Trazhgim Sokolaj

Enver Dondollaku, njeriu që akuzohet se qëndroi në krah të djathtë të Aldo Bares gjatë aktivitetit të “bandës së Lushnjës”, u shpall dje fajtor për dhjetë krime të rënda. Historia e përgjakshme nis në korrik 1997 në Lushnjë me vrasjen e Ramadan Shkurtit, vëllait të Aldo Bares. Ky i fundit në përpjekje për t’u hakmarrë për vrasjen e vëllait, sipas pretencës së Prokurorisë krijoi “bandën e Lushnjës”, e cila u vu në ndjekje të Artur Dajës derisa e vrau atë. Në pretencën e lexuar dje në Gjykatë nga Prokuroria, thuhet se pas vrasjes së Artur Dajës, anëtarët e “bandës së Lushnjës” lajmëruan hakmarrjen duke lëvizur në qytet me kokën e prerë të viktimës. Më poshtë publikohet pretenca e plotë siç është paraqitur dje në sallën e gjyqit:
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Enver Dondollaku, i biri i Refatit dhe i Lumturies, i datëlindjes 15. 03. 1975 i akuzuar për kryerjen e veprave penale të:
“Vrasjes me paramendim” të shtetasit Xhevat Demiri, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal; “Vrasjes me paramendim” të shtetasit Nimet Zenelit, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal; “Vrasjes me paramendim”, të mbetur në tentative ndaj shtetasve Gramoz Selmani dhe Masar Aliu, parashikuar nga neni 78 dhe 22 i Kodit Penal; “Vrasjes me paramendim” të shtetasit Masar Aliu, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal; “Vrasjes me dashje” të shtetasit Idajet Beqiri, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal; “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, të parashikuar nga neni 278/2 të Kodit Penal; “Shkatërrimit të pronës me zjarr” të banesës së shtetasit Shkëlqim Haxhiu, parashikuar nga neni 151/2 të Kodit Penal; “Pjesëmarrjes në organizatën kriminale”; “Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale”, të parashikuar nga neni 333 dhe 334 të Kodit Penal; të “Vjedhjes me dhunë”, në dëm të shtetasit Baki Taullai, parashikuar nga neni 139 i Kodit Penal.
Në bazë të nenit 378 të Kodit të Procedurës Penale paraqesim konkluzionet përfundimtare si më poshtë:
Meqenëse Gjykata ka vendosur ndarjen e çështjes penale midis të pandehurve Aldo Bare dhe Enver Dondollaku dhe për këtë të fundit ka pranuar gjykimin e shkurtuar, konkluzionet përfundimtare janë për të pandehurin Enver Dondollaku dhe bazohen në gjendjen që janë aktet e hetimit paraprak.
Nga tërësia e akteve rezulton se Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë ka regjistruar në datë 07.02.2006 procedimin penal me nr. 15.
Ky procedim penal është regjistruar në emër të shtetasve Aldo Bare (me emër të ndryshuar nga Alfred Shkurti), Arben Boriçi, Enver Boriçi, Ilir Stergu, Erion Cici, Afrim Hoxha, Enver Dondollaku, Rexhep Gina etj. Regjistrimi i procedimit penal me nr. 15 është bërë pas shpalljes së moskompetencës lëndore të datës 31.01.2006 nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë të procedimit penal me nr. 22 të vitit 2006 të kësaj Prokurorie dhe kalimit të akteve Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë.
Në datën 17.04.2007 është bërë ndarja e procedimit penal nr. 15 të vitit 2006 me procedimin nr. 15/4. Ndarja është bërë për arsye se për të pandehurit Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion Cici, Arjan Alico, Jorgo Muzaka, Rexhep Gina kishin përfunduar hetimet në lidhje me akuzat e ngritura. Procedimi penal nr. 15/4 është regjistruar në emër të pandehurve Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion Cici, Arjan Alico, Jorgo Muzaka, Rexhep Gina. Ky procedim penal është dërguar për gjykim në datën 17.04.2007.
