Nëntë vjet pas masakrimit të nënës së Lul Cakës, policia ka mundur të dërgojë para drejtësisë autorët e saj. Tre persona akuzohen për këtë vrasje, të cilët janë emra të njohur të krimit shqiptar. Fatmir Emini, i njohur si Mile Çami, Artan dhe Bledar Yzeiri janë emrat e tre personave të akuzuar për vrasjen dhe masakrimin e Xhevrie Cakës. Kjo e fundit u rrëmbye, torturua, përdhuna dhe u vra teksa priste lirimin e djalit të saj, pasi ishte arrestuar si i dyshuar për disa vrasje. Por, pikërisht dje, nëntë vjet pas ekzekutimit të saj, policia ka mundur të gjejë autorët, ndërkohë që gjykata ka vendosur arrest me burg. Dy prej tyre janë të arrestuar, ndërkohë që i treti është shpallur në kërkim prej vitesh. Policia e Shtetit deklaroi në lidhje me këtë hetim se në kuadër të operacionit të koduar "Rrëmbimi", është bërë i mundur dokumentimi i plotë i ngjarjes së ndodhur në datën 01 korrik 1999. Në atë datë, pikërisht në afërsi të portës ku bëheshin takimet me të arrestuarit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, është rrëmbyer, torturuar dhe më vonë është vrarë me armë zjarri Xhevrie Caka. Kjo e fundit është gjetur në pyllin e lumit Seman. Policia tha se pas një pune hetimore të kryer me metoda speciale të hetimit është bërë e mundur zbardhja e plotë e kësaj ngjarjeje. Për këtë arsye, Gjykata e Fierit vendosi masën e sigurisë "arrest në burg" për vrasje me paramendim për tre persona. "Këta janë Fatmir Emini, 52 vjeç, lindur e banues në Fier, i dënuar me 22 vjet burg për vrasje, aktualisht është duke vuajtur dënimin, Artan Yzeiri, 38 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Fier, i dënuar me 18 vjet burg për vrasjen e ish-kryetarit të Komunës Kutalli të Beratit, aktualisht person në kërkim dhe Bledar Yzeiri, 30 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Fier, i dënuar me 17 vjet burg për vrasjen e Neki Çalës, aktualisht i arrestuar në Belgjikë, pritet ekstradimi tij. Sipas dosjes së regjistruar, nëna e Lul Cakës, Xhevries u krye për hakmarrje. Ajo ishte te porta e policisë, kur u rrëmbye me një makinë, më pas u tortura dhe u vra. Për këtë vrasje, Lul Caka u arratis nga burgu dhe u hakmor. Ai ishte arrestuar gjashtë muaj para vrasjes së nënës së tij. Arrestimi i tij u bë gjatë një operacioni të forcave speciale në Fier dhe Berat me qëllim goditjen e bandave kriminale. Ndërkohë, pak ditë para vrasjes së nënës, Lul Caka u transferua në Drejtorinë e Policisë së Fierit. Teksa priste takimin me të, vrasësit e saj futën në qelinë e tij një pako, brenda së cilës ishte një letër e shkruar dhe një pjesë nga trupi i nënës së tij. Po gjatë kësaj kohe, në fshatin e tij të lindjes, Samaticë, Cakës i vrasin vëllain, Bardhoshin, baba i dy fëmijëve. Në kohën që Caka ishte i arrestuar, në fshat i vdes nga një atak në zemër edhe babai i tij, Hasani. Të gjithë këto ndikuan te Lul Caka që të organizonte arratisjen e tij nga burgu për t‘u hakmarrë. Në përfundim të hakmarrjeve të tij, Lul Caka arriti të kalojë Adriatikun, duke përfunduar në një fshat të zonës së Foxhias në Itali. Pas 15 muajsh qëndrim i fshehur në Itali, Interpol Tirana arriti të gjejë vendndodhjen e Lul Cakës dhe pas një bashkëpunimi me Interpol Roma, ai u prangos në ditët Krishtlindjeve të vitit 2001 (24 dhjetor 2001), ndërsa u shoqërua në qelitë e kuesturës së qytetit të Foxhias. Më pas, policia shqiptare ka filluar procedurat e ekstradimit të vrasësit, që në Shqipëri ishte dënuar me 25 vjet burg. Pas ekstradimit nga Foxhia e Italisë, Lul Caka ndodhet në një nga burgjet e sigurisë së lartë të Shqipërisë, duke vuajtur dënimin për ngjarjet kriminale të kryera prej tij gjatë 10 vjetëve.







