• Publikohet harta e tokave të refuzuara nga fermerët dhe e tokave të pandara.

ZIRINA LLAMBRO

 Të parat do të vihen në dispozicion të investitorëve në kuadër të nismës “Shqipëria 1 euro”, ndërsa grupi i dytë do t’u ndahet pronarëve sipas ligjit. Për këtë kategori janë përcaktuar rreth 27 mijë hektarë tokë fushore, kodrinore e malore. Ndërkaq rreth 110 mijë hektarë janë regjistruar si toka të refuzuara nga pronarët e që i zotërojnë e për rrjedhojë i kalojnë automatikisht shtetit. “Për këtë sipërfaqe toke qeveria ka bërë ofertën e saj për investime. Pra, cilido që është i interesuar do të mbështetet maksimalisht prej nesh”, sqaroi dje zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit Rexhep Shahu. Ai bëri me dije dje se përgatitja e bazës së të dhënave ka përfunduar. Në këtë hartë janë paraqitur tokat në bazë qarqesh, komunash e bashkish në të gjithë vendin. Gjithashtu informacioni i publikuar përcakton qartë vendndodhjen, afërsinë dhe largësinë nga qendrat e komunave e të qyteteve. Sakaq është bërë edhe kategorizimi i tokave duke llogaritur  sipërfaqet dhe shtrirjen gjeografike. Regjistrimi i tokave është bërë në 11 qarqe të vendit, ku numrin më të lartë të tokave të refuzuara e  ka qarku i Korçës me më shumë se 10 mijë hektarë, kryesisht në relieve kodrinorë dhe malorë.
Tokat e pandara
Sa i përket tokës që do t’u jepet pronarëve, e cila aktualisht është e pandarë, në të gjithë vendin rezulton se janë 26976.99 hektarë, prej të cilave 495.5 hektarë sipërfaqe fushore, 9665.19 tokë kodrinore dhe 16816.3 hektarë sipërfaqe malore. “Prej tyre 19.500 hektarë janë tokë bujqësore shtetërore dhe 8 mijë hektarë  janë toka troje të ish-ndërmarrjeve të dikurshme”, saktësoi zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Rexhep Shahu duke nënvizuar se është bërë një punë e rëndësishme, e cila për këtë kategori tokash do të mundësojë zbatimin e ligjit për pronarët. Do të jetë më pas e drejta e tyre për t’i vënë ato në efeciencë apo jo. “Në bazë të ligjit do të bëhet rishpërndarja e kësaj sipërfaqeje, u takon vetë pronarëve më pas të vendosin nëse do ta shfrytëzojnë këtë tokë, do ta refuzojnë duke e quajtur të papërdorshme apo do të investojnë aty”, sqarojnë specialistët. Tashmë nga Parlamenti është miratuar ligji “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”,  ndonëse fatura financiare e tij për qeverinë është jo pak e kripur. 
Për “Shqipëria 1 euro”
Sipas drejtuesve të Ministrisë së Bujqësisë tashmë me publikimin e të dhënave për tokat e refuzuara paraqiten mundësitë reale për të investuar në vendin tonë me një kosto minimale. Praktika të ngjashme po ndiqen edhe me pyjet dhe kullotat e degraduara duke hapur rrugë dhe mundësi koncesionare. “Kuadri ligjor ka përfunduar pritet vetëm zbatimi në praktikë. Janë pasuri natyrore, të cilat duhen ruajtur dhe duhen shfrytëzuar”, sqaron Ministria e Bujqësisë. Ata sqarojnë se kërkesat nga investitorët e huaj në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë kanë qenë të larta sidomos për sektorë të veçantë. “Jemi drejt përfundimit të dhënies me koncesion për 1000 hektarë tokë në Rrethin e Kavajës  për mbjelljen e ullinjve. Janë investitorë italianë që kanë kërkuar të shfrytëzojnë këtë sipërfaqe toke”, sqarojnë zyrtarisht specialistët e Ministrisë së Bujqësisë. Ata pohojnë gjithashtu se ka pasur kërkesa për ngritjen e një sipërfaqeje masive të vreshtave. “Një tjetër projekt që po shqyrtohet është edhe për bimët medicinale, ku kemi pasur kërkesa për zonën e Malësisë të Madhe ku ka shumëllojshmëri të këtyre bimëve. Në këtë zonë kemi toka të refuzuara, mund të investohet me një kosto të ulët nga të huajt”, bën me dije zëdhënësi i ministrisë. Kërkesa në kuadër të nismës “Shqipëria 1 euro” ka pasur kryesisht nga Izraeli, Italia por edhe nga vende të tjera. “Oferta është e hapur, kushdo që është i interesuar, do të ketë mbështetjen maksimale qoftë ky investitor i huaj apo vendas”, pohon Ministria e Bujqësisë. Sektorë të tjerë që sipas qeverisë paraqesin interes nga  investitorë vendas e të huaj janë ata të energjisë, minierave, hekurudhave dhe turizmi. 