Nga provat e marra nga hetimi paraprak i çështjes rezulton e provuar se:
Në muajin korrik të vitit 1997 në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi Ramadan Shkurti, i vëllai i të pandehurit Alfred Shkurti me emër të ndryshuar Aldo Bare. Në këtë datë i pandehuri Aldo Bare, së bashku me shtetasit Ramadan Shkurti, Enver Rabija dhe Bardhyl Rabija janë nisur me një autoveturë në drejtim të lokalit ku ndodhej shtetasi Artur Daja. Kur janë afruar disa metra i pandehuri Aldo Bare, së bashku me personat e tjerë të ndodhur në automjet kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit ku ndodhej edhe shtetasi Artur Daja. Pas fillimit të goditjes edhe nga ana e lokalit kanë filluar të qëllojnë në drejtim të automjetit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vdekur shtetasi Genci Kashari, brenda në verandën e lokalit ku ndodhej edhe shtetasi Artur Daja. Në verandën e lokalit nën shoqërimin e shtetasit Artur Daja ndodheshin familjarë të tij, shtetasi Gramoz Selmani etj. Pas shkëmbimit të zjarrit i pandehuri Aldo Bare së bashku me shtetasin e plagosur aty Enver Rabija, janë larguar me nxitim nga vendi i ngjarjes, duke vazhduar të qëllonin herë pas here në drejtim të lokalit. Në vendngjarje dhe pikërisht në automjet mbetën të plagosur shtetasi Ramadan Shkurti (vëllai i të pandehurit Aldo Bare), dhe Bardhyl Rabija. Nga shkëmbimi i zjarrit mbetet i plagosur shtetasi Artur Daja, i cili afrohet në automjetin ku ndodheshin shtetasit Bardhyl Rabija dhe Ramadan Shkurti, i qëllon me armë zjarri duke i shkaktuar vdekjen.  
Ndërmjet shtetasit Artur Daja dhe të pandehurit Aldo Bare ka filluar një konflikt që nga viti 1996. Për vrasjen e vëllait të tij, i pandehuri Aldo Bare ka akuzuar shtetasin Artur Daja. Për këtë arsye së bashku me grupin e tij, i pandehuri Aldo Bare ka tentuar disa herë për të vrarë shtetasin Artur Daja. Pas vrasjes së vëllait të tij i pandehuri Aldo Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Daja, shokëve, miqve dhe të afërmve të tij, krijoi të ashtuquajturën “bandë e Lushnjës”.
Fillimisht në këtë grup u mblodhën të pandehurit Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Arben Boriçi, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të pandehurit Aldo Bare dhe vëllait të tij Ramadan Shkurtit, të vrarë.
Pikërisht në këtë periudhë, më datë 03.08.1997 në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri. Në hyrje të qytetit të Lushnjës viktima së bashku me familjarë të tij janë ndaluar nga katër persona të armatosur, ku ndërmjet tyre ishin edhe të pandehurit Ilir Stergu dhe Afrim Hoxha, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare. Pasi kanë vënë maskat në kokë ata kanë qëlluar në drejtim të shtetasit Xhevat Demiri, i cili kishte zbritur nga furgoni, duke i shkaktuar atij vdekjen. Ndërkohë i pandehuri Arben Boriëi i cili rrinte në një autoveturë afër vendit të ngjarjes është afruar me shpejtësi dhe në autoveturë kanë hipur të gjithë personat e sipërcituar.
Në lidhje me akuzën e vrasjes së shtetasit Nimet Zeneli dhe vrasjes së mbetur në tentativë të shtetasit Masar Aliu.
