Është i pesti ndër vendet më të varfra në rruzull. Nuk ka burgje dhe rrugëve sillen shumë pak policë. Tani ky shtet i dështuar është vënë nën shënjestrën e karteleve kolumbiane të drogës, të cilët e kanë kthyer në një nga pikat më të rëndësishme të transitit drejt Evropës




Rruga përballë klubit "X" në Bisau, kryeqyteti i të pestit ndër vendet më të varfra në rruzull është gjithë gropa. Nuk është riparuar që nga koha kur mbi të kalonin mjetet e rënda ushtarake gjatë luftës civile në Guinea Bisou në fund të viteve nëntëdhjetë. Por makinat e parkuara përreth - Porsche dhe Audi të fundit - do vinin në siklet edhe rrugët më të famshme të Evropës.

Brenda në lokal dëgjohet muzikë pop evropiane dhe një birrë kushton më shumë (dyfishin) se të ardhurat mesatare ditore për frymë prej një dollari në ditë. E megjithatë, kjo mesatare tmerrësisht e ulët të ardhurash nuk i pengon pronarët e klubeve të tilla të importojnë uiski nga Evropa (kushton 80 dollarë shishja). Një nga klientët e rregullt të lokalit na tregon njerëzit që përfaqësojnë etapat e ndryshme të trafikut të kokainës, e cila niset nga Amerika e Jugut, udhëton përmes Guinea Bisau për në Afrikën Perëndimore dhe përfundon në Britani e në pjesë të tjera të Evropës. "Ai është trafikant i madh dhe ai përkrah është truproja. Ai aty hiqet si kush e di se çfarë, por është peshk i vogël. Ajo gruaja është mushkë (kështu quhen në zhargon njerëzit që e transportojnë kokainën). Ka qenë nja dy herë në Evropë".

Në një rrugë të rrethuar me ndërtesa të stilit kolonial gjendet restoranti i anës. Mund të ngatërrohet fare mirë me një pikë të këndshme turistike. "Por klientët e vetëm që na vijnë janë kolumbianë", vëren Ana. "Ky vend po shkatërrohet nga trafikantët e drogës. Gjenden kudo. Pak javë më parë, njeriu që dikur punonte tek unë si kopshtar, më trokiti në derë e më pyeti nëse doja të blija shtat kilogramë kokainë".

Nëpër lokalet për të ardhur keq gjenden një mori baronësh kolumbianë droge, që vërtiten me makina nga më luksozet e me vajza të bukura përkrah. Jashtë qytetit gjenden vila të bukura me veranda gjigante, pishina e me porta të mëdha hekuri të ruajtura nga njerëz të armatosur.

Ditën, Guinea Bisau të jep përshtypjen e atij që është në të vërtetë, një vend i varfër. Shumë nga banorët nuk kanë mundësi të blejnë një biletë autobusi, jo më të kenë makinë personale. Nuk ka rrjet qendror furnizimi me energji elektrike. Ujë të rrjedhshëm kanë vetëm të pasurit dhe ndërtesat shtetërore, si pallati presidencial janë në gjendje të rrënuar edhe sot, nëntë vjet pas përfundimit të luftës civile. Por nga Organizata e Kombeve të Bashkuara cilësohet si "i pari narko shtet" i kontinentit.

Autoritetet e luftës kundër narkotrafikut tregojnë se kanalet tradicionale të kokainës që kalojnë përmes Karaibeve, Xhamajkës dhe Panamasë tani gëlojnë nga forcat policore, gjë që i ka detyruar kolumbianët të gjejnë rrugë të tjera transporti. Gjithashtu, dalja në skenë e karteleve të forta meksikane i ka detyruar amerikanojugorët të shkojnë në Evropë përmes Atlantikut, duke lënë pas dore ato që kalojnë përmes Amerikës Qendrore.

Ajo që dikur përbënte rrugën e tregtisë së skllevërve, bregu perëndimor i Afrikës, është kthyer sërish në qendër të vëmendjes, thotë Antonio Maria Kosta, drejtori i zyrës së OKB-së për drogën dhe krimet (UNODC). "Në shekullin XIX, uria evropiane për skllevër shkatërroi Afrikën Perëndimore. Dyqind vjet më vonë, oreksi për kokainë mund të bëjë të njëjtën gjë".

Pushtimi i Afrikës Perëndimore nga kolumbianët dhe kartelet e tjera të drogës po bëhet me shpejtësi të pabesueshme. Mes viteve 1998-2003 sasia totale e kokainës që kalonte nëpër këtë territor nuk i kalonte 600 kilogramët në vit. Tani kjo shifër është pesëfishuar.

Vlera e drogës së trafikuar nëpër territor e kalon shumë herë produktin e brendshëm bruto të këtij vendi. Një e katërta e gjithë kokainës që konsumohet në Evropën e Perëndimit trafikohet përmes Afrikës Perëndimore.

