Zyrtarët pranojnë problemet, por kanë edhe justifikimet

Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) në Sarandë pranon se dhënia e një sipërfaqeje të madhe trualli një ish-pronari ka shkaktuar mbivendosje të pronave në periferi të qytetit. Drejtues të ZRPP-së sqaruan dje për “Shqip” se procedurat hipotekore për rastin në fjalë kanë nisur mbi bazën e një vendimi të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKPP) në Vlorë, firmosur nga Petraq Puleri, që mban nr.22 dhe datën 27.2.2009. Mbi këtë bazë ligjore i është njohur pronësia shtetasit Avni Delvina, banor i Tiranës, i cili pretendimet e tij pronësore i ka paraqitur në këtë instancë shtetërore dhe është njohur si ish-pronar në një truall poshtë malit të Lëkurësit. Këtij vendimi, ZRPP e Sarandës i shton edhe konfirmimin e bërë nga drejtoria eprore, si dhe detyrimin që buron nga një vendim të Gjykatës së Sarandës për kthimin zotit Delvina të 68 hektarëve truall të ndodhur në Lëkurës.


Në dokumentet shkresore fiksohen edhe kufizimet e kësaj prone, ku lexohet se “nga lindja kufizohet me kurrizin e Malit të Lëkurësit, nga perëndimi me Detin Jon, nga veriu me qytetin e Sarandës dhe në anën jugore me fshatin çukë”. Mbi këtë vendim të AKKP-së na thonë se është formuluar urdhri i ekzekutimit nga Gjykata e Shkallës së Parë të Sarandës, me numër 105, që mban datën 24.6.2009.
Në Zyrën e Regjistrimit në Sarandë sqaruan se vetë pronari ka konstatuar që në sipërfaqe të veçanta të pronës së pretenduar e të fituar me gjyq prej tij, kanë rezultuar mbivendosje trojesh. Kjo ka bërë, sipas punonjëseve të kësaj zyre, që jo e gjithë sipërfaqja të regjistrohet në emrin e ish-pronarit. Kështu na e shpjeguan se përse kjo sipërfaqe ka pësuar zbritje. “Në dosje ka zënë vend edhe një deklaratë e ish-pronarit Delvina, sipas së cilës ai ka hequr dorë nga pjesa me mbivendosje”, na sqaruan. Përfundimisht, akti hipotekor në emër të tij përmban sipërfaqen 599268 metra katrorë, duke zbritur nga pretendimet fillestare rreth 1 hektar truall. Këtë praktikë në zyrën përkatëse në Sarandë e quajnë normale dhe të aplikuar edhe në mjaft raste të tjera, me argumentin se “asnjë nga ish-pronarët nuk ka interes të përballet me konflikte pronësore dhe gjithkush është i prirur t’u shmanget atyre”.


Pranohet edhe se ky nuk është rasti i vetëm i përplasjeve mes pronarëve dhe ish-pronarëve dhe se nuk dihet se sa herët mund të kenë nisur përçapjet dhe aplikimet e ish-pronarit në fjalë, që kanë mundur të dalin në sipërfaqe në muajt e fundit të vitit që kaloi. Argument ka qenë: dihet se sa mund të zgjatet në kohë shqyrtimi i pretendimeve të ish-pronarëve.


Sipas nëpunësve të ZRPP në Sarandë, ka një handikap të madh, që e lë gjithnjë të hapur mundësinë e riskut të pronarëve të rinj me vendime të qeverisjes vendore. Ky handikap, sipas tyre, qëndron në faktin se në Sarandë ka munguar dhe vazhdon të mungojë harta e azhornimit të pronave. Kësaj mangësie na thanë se do t’i jepet fund pas disa muajve, pasi kjo është sipërmarrje e një firme austriake, nënkontraktuesit e së cilës e kanë nisur punën. “Vetëm pasi të përfundojë harta e azhornimit nuk do të ketë më hapësira për “të panjohura” e të papritura. Ajo do të shpallet paraprakisht dhe qytetari do të ketë mundësi të krahasojë identitetet dhe vendosjen e truallit të vet kundrejt dokumentacionit të saktë”, thanë zyrtarët e Sarandës.


Në ZRPP në Sarandë nuk pohojnë se rasti në fjalë ka futur qytetarët në alarm. Ndërkohë që na thonë se ka pasur prej tyre që kanë shkuar në këto zyra për t’u informuar për azhornimin e trojeve sipas vendimeve të këshillit bashkiak të vitit 1999, por askush nuk ka paraqitur ndonjë ankesë.








#