Më datë 13.02.1998 në vendin e quajtur Kolonjë të Rrethit Lushnjë, është vrarë me armë zjarri shtetasi Nimet Zeneli. Në rrugën automobilistike persona të armatosur, ku ndërmjet të tjerëve edhe të pandehurit Arben Boriçi e Ilir Stergu, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare i kanë zënë pritë fuoristradës “Tojota” me targa FR 8079 A. Personat e armatosur pasi kanë parë furgonin të afrohej kanë qëlluar me armë automatik në drejtim të tij. Në fuoristradë udhëtonte shtetasi Gramoz Selmani, shoku i ngushtë i shtetasit Artur Daja, si dhe shtetasit Masar Aliu dhe Nimet Zeneli, shokë të shtetasit Gramoz Selmani. Ky i fundit pas goditjes nga grupi i Aldo Bares, me qëllim për t’u shmangur nga goditja e grupit, fshihej tek shtetasit e sipërpërmendur. Menjëherë shoferi i furgonit, shtetasi Masar Aliu, ka nxjerrë nga rruga makinën dhe të tre personat kanë dalë nga furgoni dhe janë larguar me vrap. Të pandehurit Arben Boriçi dhe Ilir Stergu kanë ndjekur me vrap dy shtetasit Nimet Zeneli dhe Masar Aliu, duke qëlluar me armë në drejtim të këtyre të fundit. Gjatë ndjekjes shtetasi Nimet Zeneli është plagosur me armë zjarri dhe nuk ka mundur të largohej. I pandehuri Ilir Stergu së bashku me të pandehurin Arben Boriçi i janë afruar të plagosurit dhe kanë qëlluar në drejtim të tij me armë zjarri, duke i shkaktuar edhe vdekjen. Dy shtetasit e tjerë, Gramoz Selmani dhe Masar Aliu kanë mundur t’i shpëtonin ekzekutimit.
Në lidhje me akuzën e vrasjes së shtetasit Masar Aliu dhe Idejat Beqiri.
Disa ditë me vonë, më datë 22.02.1998 në rrugën Kolonje–Bitaj të rrethit Lushnjë, me qëllimin e vetëm vrasjen e shtetasit Masar Aliu, persona të armatosur ku ndërmjet tyre edhe të pandehurit Enver Dondollaku, Ilir Stergu dhe Arben Boriçi kanë pritur ardhjen me makinë të shtetasit Masar Aliu. Pasi kanë pikasur ardhjen e makinës kanë dalë dhe kanë ndaluar makinën. Ata kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Masar Aliu duke i shkaktuar vdekjen. Pas kësaj ata kanë qëlluar edhe në drejtim të shtetasit Idajet Beqiri, i cili ka qenë rastësisht brenda në automjet.  
Në gusht të vitit 1998 është djegur me anë të zjarrit banesa e shtetasit Shkëlqim Haxhiu. Persona të armatosur, ku ndërmjet tyre edhe të pandehurit Ilir Stergu, Arben Boriçi; Enver Boriçi; Erion Cici, Jorgo Muzaka, Rexhep Gina në bashkëpunim me të pandehurit  e tjerë Aldo Bare; Enver Dondollaku; dhe shtetasin e vrarë Leonard Prifti etj., ditën e ngjarjes kanë shkuar në shtëpinë e shtetasit Shkëlqim Haxhiu. Pasi nuk kanë gjetur personat të cilët kërkonin, ata i kanë vënë zjarrin shtëpisë dhe kanë marrë me vete disa nga personat që ndodheshin brenda në shtëpi.
Ngjarja në fjalë është e lidhur me një ngjarje tjetër e ndodhur në Lushnjë në të njëjtën ditë. Paraditen e ditës së ngjarjes është bërë goditje me antitank të një makine në Sul Zotaj (Lushnjë), ku ndodhej edhe drejtuesi i grupit kriminal të pandehurit Alfred Shkurti. Në vendngjarje ka qenë edhe furgoni i shtetasit Shkëlqim Haxhiut, nga ku është qëlluar me antitank dhe armë zjarri në drejtim të makinës ku ndodhej i pandehuri Aldo Bare dhe pjesëtarë të tjerë të bandës së tij.
