emrin “Enver Hoxha”. Debati ishte i ashpër dhe hera-herës paralajmëroi pasoja të paimagjinueshme. Të dërguarit e Alisë, personalisht, linin të kuptonin se mendonin ndryshe nga padroni, por në porositë e padronit ishin shumë provokues. Pas debateve të gjata me komisionin, ky i fundit u mblodh për të përcaktuar një qëndrim unanim. Ishte hera e parë që komisioni humbi unanimitetin. Shumica kërkoi plotësimin e ofertës së paraqitur nga të dërguarit e Alisë për ndarjen e universitetit. Vetëm njëri prej tyre votoi ndryshe. Në fund, komisioni vendosi të kërkojë votëbesimin e propozimit të tij në sallën e madhe të grevistëve. Përpara grevistëve komisioni nuk komunikoi hollësi rreth bisedimeve dhe kontradiktave brenda tij, por vetëm konkluzionin e shumicës së anëtarëve të tij.  Oferta e paraqitur duket se tronditi keqas shpirtrat e trazuar të studentëve. Reagimi i tyre ishte unanim dhe i menjëhershëm. Ata vendosmërisht kërkuan që i vetmi vendim që mbyll grevën e tyre është shpallja e dekretit për heqjen e emrit të diktatorit nga universiteti. Çdo zgjidhje tjetër u cilësua prej tyre si e papranueshme dhe si tradhti e komisionit të grevës. Epitetin e fundit e përdorën në një ndërhyrje vendimtare pedagogët Stringa e Dervishi, si edhe studenti grevist Sh. Rama. Komisionit të grevës nuk i mbeti gjë tjetër, veçse të hartonte deklaratën që hidhte poshtë edhe ofertën e fundit të Ramiz Alisë.Si për të rikthyer atmosferën dhe entuziazmin komisioni lexoi përpara grevistëve një telegram urgjent të ardhur nga studentët e Universitetit të Prishtinës. Ata shprehnin solidaritet maksimal me grevën e urisë dhe denonconin telegramin e lexuar një natë më parë në RTV, si sajesë false e strukturave diplomatike të PPSH-së. Ky ishte një lajm dhe arsye bindëse për t’iu rikthyer festës dhe gëzimit. I pari student që mendoi kështu, vendosi një kasetë me muzikë të zgjedhur dhe brenda pak sekondash si në një inat fëmijësh, studentët u hutuan në atmosferën e re, duke harruar gjithë mërzinë e mëparshme.Lajmet e mbrëmjes rikthyen entuziazmin dhe besimin e plotë të grevistëve në fitore. Pas minutave të tëra plot sulme dhe kërcënime ndaj grevistëve, spikeri i lajmeve televizive lajmëroi se në Tiranë ishte mbledhur Aktivi i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura. Spikeri shtoi se, kjo mbledhje ka vendosur që më 20 shkurt të zhvillojë një grevë të përgjithshme kombëtare në përkrahje të studentëve dhe kërkesave të tyre. Kaq tha spikeri dhe kaq dëgjuan studentët. Por, për të gjithë grevistët ishte e qartë, se pas këtij lajmi nëntë radhësh në të vërtetë fshihej çelësi i fitores së ëndërruar të 20 shkurtit 1991...(vijon nesër)(*) Marrë nga libri: “Fundi i Siberisë Shqiptare” 1998, me autor Afrim KrasniqinSi u abuzua me listën e studentëve grevistëAfrim KrasniqiHistoria e listës së studentëve që morën pjesë në grevën e urisë më 18-20 shkurt 1991 është e gjatë dhe ende e pambaruar. Në ditën e parë të grevës, të gjitha fakultetet bënë një regjistrim të studentëve pjesëmarrës. Numri i përgjithshëm i studentëve që u komunikua nga komisioni i grevës ishte rreth 700. Brenda kësaj shifre përfshiheshin edhe pedagogët dhe një numër i