21-06-2013 / Gazeta 55

Ministri Eduart Halimi me noterët, avokatët dhe përmbaruesit gjyqësore

Kryetari i grupit të punës për qarkun dhe njëherësh ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka zhvilluar një bashkëbisedim me juristë të qytetit të Durrësit. Të ftuar në këtë takim, avokatë, noterë, përmbarues, kryetarë të dhomave përkatëse dhe studentë të juridikut në Universitetin “A.Moisiu” , ata kanë vlerësuar reformat e deritanishme në sistemin e drejtësisë, forcimin e ligjit dhe shmangien e burokracive në kryerjen e procedurave. Ndërsa në fjalën e tij ministri Halimi solli në vëmendje në sërë arritjesh si në ligjin e ri për noterët dhe përmbarimin privat. Ai tha se në mandatin e ardhshëm të qeverisë Berisha të gjithë juristët (avokatë , përmbarues dhe noterë) që e marrin liçensën e ushtrimit të profesionit të tyre për herë të parë , për tre vjet nuk do t’i paguajnë shtetit asnjë taksë. Në këtë mënyrë – tha ministri ata do të kenë mundësinë të zhvillojnë profesionin dhe karrierën e tyre të ndihmuar nga politikat lehtësuese të shtetit. Ministri i Drejtësisë dhe kreu i grupit të punës për qarkun u tha juristëve se në shtator ai do të propozojë një ligj të ri sipas të cilit noterët do të bëhen edhe agjentë tatimorë. “2 % e taksës që merret nga punonjësit e tatimeve për çdo kontratë të nënshkruar me miratimin e këtij ligji do t’i kalojë noterëve dhe sipas kësaj skeme të gjithë aktorët dhe shteti do të dalin të fituar” theksoi Halimi. Më herët Eduard Halimi dhe kryetari i Bashkisë së Manzës Bujar Huqi kanë inauguruar një rrugë kryesore të fshatit Manëz. Duke sjellë në vëmendje arritjet e qeverisë në infrastrukturë Halimi tha se qeveria shqiptare ka shtruar 13.000 km rrugë dhe do të mbyllë ndërtimin e të gjitha rrugëve të vendit brenda dy viteve të para të mandatit të tretë. “Ne kemi një projekt të qartë për shtrimin dhe asfaltimit e të gjitha rrugëve cep më cep të Shqipërisë sepse rrugët na afrojnë me mirëqenien- u shpreh kreu i grupit të punës”. Nga Manza, Halimi akuzoi Ramën se injoron padrejtësisht të gjitha investimet e qeverisë, “Atij rrugët ,autostradat dhe tunelet i duken asgjë, ai thotë se Shqipëria është akoma në mesjetë por qytetarët shqiptarë do ia japin përgjigjen më 23 qershor,ata do të votojnë partinë demokratike” theksoi Halimi.

...