Në datën 21.10.1998 në fshatin Grabian të qytetit të Lushnjës, pasi është dëgjuar një plasje eksplozivi, është gjetur në vendngjarje pjesë të një trupi njerëzor i shpërndarë. Ditën e vrasjes së Artur Dajës, në sheshin e qytetit të Lushnjës pjesëtarë të grupit kriminal të drejtuar nga Aldo Bare kanë shëtitur nëpër shesh kokën e prerë të kufomës së Artur Dajës. Ndërmjet tyre në ngjarjen kriminale të ekspozimit të kokës së prerë kanë qenë edhe të pandehurit Ilir Stergu, Arben Boriçi, Erion Cici, Arjan Alico, Enver Boriëi, Enver Dondollaku, shtetasi i vrarë Leonard Prifti etj.
Të gjithë viktimat kanë qenë shokë, miq të shtetasit Artur Daja, i cili ishte kundërshtari i drejtuesit të organizatës kriminale të drejtuar nga ana e të pandehurit Aldo Bare. Viktimat nuk kanë pasur konflikte personale me të pandehurit. 
Si moment i krijimit të organizatës, e ashtuquajtura “bandë e Lushnjës” apo “grupi i Alfred Shkurtit”, është vrasja dhe dhunimi i kufomës së shtetasit Ramadan Shkurti, vëllai i Aldo Bares, në muajin korrik të vitit 1997 në qytetin e Lushnjës. Kjo vrasje erdhi si pasojë e përballjes me bandën e shtetasit Artur Daja, banor i qytetit të Lushnjës. Pas vrasjes shtetasi Aldo Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Daja dhe pjesëtarëve të bandës, krijoi bandën e tij.
Nga provat e gjykimit rezulton se i pandehuri Aldo Bare ka një rol dhe autoritet absolut në organizatë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar që të gjithë anëtarët e organizatës kriminale kanë pasur një disiplinë të fortë të drejtuar dhe të kontrolluar nga i pandehuri Aldo Bare. Në gjithë veprimtarinë e saj kjo organizatë udhëhiqej nga interesat e të pandehurit Aldo Bare. Anëtarët e organizatës i drejtoheshin drejtuesit të tyre Aldo Bares me nofka të tilla si: “I madhi”; “Profesori”; “Kryetari” e të tjera. Disiplina e fortë dallohej qartë në momentet kur urdhrat e të pandehurit Aldo Bare nuk bëheshin të diskutueshëm. Ato zbatoheshin me fanatizëm nga të gjithë anëtarët e organizatës, të cilët vepronin nëpërmjet ushtrimit të dhunës psikike, fizike si dhe të veprimeve kriminale të tilla si: rrahje, heqje të lirisë, tortura, vrasje.  
Në vijim të veprimtarisë kriminale, kjo organizatë është kujdesur vazhdimisht në drejtim të ushtrimit të veprimtarive ekonomike, ku pjesëtarë të organizatës ushtronin role të caktuara. Këto veprimtari shtriheshin në lagunën e Karavastasë, në shoqërinë e sport-klub Lushnje, në bingon e qytetit e të tjera. 
Nga tërësia e provave arrihet në përfundimin se i pandehur Enver Dondollaku ka konsumuar elementët e figurave të veprave penale për të cilat është akuzuar.
Për sa më sipër kërkojmë bazuar në nenin 378 e K.Pr.Penale
                    K E R K O J M E
1. Deklarimin fajtor të pandehurit Enver Dondollaku për veprat penale, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.