papërfillshëm gjimnazistësh dhe studentësh që sapo ishin diplomuar. Në këtë listë bie në sy edhe fakti se një numër pjesëmarrësish (sidomos pedagogët) janë regjistruar nga më shumë se një fakultet, pasi ata jepnin leksione në dy-tre fakultete. Lista e grevës së urisë nuk u dorëzua kurrë në arkivin e PD-së, siç kërkohej nga rregullorja e grevës, por u mbajt nga persona të veçantë të komisionit të grevës. Një muaj pas mbarimit të grevës së urisë filloi eksodi i madh i rinisë shqiptare drejt vendeve perëndimore. Dokumenti i parë që i kërkohej çdo ish-studenti që mori rrugën e emigrimit ishte dëshmia nga PD-ja dhe pjesëmarrja në grevën e urisë kundër diktatorit Hoxha. Dhënia e një numri të pafund vërtetimesh, (shumica i’u dhanë personave që nuk kishin asnjë lidhje me grevën e studentëve), dhe dyshimet e shumta të PD-së për trafik e falsifikim vërtetimesh, i detyroi mbajtësit e listës ta zhdukin përgjithmonë atë. Tentativat personale për ta rihartuar listën e zhdukur të grevës së urisë vazhduan për shumë vjet. Në vitin 1993 gazeta “Tribuna Demokratike” i ftoi të gjithë ish-protagonistët e grevës, familjarët dhe të njohurit e tyre të dëshmojnë emra të pjesëmarrësve në grevë. Kjo nismë solli një duzinë letrash, nga të gjitha rrethet ku silleshin prova për pjesëmarrje në grevë (fotografi, shkrime gazetash, dëshmi të shokëve të kursit, dëshmi të pedagogëve grevistë etj). Në mënyrë të veçantë thirrjes së gazetës iu përgjigjën përkthyesi i njohur Robert Shvarc, i cili solli në origjinal listën e fakultetit Histori-Filologji dhe Gjuhët e Huaja, listë që gjatë grevës ishte hartuar nga djali i tij, ish-studenti i letërsisë, Ervin Shvarc. Të njëjtin veprim human ndërmorën edhe familja Bollano (djali i të cilës kishte hartuar dhe zotëronte origjinalin e listës së fakultetit të Gjeologji-Miniera), ish-studenti M. Gjana (i cili ruante listën e studentëve të Ndërtimit dhe Arkitekturës), ish-studenti A. Ahmetaj (i cili ruante listën e studentëve të Mjekësisë), redaksia e gazetës “Fllad” e UB-së, që ruante të botuar nga “Studenti i Bujqësisë” origjinalin e listës së ILB-së, etj. Në këtë mënyrë u arrit të plotësohet lista origjinale e studentëve ish-grevistë nga disa fakultete dhe institute të vendit. Përfundimisht, lista e mëposhtme është përfundimtare (e ruajtur ose e rihartuar në bazë të origjinalit), për fakultetin Histori-Filologji, fakultetin Gjeologji-Miniera, fakultetin e Mjekësisë, fakultetin e Ndërtimit dhe Arkitekturës, fakultetin e Ekonomisë, fakultetin e Shkencave Politike, Institutin e Lartë Bujqësor dhe Institutin e Lartë të Arteve. Gjithashtu është e plotë lista e pedagogëve pjesëmarrës sipas fakulteteve ku bënin pjesë.   Megjithë përpjekjet e panumërta personale nuk kam arritur të hartoj listën përfundimtare për fakultetin e Shkencave të Natyrës, fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Elektrike, Institutin e Kulturës Fizike, si edhe për përfaqësuesit e instituteve të tjera nga Shkodra, Elbasani, Gjirokastra, Korça dhe për personat e tjerë jo studentë që kanë marrë pjesë në grevë... Pavarësisht nga mungesa e listës së plotë, debati dhe alibitë rreth saj, unë kam besuar dhe vazhdoj