Bandat nigeriane të drogës kanë qenë historikisht shumë aktive në skenën globale të trafikut, por shënjestra e trafikantëve latinoamerikanë kanë qenë "shtetet e dështuara" të Bregut të Artë, ku varfëria është e skajshme, ku shoqëria është e përgjunjur nga luftërat civile dhe ku institucionet shtetërore mund të blihen me lehtësi. Faktorë të tillë e bëjnë Guinea Bisou prenë e përkryer.

Sipas UNODC, në këtë shtet vlera në para e drogës së trafikuar është më e madhe se të ardhurat kombëtare. "Është fakti i njohur", bën të ditur Agjencia Afrikane e Këshillimit "se pa ndihma nga jashtë Guinea Bisou mbetet tërësisht në mëshirë të trafikantëve që zotërojnë teknologji nga më të përparuarat e të armatosur më së miri".

Shteti që numëron 1.5 milionë banorë renditet i pesti ndër vendet më të varfra të rruzullit. Edhe historia e tij është po kaq e zymtë: pas një konflikti të përgjakshëm 13-vjeçar arriti të fitonte pavarësinë nga Portugalia. Kaloi vitet e para nën një diktaturë marksiste deri në çastin kur Zhoao Bernardo Vieira u rrëzua nga një revoltë e armatosur. Krizat e mëpasshme, dy luftëra dhe kolapsi ekonomik e sollën përsëri diktatorin në pushtet, në vitin 2005.

Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar Guinea Bisau si një ndër rrugët kryesore që përdorin trafikantët amerikanolatinë për të furnizuar me kokainë Evropën Perëndimore. Kosta shpjegon: "Kur erdha për herë të parë në vend, e kisha shumë të lehtë të vëreja pasuritë që buronin nga narkotrafiku. Jashtë kryeqytetit vërehen vilat luksoze. Shpesh të zë syri makina shumë luksoze ku nuk mund të mungojnë vajzat e bukura, si ato të filmave të Xheims Bondit. Ekzistonin edhe një seri hotelesh ku nuk më këshillohej të shkoja".

Një zyrtar i lartë i Agjencisë Amerikane së Luftës Kundër Drogës (DEA) shpjegon përse Guinea Bisau është shënjestër e përsosur për narkotrafikantët. "Gjeografikisht, Afrika Perëndimore ofron lehtësi të shumta gjeografike. Narkotrafikantët mund të arrijnë aty me avion - në ndonjë prej pistave të shumta të lëna pas dore nga lufta - ose me mjete lundrimi. Anijet mund të ankorohen në ujëra jashtë çdolloj monitorimi, ndërsa barkat e vogla shkarkojnë në breg drogën krejt të pashqetësuara".

"Guinea Bisau është një shtet i dështuar dhe është si të lëvizësh nëpër një shtëpi të boshatisur", shton zyrtari i DEA-s duke shpjeguar se në vend nuk ka burgje. Një anije e ndryshkur patrullon një vijë detare 350 kilometra të gjatë bashkë me 82 ishuj. Hapësira ajrore nuk patrullohet. Policia ka shumë pak makina të cilat nuk kanë radio, kufje apo telefona.

"Kushdo mund të shkojë, të blejë çfarë të dojë me ndihmën e autoriteteve, të ushtrisë e të banorëve. Kokaina ngarkohet dhe transportohet drejt Evropës qoftë përmes detit, drejt Spanjës e Portugalisë, ashtu si edhe përmes ajrit duke përdorur ‘mushkat‘. Në një avion të vetëm, në vitin 2006, udhëtonin plot 32 ‘mushka‘ që transportonin kokainë nga Guinea Bisau".

Zyrtari pranon se "e gjitha kjo ndodhi me shpejtësi shumë të madhe dhe reagimi ka qenë shumë i dobët. E kryesojnë ata lojën". Edhe fakti që pjesa dërrmuese e përfaqësive perëndimore u larguan nga vendi pas fillimit të konfliktit të armatosur duke preferuar më pas të operonin nga Senegali fqinj.

Kalvari i kokainës së Guinea Bisau nisi tre vite më parë kur një peshkatar gjeti në një prej ishujve disa pako me pluhur të bardhë. As që e kishin idenë çfarë qe ajo substancë e bardhë misterioze. "Fillimisht e përdorën për të lyer trupat gjatë ceremonive tradicionale", kujton gazetari vendas, Alberto Dabo. "Pastaj ia hodhën të korrave, të cilat u shkatërruan për shkak të drogës. Arritën deri në atë pikë sa ta përdornin për të krijuar vijat e bardha të një fushe futbolli".

Çasti i vërtetë mbërriti kur dy latinoamerikanë ia behën me një avion të vogël e me 1 milion dollarë në xhepa për të blerë mallin e humbur. Dy burrat u arrestuan nga policia, por u liruan. "Kur njerëzit mësuan për çfarë bëhej fjalë dhe se mund ta shisnin", tregon Dabo, "disa prej peshkatarëve blenë makina e ndërtuan shtëpi".