27 mije
hektarë tokë fushore, kodrinore e malore janë regjistruar si tokë e pandarë në gjithë territorin e vendit

110 mije
hektarë janë regjistruar si toka të refuzuara nga pronarët që i zotërojnë e për rrjedhojë i kalojnë automatikisht shtetit

8 mije
hektarë  janë toka troje të ish-ndërmarrjeve të dikurshme. Ato i përkasin si troje hartës së tokave të pandara dhe  do t’u kalojnë pronarëve



Tokat bujqësore, qeveria ua jep zaptuesve me ligj

Qeveria ka parashikuar që një pjesë e tokave djerrë, ose të refuzuara nga zonat e ndryshme t’i përdorë për kompensimin fizik të ish-pronarëve, por një gjë e tillë refuzohet nga ana e ish-pronarëve. Prej kohësh drejtuesit e shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, po refuzojnë idenë e hedhur më parë nga ana e qeverisë, për marrjen si kompensim të pronës të tokave të refuzuara ndër vite, që i përkasin zonat malore ose kodrinore. Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi është shprehur se “këto toka nuk mund të shërbejnë për kompensimin fizik, pasi nuk kanë ndonjë pozicion ku mund të ketë dhe zhvillim të tregut”. Ndërkohë që qeveria ka depozituar në Kuvend dy nisma që kanë të bëjnë me tituj e pronësisë, si dhe dhënien e tokës pa shpërblim. Në nismën e parë kaq shumë të debatueshme, maxhoranca do t’i dhurojë pronat zaptuesve të tokave, të cilat e kanë marrë në mënyrë të padrejtë gjatë zbatimit të ligjit 7501 të tokave bujqësore. Në nenin 9 të projektligjit parashikohet që nëse një person ka përfituar në mënyrë të padrejtë nga ndarja e tokës bujqësore, atëherë shteti i jep të drejtën për ta pajisur atë me certifikatën e pronësisë. Kjo vetëm në ato raste ku toka e marrë në rrugë të padrejtë nuk ka konflikt me palën e tretë, pra nuk është në pronësi të ish-pronarëve. Nisma është kundërshtuar dhe për faktin se ajo parashikon verifikimin e të gjithë titujve të pronësisë të dhëna nëpërmjet zbatimit të ligjit 7501 “Për tokën” apo dhe dhënies së tokës bujqësore në shpërblim. Socialistët theksojnë se nisma do të krijonte konflikte sociale verifikimi i të gjithë titujve të pronësisë të dhëna në këto 17 vite. Ndërsa ish-pronarët theksojnë se personat që e kanë marrë tokën në mënyrë të padrejtë t’u merret sipërfaqja e kundërligjshme dhe të përdoret për fondin fizik të tokave për kompensimin e ish-pronarëve. Nismat kanë kaluar në komisionet parlamentare dhe së shpejti pritet të votohet në seancë plenare.
 B.Hoti


Saranda e Delvina s’kanë toka të pandara
Rrethi i Sarandës dhe Delvinës në qarkun e gjirokastrës nuk kanë asnjë hektar tokë të pandarë. Kjo rezulton nga mbledhja e të dhënave prej ministrisë së bujqësisë. Ndërkaq Rrethi i Korçës ka numrin më të lartë të tokave të pandara të cilat arrijnë në rreth 10 mijë hektarë. Këto toka do t’i ndahen prnarëve sipas ligjit.

“Shqipëria 1 euro” për tërheqjen e investitorëve

Nisma “Shqipëria 1 euro” është shpallur nga Kryeministri i vendit Sali Berisha rreth 2 vjet më parë. Gjithçka me qëllim tërheqjen e investitorëve të huaj. Sipas zyrtarëve të qeverisë janë disa miliarda dollarë investime, të cilat po bëhen gati të vërshojnë drejt Shqipërisë, sidomos në fushën e industrisë energjetike. Sipas qeverisë, Shqipëria, paraqet potenciale të mëdha në shumë fusha, sikundër ofron tregun më të favorshëm, më të ri, dinamik e me koston më të ulët të punës në Evropë, duke u shndërruar atë në një vend tërheqës për sipërmarrjen e huaj. Ndër fushat me interes për të investuar në vendin tonë, përmendet turizmi, që me rreth 400 kilometra bregdet ende të pazhvilluar ofron mundësi të jashtëzakonshme, sektori i energjisë, si një vend me burime të shumta hidrike, fusha e shfrytëzimit të mineraleve, ku Shqipëria është e pasur në krom, boksite, nikel.