të besoj se botimi i kësaj liste jopërfundimtare të më shumë se 530 ish-studentëve pjesëmarrës në grevën e urisë së shkurtit 1991, është shumë më i dobishëm sesa lënia e gjithçkaje në mëshirën e harresës dhe subjektivizmit politik. Unë i kërkoj ndjesë të gjithë atyre ish-kolegëve që morën pjesë në grevën e urisë së shkurtit 1991, por që unë, kolegët e tjerë të tyre, shtypi, arkivat e MPB-së, arkivat televiziv dhe të fotoreporterëve nuk arritëm t’i identifikojmë asnjëherë me emra.lista e grevisteve(vijon nga numri i kaluar)Instituti i Lartë i Arteve (25)Andi Hila        Andeta Spahivogli    Arben Spahiu (pedagog)    Ardian PaciArtan Lika        Blendi Gonxhe        Blendi Karanxha    Donika GervallaDritan Stermani    Ergys Sako        Ervin Çuli        Edvin BlloshmiFredi Xhemo        Helidon Gjergji        Genc Belba        Ilir GumbardhiIlir Taushani        Merita Selimi        Nikolin Gjoklaj    Robert BudinaRudi Erebara        Sadik Spahia (pedagog)Sirgen Veseli        Sokol SinaniYlli BanjaFakulteti i Shkencave Politike (12)Agron Loci        Albana Zhegu        Arben Ristani        Ardian NuniBashkim Dedja        Çlirim Gjata        Edi Spaho        Elidon ShkembiFatmir Hoxha        Kreshnik Spahiu    Oltion Gogu    Silvana Shabani (ped)    Vilsa Dado    Instituti i Kulturës Fizike (6)Alban Shehri        Dritan Shakohoxha       Kastriot Sulçe         Klodian DeliallisiRobert Çitozi        Rezart XhariFakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit (69) Adrian Karapici    Adriatik Omeri        Agim Reçi    Agron RragamiAgustin Deda        Ajet Ramçe    Alban Pici        Alban XhaferiAlfred Aliçi        Amardo Shpofi        Andi Xhelepi    Arben LaskuArber Jasimi        Ardian Rrapi     Ardian Kollozi         Arjan ManahasaArjanit DakaArtan Mata        Artur Sokoli        Astrit FarukuBahir HodaBardhyl Karagjozi    Bujar Tafili    Diana SanxhaktariDionis BelloDritan Berberi        Dritan Peshtani        Dritan VoshtinaEdi GabaEduart Ibrahimi        Eduart Faruku        Elona Mero    Emil Prodani (pedagog)Enio Jaçe        Esmeralda Pasmaçiu    Fatmir Murri Gazmend Oketa    Genc Katragjini    Gjergj Kozllorovi    Hajri SpahiuHysni Gjoçi        Ilir Berzani        Ilir Kodheli    Ilir Zilja        Ilir Proko        Jovan Çomo        Katerina Ikonomi    Kosta BidoçiKujtim AllarajLeonard Peleqi        Lekë Tusha        Lorenc ZaniLuan Deraj    Luljeta DanajLutfi Nano        Myftar GjanaMirand Deliallisi    Noris KoçiPandush Sterjanai    Parid MargaritiQemal Koçi    Ridvan PeshkepiaRoland Shehu        Rezarta SimaSkerdi Strazimiri    Soner Tallushi        Sokol Duka        Shpend MiftariVesel Koçia    Vladimir KordhaXhemal Çeço             neser do te lexoniSi nisi protesta popullore kur autoambulancat nisën të dërgonin në spital studentët e parë grevistë që kishin nevojë për ndihmë mjekësorePërse ministri Hekuran Isai nuk zbatoi urdhrin për të qëlluar mbi protestuesit. Cili ishte qëndrimi i Ramiz Alisë e pakënaqësia e Nexhmije HoxhësSi u përjetua mes studentëve grevistë lajmi për rrëzimin e shtatores dhe përse protestuesit nuk shkuan të prishin varrin e Hoxhës tek Varrezat e Dëshmorëve