Një faktor tjetër që e bën Guinea Bisau një parajsë për bandat e narkotrafikut është prania thuajse e papërfillshme e ligjit. "Në rast se je bos i ndonjë organizate kriminale është shumë e lehtë të operosh", shpjegon Amado Filip de Andres, numri dy i UNODC në vend. "Ligji nuk ushtron asnjë lloj kontrolli për dy motive: nuk ka pajisje dhe as kapacitete njerëzore".

Një tjetër fenomen mbi të cilin vënë theksin DEA dhe UNODC është shtrirja në vend edhe e trafikut të heroinës nga kartelet aziatike dhe afrikane, të cilët e shfrytëzojnë kanalin në drejtim të kundërt, për ta furnizuar tregun amerikan. Vitin e shkuar DEA dhe policia e Çikagos arrestoi nëntë afrikanë që kishin mbërritur ne Shtetet e Bashkuara nga Afrika Perëndimore dhe në mënyrë të veçantë nga Guinea Bisau.

Organizma të ndryshëm kanë shifra të ndryshme mbi praninë e kolumbianëve në vend, por një vëzhgues vëren se në Guinea Bisau numërohen të paktën 60 trafikantë kolumbianë. Kanë blerë biznese lokale, përfshi dyqane e fabrika dhe kanë ndërtuar shtëpi të mëdha e të rrethuar me roje të shumta.

"I shohim këta njerëz të veprojnë të patrazuar. U tregojnë të gjithëve sa të pasur janë. E tregojnë pa pasur kurrfarë frike", thotë Xhamel Handem, një aktivist vendas.

Mendohet se forcat e armatosura dhe disa politikanë të lartë vendas janë përfshirë thellë në gjithë këtë trafik kokaine. Vitin që shkoi u arrestuan dy ushtarakë së bashku me një civil në një mjet që transportonte 635 kilogramë kokainë. Ushtria siguroi menjëherë lëshimin e dy ushtarakëve dhe as që u dëgjua se do përballeshin me akuza.

Në zyrën e tij të mobiluar më së miri, zëdhënësi i forcave të armatosura të vendit, Arsenio Balde, hedh poshtë çdo mundësi që ushtria të jetë e përfshirë në trafikun e drogës. Lidhur me rastrin në fjalë, ai thotë se ushtarakët u gjendën në vendin e gabuar në çastin e gabuar: "Ishin në rrugë e po kërkonin ndonjë makinë. Ai zotëria ndaloi dhe ata hipën. Më pas makina u ndalua dhe që të tre u arrestuan. Nuk ekziston asnjë provë për përfshirje në shkallë të gjera. Ju lutem vetëm të na sillni ndonjë provë. Kaq po ju kërkojmë".

Edhe zëdhënësi i qeverisë, Pedro da Kosta, jep përgjigje pak a shumë të ngjashme për pyetjen nëse ekzekutivi i vendit është përfshirë në trafikun e drogës. "Nuk kam asnjë lloj informacioni të tillë", thotë prerë. Këmbëngul në vullnetin e qeverisë për ta ndalur trafikun dhe shpjegon se mundësitë janë të kufizuara për shkak të mungesës së mjeteve. Por si shumë të tjerë në Guinea Bisau edhe ai mendon se përplasjet mes karteleve për dominimin e tregut mund ta shtyjnë përsëri vendin në luftë civile. "Sigurisht që shqetësohemi. Jemi të gjithë të preokupuar. Nuk e di sa pasojat mund të jenë të ngeshme me ato të viteve 1998-‘99, pasi sot motivimet janë të ndryshme. Por sigurisht që përbëjnë një rrezik të madh për vendin".

Zgjedhjet parlamentare, të planifikuara fillimisht për t‘u zhvilluar gjatë këtij muaji, u shtynë për në fund të vitit. Fushata mund të shkaktonte tensione mes grupimeve politike dhe të ndihmonte edhe më tej korrupsionin.

Zyra e UNOCD ka përpiluar një plan të detajuar për të ndihmuar Guiena Bisau. Në vitin 2006 u fol për një buxhet të mundshëm prej disa qindra miliona dollarësh të grumbulluara nga donatorë të huaj. Por në fund këta nuk pranuan t‘i jepnin ato para. Vitin e shkuar, zyra u shfaq me një projekt shumë më modest që do përqendrohej te reforma e shërbimeve të sigurisë, që përfshinte gjithashtu edhe ndërtimin e një burgu. Kostot mendoheshin se do preknin 19 milionë dollarët.

Dhe sikur të mos mjaftonte prania e karteleve, Guinea Bisau po përballet me një tjetër problem të rëndë, atë të shtimit të përdoruesve të drogës mes popullsisë. "Ushtarët shpërblehen me mall", thotë Antonio Maria Kosta, "ndërkohë që gjithçka nuk dërgohet në Evropë shitet në tregun vendas".