Historia





Lul Caka dhe krimet e tij





Caka e filloi aktivitetin kriminal duke vrarë një invalid që shpërndante pensionet në shtëpinë e tij në fshatin Kutalli në vitin 1991. Në vitin 1997 Caka do të bëhet krahu i djathtë i Loshit të Karbunarës me të cilin ishte djalë tezeje dhe do të marrë pjesë në të gjitha veprimet e bandës së Karbunarës. Gjatë kësaj periudhe, Lul Caka krijoi hasmëri të drejtpërdrejta me dy fiset, Emini e Bega në fshatin Samaticë, me fisin Çala dhe Yzeiri në fshatin Rrëzë, si dhe me 3 apo 4 familje në Fier, ndërsa dyshohet se ka edhe disa hasmëri me fise të tjera në fshatrat e zonës së Kutallisë. Në krijimin e mitit të tij si "i fortë", këtë person e ndihmuan shumë lidhjet e tij me strukturat e shtetit atë vit edhe më pas, si dhe "marrëdhëniet" që krijoi me bandat e tjera të Beratit. Më 21 korrik 1997, Caka vret në Lushnjë, Pëllumb Eminin, vëllai i Mile Çamit. Në shtator 1997 ai kapet rastësisht nga forcat speciale të policisë në Lushnjë, por lihet i lirë pas një manipulimi me dosjen hetimore që nuk kalon në kohë për gjykim. Arrestohet pas një aksioni të policisë së Beratit dhe kapet pas një beteje të vërtetë me policinë, ku vritet shoku i tij, Xhevahir Çela. Për t‘u hakmarrë ndaj familjes Bega, Caka sapo u arratis nga paraburgimi i Lushnjës, në 6 janarin e vitit 2001, vrau tre pjesëtarë të hasmit. Por krimi më i rëndë i tij do të ishte vrasja e 22 marsit 2001, kur 100 metra nga qendra e fshatit Samaticë, në orën 18.30 minuta, Lul Caka dhe i vëllai i vogël i tij, 19-vjeçari Gjelosh Caka, qëllojnë me breshëri automatiku dy të rinjtë Maringlen Cami, 24 vjeç, dhe Valter Bega, 23 vjeç.







Vjeshtë 1997





Si lindi hasmëria?





Në vjeshtën e vitit 1997, Lulzim Caka është konfrontuar për radhën e larjes së makinave në një lavazh pranë Uzinës së Plastmasit të Lushnjës, me Pëllumb Eminin. Ky i fundit njihej si personazh i dhunshëm në zonën e Fierit, ndonëse atë ditë mësohet se kishte qenë eskortë e një deputeti të zonës. Në grindje e sipër, Caka kishte marrë automatikun duke qëlluar në drejtim të Eminit, por pa mundur ta vrasë për momentin. Por nuk ka mundur t‘i shpëtojë ekzekutimit fieraku. Caka ka mbledhur miqtë e bandës së Karbunarës dhe pas një ndjekjeje me makinë, e kanë bllokuar Eminin pranë spitalit të qytetit dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit, ai ka mbetur i vrarë.





Dhjetor 1997





Vrasja e Loshit





Ekzekutimi i Loshit të Karbunarës është konsideruar si hakmarrje për vrasjen e Pëllumb Eminit, vëllai i Mile Çamit. Një hakmarrje e kryer në mënyrën më të përgjakshme dhe mjaft demonstrative. Është kryer më 31 dhjetor 1997, ndërsa kryheshin veprimet e fundit për festën e Vitit të Ri. Autori pa kurrfarë maske i është afruar në bulevardin e qytetit, pranë sheshit "Toka Jonë", automjetit që drejtohej nga Bujar Sula ose siç njihet ndryshe Loshi i Karbunarës, ku gjendej edhe Eduart Dyrmishi, nga Fieri. Ka qëlluar fillimisht me kallash makinën në drejtim të kokës së Loshit, pasi ky i fundit mbante antiplumb. Dhe pasi ka zbrazur një krehër me fishekë, si për t‘u siguruar ka hedhur dhe një granatë brenda automjetit. Ngjarja pati edhe një të mbijetuar, vajzën që ndodhej në sediljen e pasme, e cila u plagos rëndë po i shpëtoi vdekjes. Autori u largua i pashqetësuar, duke vazhduar të qëllojë në ajër.