Laureta Rryçi

Në rastet kur zotërohet përkohësisht një pronë e paluajtshme, duhet të bëhet regjistrimi në hipotekë për të përfituar “tapinë në përdorim”. Ky dokument do ta cilësonte personin që ka marrë pasurinë e paluajtshme si pronar i përkohshëm dhe personin që do të njihej ligjërisht për kryerjen e veprimeve ndaj kësaj pasurie. Zakonisht tapitë në përdorim më tepër janë përdorur nga bizneset që kanë shfrytëzuar jo vetëm ish-ndërmarrjet.
Për çdo titull “në përdorim” që është dhënë për pasuri të paluajtshme, pronë e shtetit, krijohet një kartelë e veçantë dhe pasqyrohet në hartën treguese të pasurive të paluajtshme. Zotëruesi i titullit “në përdorim” shënohet në seksionin përkatës, ndërsa në seksionin e pronarëve si pronar i kësaj pasurie të paluajtshme shënohet shteti. Çdo kontratë apo dokument tjetër që ka efekt mbi të drejtat mbi pasuritë e paluajtshme paraqiten për regjistrim jo më vonë se tridhjetë ditë nga koha e realizimit të tij. Nëse një dokument paraqitet për regjistrim më vonë se 30 ditë nga data e realizimit të tij, atëherë, përveç tarifës së regjistrimit për çdo ditë vonesë që ka kaluar nga kjo datë, duhet të paguhet një tarifë shtesë e barabartë me 10 për qind të tarifës së regjistrimit.
Certifikatat
Me kërkesë të pronarit të një pasurie të paluajtshme ose të qiramarrësit, të cilit nuk i është lëshuar asnjë certifikatë pronësie ose qiraje, regjistruesi i lëshon pronarit një certifikatë pronësie ose qiraje, sipas rastit, në formë të shkruar, duke pasqyruar të gjitha informacionet që ndodhen në kartelën e kësaj pasurie dhe që kanë efekt mbi pasurinë e paluajtshme apo mbi kontratën e qirasë. Për çdo pasuri të paluajtshme, të regjistruar në kartelën përkatëse, për pronësi, hipotekim apo për kontrata të ndryshme që janë realizuar mbi këtë pasuri, lëshohet vetëm një certifikatë. Certifikata e pronësisë, e qirasë apo e hipotekës është dëshmi e vlefshme për çështjet që tregohen në të, ndërsa pasuria e paluajtshme, kontrata e qirasë apo hipotekës u nënshtrohen të gjithave atyre që janë shkruar në kartelë si në rastin kur këto shënohen në certifikatë, ashtu dhe kur nuk shënohen. Data e lëshimit të certifikatës së pronësisë, qirasë apo hipotekës shënohet në kartelë.
Regjistrimi
Kontrata e qirasë për një pasuri të paluajtshme, për një periudhë kohore deri në nëntë vjet, nuk është e detyrueshme të regjistrohet. Çdo kontratë qiraje për një pasuri të paluajtshme, me zgjatje kohore më shumë se 9 vjet, duhet të regjistrohet në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë së paluajtshme të qiradhënësit. Kur një kontratë qiraje është për pjesë të pasurisë së paluajtshme, atëherë kartela ekzistuese e pasurisë së paluajtshme mbyllet dhe hapen kartela të reja për pjesën/pjesët, që është/janë dhënë me qira dhe për pjesën/pjesët e pasurisë së paluajtshme që mbetet/mbeten, si dhe bëhen shënimet përkatëse në hartën treguese të pasurive të paluajtshme. Në këto raste, në zyrën përkatëse të regjistrimit të pasurive të paluajtshme depozitohet certifikata e pronësisë së pasurisë që do të ndahet.
Ankimet
Pala ankuese, brenda 30 ditëve nga dita e marrjes së njoftimit të këtij vendimi, udhëzimi, urdhri, përcaktimi ose akordimi nga kryeregjistruesi, mund të njoftojë regjistruesin me anë të një formulari të caktuar për synimin e tij për t'i bërë ankim gjykatës përkatëse kundër vendimit, udhëzimit, urdhrit, përcaktimit ose akordimit. Me marrjen e njoftimit të ankimit, regjistruesi përgatit dhe i dërgon gjykatës përkatëse, me një kopje të informacionit të kryeregjistruesit dhe të ankuesit dhe çdo personi tjetër që është në regjistër e që atij i duket se lidhet me ankimin, një raport të shkurtër në lidhje me çështjen në fjalë. Kur pala ankuese i kërkon regjistruesit t'ia kalojë çështjen gjykatës, kjo palë depoziton te regjistruesi shumën e nevojshme për të mbuluar shpenzimet e përgatitjes së dokumenteve.
Në kartelën e pasurisë së paluajtshme të prekur nga ankimi duhet të bëhet një shënim se një ankim drejtuar kryeregjistruesit ose gjykatës është në pritje për zgjidhje dhe çdo tjetërsim duhet t'i nënshtrohet këtij shënimi.


Certifikatat e humbura ose të prishura


Në rast se një certifikatë që ka marrë çdo person i interesuar sipas Nenit 28 ka humbur ose është prishur, ai mund t'i kërkojë regjistruesit ku ndodhet pasuria e paluajtshme lëshimin e një certifikate të re, duke paraqitur të dhëna të mjaftueshme që regjistruesi të bindet për humbjen ose prishjen e certifikatës së mëparshme. Në rast se ai bindet lidhur me këtë fakt dhe pasi publikon një njoftim që ai e sheh të përshtatshëm, regjistruesi lëshon një certifikatë të re duke bërë shënimin përkatës në kartelë. Kur gjendet certifikata e humbur, ajo i dorëzohet regjistruesit për asgjësim.

Pezullimi i regjistrimit

Në qoftë se një person propozon një marrëveshje për një pasuri të paluajtshme të regjistruar, mund të bëjë një kërkesë te regjistruesi i zonës përkatëse me pëlqimin me shkrim të pronarit, për të pezulluar veprimet për transaksione të tjera të kësaj pasurie. Regjistrimi i çdo dokumenti tjetër lidhur me këtë pasuri të paluajtshme pezullohet për një afat (i cili quhet afati i pezullimit) prej 15 ditësh nga koha kur miratohet nga regjistruesi dhe në pajtim me këtë bëhet shënimi në kartelë.
Regjistrimi i çdo dokumenti lidhur me pasurinë e paluajtshme që përfshihet në këtë marrëveshje pezullohet për një afat (i cili quhet afati i pezullimit) prej 15 ditësh nga koha kur paraqitet kërkesa dhe aprovohet nga regjistruesi dhe në pajtim me këtë bëhet shënimi në kartelë. Në rast se brenda afatit të pezullimit paraqitet për regjistrim një dokument i vlefshëm nga personi që kërkon pezullimin, ky dokument ka përparësi ndaj çdo dokumenti tjetër që mund të paraqitet për regjistrim gjatë këtij afati të pezullimit.


11 Janar 2010