Shqipëria 1 euro, interes për bimët medicinale

“Kapacitetet e Shqipërisë për grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e produkteve natyrore janë të pafundme”. Kështu deklarojnë specialistët e Ministrisë së Bujqësisë. Sipas tyre, sidomos për bimët medicinale janë mundësitë reale për kultivimin e tyre, veçanërisht në sipërfaqet e tokave të refuzuara, që janë kontingjente të papërdorura dhe disponibël për këtë qëllim. “Nxisim investitorët e huaj që për këtë mundësi e hapësirë të zhvillojmë më tej këtë biznes fitimprurës, i cili do të ishte i dobishëm jo vetëm për Shqipërinë, që ka shumë lloje të tilla për t’u kultivuar. Me investimet në këtë fushë përfshihen dhe plotësohen interesat e të gjitha palëve”, sqarojnë specialistë të Ministrisë së Bujqësisë. Sipas tyre po diskutohen projekte sidomos në zonën e Malësisë së madhe.


Harta e tokave të lira

Vendndodhja sipas qarkut

Qarku i Beratit
1-Rrethi Berat
Gjithsej 665.7 hektarë
67.1 tokë fushore
284.7 tokë kodrinore
313.9 tokë malore
Përfshin komunat dhe bashkitë (Cukalat, Kutalli, Tërpan, Sinjë, Roshnik, Vertop, Bashkia Ura Vajgurore, Velabisht, Lumas, Otllakë
2-Rrethi Skrapar
Gjithsej 68.6 tokë malore
Përfshin komunën(Konak,Bogovë,Cepan,
3-Rrethi Kuçovë
103 hektarë tokë kodrinore
Komuna Perondi
Qarku i Tiranës
1-Rrethi i Tiranës
Gjithsej 825 hektarë
191 ha tokë kodrinore
634 ha tokë malore
Përfshin komunat dhe bashkitë (Kërrabë, Prezë, Vaqarr, Dajt, Petrelë Shëngjergj)
2-Rrethi i Kavajës
Gjithsej 287 hektarë tokë kodrinore
Përfshin komunat dhe bashkitë (Sinaballë, Gose, Lekaj)
Qarku i Durrësit
1-Rrethi Durrës
Gjithsej 114 hektarë tokë kodrinore
Përfshin bashkitë dhe komunat (Manzë, Gjepalë, Ishëm)
2-Rrethi i Krujës
Gjithsej 156.5 tokë malore
Përfshin komunat dhe bashkitë (Fushë-Krujë, Nikël, Bubq)
Qarku i Dibrës
1-Rrethi Dibër
Gjithsej 1470 hektarë
-1199 ha tokë kodrinore
123 ha tokë malore
Përfshin komunat dhe bashkitë (Maqellare, Melan, Kastriot, Tomin, Fushë Alie, Muhur, Sllovë, Arras, Luzni, Zall–Dardhë)
2-Rrethi Bulqizë
Gjithsej 364 hektarë
305 ha tokë kodrinore
59 tokë malore
Përfshin komunat dhe bashkitë (Ostren, Gjoricë, Shupenzë)
3-Rrethi Mat
Gjithsej 605.1
489.3 ha tokë kodrinore
115.8 ha tokë malore
Përfshin komunat dhe bashkitë(Lis, Komsi, Klos, Rukaj, Baz, Suc, Macukull, Ulëz, Derjan, Gurre)
Qarku Korçë
1-Rrethi Korçë
Gjithsej 9848 hektarë
533.6 tokë kodrinore
9315.2 tokë malore
Përfshin komunat dhe bashkitë (Moglicë, Gore, Lekas, Libonik, Vithkuq, Bulgarec, Vreshtas, Drenovë, Voskop, Voskopojë, Pojan, Liqenas, Pirg, Mollas)
2-Rrethi i Devollit
Gjithsej 2690 hektarë
28 tokë kodrinore
2662 tokë malore
Përfshin Komunat dhe bashkitë(Hoçisht, Progër, Miras, Bilisht, Bashkia Bilisht)
3-Rrethi i Pogradecit
Gjithsej 819 hektarë tokë malore