AKUZAT PER DONDOLLAKUN
 “Vrasjes me paramendim” të shtetasit Xhevat Demiri, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal
 “Vrasjes me paramendim” të shtetasit Nimet Zenelit, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal
 “Vrasjes me paramendim”, të ngelur në tentativë ndaj shtetasve Gramoz Selmani dhe Masar Aliu, parashikuar nga neni 78 dhe 22 i Kodit Penal
 “Vrasjes me paramendim” të shtetasit Masar Aliu, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal
 “Vrasjes me dashje” të shtetasit Idajet Beqiri, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal
 “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, të parashikuar nga neni 278/2 të Kodit Penal
 “Shkatërrimit të pronës me zjarr” të banesës të shtetasit Shkëlqim Haxhiu, parashikuar nga neni 151/2 të Kodit Penal
 “Pjesëmarrjes në organizatën kriminale”;
 “Kryerjes të veprave penale nga organizata kriminale”, të parashikuar nga neni 333 dhe 334 të Kodit Penal
 “Vjedhjes me dhune”, në dëm të shtetasit Baki Taullai, parashikuar nga neni 139 i Kodit Penal.



“Dondollaku burg përjetë, por do të vuajë vetëm 25 vjet në qeli”

TIRANE – Një çerek shekulli burg për Enver Dondollakun, një nga eksponentët kryesorë të organizatës kriminale të cilësuar si “banda e Lushnjës”. I njohuri si krahu i djathtë i Aldo Bares, të cilit Prokuroria e Krimeve të Rënda i atribuon “kreun” e bandës famëkeqe, Dondollaku u dënua me burgim të përjetshëm, por ulja në 25 vjet u bë për shkak të gjykimit të tij me kohë të shkurtuar. Vetëm dy muaj pasi gjykata vendosi ndarjen e dosjes së tij nga ajo e Aldo Bares dhe gjykimin me kohë të shkurtuar, gjykata mbylli dje shqyrtimin gjyqësor në ngarkim të Dondollakut. Sipas kërkesës që u pranua nga Krimet e Rënda, Dondollaku kërkonte shqyrtimin e çështjes në gjendjen që ishin aktet, duke i “shpëtuar” në këtë mënyrë dënimit me burgim përjetë. Enver Dondollaku u gjykua në mungesë në këtë proces, për shkak se aktualisht ai ndodhet në Itali, ku po vuan një dënim me 18 vjet burg për një vepër penale të kryer në këtë vend. Në seancën e djeshme Gjykata për Krimet e Rënda i dha fund shqyrtimit gjyqësor në ngarkim të Enver Dondollakut, të akuzuar për një sërë veprash të rënda kriminale, ngjarje të ndodhura në rrethin e Lushnjës në vitet 1998-2000. Në të njëjtën seancë që përfundoi me shpalljen e vendimit përfundimtar për Dondollakun, gjykata u njoh me konkluzionet përfundimtare të të dyja palëve. Gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare, organi i akuzës kërkoi 4 burgime të përjetshme dhe 6 dënime të tjera që varionin nga 5 deri në 25 vjet burg për Dondollakun dhe në përfundim për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimin e tij me 25 vjet. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, Dondollaku duhet të shpallej fajtor për vrasjen me paramendim të Xhevat Demirit, Nimet Zenelit, Masar Aliut dhe Artuar Dajës, vrasjes me dashje të Idajet Beqirit, të vrasjes së mbetur në tentativë të Gramoz Selmanit dhe Masar Aliut, si edhe për “pjesëmarrje në organizatë kriminale”, “armëmbajtje pa leje”, “shkatërrim prone me zjarr” dhe “vjedhje me dhunë”. Ndërsa avokati mbrojtës i të pandehurit Enver Dondollaku pretendoi pafajësi për klientin e tij. Sipas avokatit, provat e sjella nga organi i akuzës nuk provonin fajësinë e klientit që ai përfaqësonte. Pasi i dha fund shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Krimeve të Rënda u tërhoq në dhomën e këshillimit. Pas rreth 50 minutash u shpall verdikti përfundimtar, ku Enver Dondollaku u deklarua fajtor për veprat penale për të cilat akuzohej dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Fakti që për të pak më parë ishte pranuar gjykimi me kohë të shkurtuar, dënimi i tij u ul në 25 vjet burg.  ar.ba