Përfshin komunat dhe bashkitë (Dardhas, Hudënisht, Proptisht, Çëravë, Trebinjë, Velçan)
4-Rrethi i Kolonjës
128.8 hektarë tokë malore
Përfshin komunat dhe bashkitë (Qendër, Navoselë, Mollas, Çlirim)
Qarku i Vlorës
1-Rrethi Vlorë
Gjithsej 861.9 hektarë
329.9 toke kodrinore
532 tokë malore
Përfshin Komunat dhe bashkitë (Navosel, Qendër, Shushicë, Armen, Vllahinë)
3-Rrethi i Sarandës
S’ka
4-Rrethi i Delvinës
S’ka
Qarku i Lezhës
1-Rrethi Lezhë
S’ka
2-Rrethi i Kurbinit
Milot
Gjithsej 10 hektarë tokë kodrinore
3-Rrethi i Mirditës
Gjithsej 78 hektarë tokë kodrinore
Përfshin komunat dhe bashkitë (Kaçinar, Kthjellë)
Qarku i Gjirokastrës
1- Rrethi Gjirokastër
Gjithsej 1335 hektarë
382 tokë kodrinore
953 tokë malore
Përfshin Komunat dhe bashkitë (Pogon, Lunxhëri, Libohovë, Cepo, Picar, Zagori, Odrie, Antigonë)
2-Rrethi Tepelenë
Gjithsej 377 hektarë tokë malore
Përfshin komunat dhe bashkitë (Kurvelesh, Memaliaj, Qesarat, Luftinje, Buz, Qendër)
3-Rrethi Përmet
Gjithsej 441.5 tokë malore
Përfshin komunat dhe bashkitë (Frashër, Këlcyrë, Piskovë, Ballaban, Suke, Deshnicë, Çarçovë)
Qarku i Shkodrës
1-Rrethi Shkodër
Gjithsej 74,19 tokë kodrinore
Komuna Bushat
2-Rrethi Pukë
gjithsej 205 hektarë tokë kodrinore
Përfshin komunat dhe bashkitë(Qerret, Gjegjan, Qelëz)
3-Rrethi Malësi e madhe
Gjithsej 17 hektarë tokë fushore
Bashkia Koplik
Qarku i Kukësit
1-Rrethi Kukës
gjithsej 347.8 hektarë
241.5 tokë kodrinore
106.3 tokë malore
Përfshin komunat(Shishtavec, Bicaj, Tërthore, Shtiqen)
Qarku i Fierit
1-Rrethi Fier 
Gjithsej 120.7 hektarë tokë kodrinore
Përfshin komunat dhe bashkitë (Cakran, Levan, Porteze, Ruzhdije)
2-Rrethi i Lushnjës
Gjithsej 484.5 hektarë
81.5 ha tokë fushore
403 ha tokë kodrinore
Përfshin komunat dhe bashkitë (Ballgat, Dushk, Fier-shegan, Hysgjokaj, Karbunar, Kolonjë, Bashkia Divjakë)
3-Rrethi i Mallakastrës
Gjithsej 1292 tokë kodrinore
Përfshin komunat dhe bashkitë (Aranitas, Seltei, Fratar, Kute, Gracan, Hekal, Qendër)
Qarku i Elbasanit
1-Rrethi Elbasan
Gjithsej 719 hektarë
424.8 tokë kodrinore
292.2 tokë malore
Përfshin komunat dhe bashkitë (Gergjan, Gostimë, Shushicë, Bashkia Belsh, Labinot, Mollas, Bardashesh, Funar, Papër, Zavolinë, Komuna Rrase)
2-Rrethi i Librazhdit
Gjithsej 67 hektarë
13 tokë kodrinore
54 tokë malore
Përfshin komunat dhe bashkitë (Stravaj, Përrenjas, Qendër)
3-Rrethi Peqin
gjithsej 20 hektarë tokë malore
Komuna Pajovë
4-Rrethi Gramsh
Gjithsej 728 hektarë
397 tokë kodrinore
331 tokë malore
Përfshin komunat dhe bashkitë (Sult, Tunje, Kushovë, Skënderbegas, Lenjel, Kukur, Kodonjat, Pishaj)

Toka të pandara nË total
26976.99 hektarë,
- 495.5 hektarë sipërfaqe fushore,
- 9665.19 tokë kodrinore 
- 16816.3 hektarë sipërfaqe malore.
Prej tyre
19.500 hektarë tokë bujqësore shtetërore
8 mijë hektarë tokë, troje të ish-ndërmarrjeve