Dokumenti që merret dhe procedura që ndiqet në varësi të pronës dhe kërkesës


Laureta Rryçi



Tiranë - Me kërkesë të pronarit të një pasurie të paluajtshme ose të qiramarrësit, të cilëve nuk u është lëshuar asnjë certifikatë pronësie ose qiraje, regjistruesi i lëshon pronarit një certifikatë pronësie ose qiraje. Sipas rastit, në formë të shkruar duke pasqyruar të gjithë informacionet që ndodhen në kartelën e kësaj pasurie dhe që kanë efekt mbi pasurinë e paluajtshme apo mbi kontratën e qirasë. Për çdo pasuri të paluajtshme, për çdo kontratë qiraje apo hipoteke lëshohet vetëm një certifikatë. Certifikata e pronësisë, e qirasë apo e hipotekës është dëshmi e vlefshme për çështjet që tregohen në të, ndërsa pasuria e paluajtshme kontrata e qirasë apo hipotekës i nënshtrohen të gjitha atyre që janë shkruar në kartelë si në rastin kur këto shënohen në certifikatë ashtu edhe kur nuk shënohen. Data e lëshimit të certifikatës së pronësisë, së qirasë apo hipotekës shënohet në kartelë.

Efekti i regjistrimit

Menjëherë pasi pasuria e paluajtshme të jetë regjistruar, çdo transaksion i mëtejmë që ka të bëjë me të drejtat mbi të, duhet regjistruar në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Regjistrimi i një pasurie të paluajtshme i jep personit si individ, si bashkëpronar apo si përfaqësues i familjes, të drejtën për të disponuar këtë pasuri të paluajtshme në përputhje me ligjin. Çdo pronar që fiton një pasuri të paluajtshme, kontratë qiraje ose hipotekë, prezumohet se është njoftuar për çdo shënim në regjistër lidhur me pasurinë e paluajtshme, kontratën e qirasë ose hipotekën.

Certifikatat e humbura

Në rast se një certifikatë që ka marrë çdo person i interesuar ka humbur ose është prishur, ai mund t’i kërkojë regjistruesit ku ndodhet pasuria e paluajtshme lëshimin e një certifikate të re, duke paraqitur të dhëna të mjaftueshme që regjistruesi të bindet për humbjen ose prishjen e certifikatës së mëparshme. Në rast se ai bindet lidhur me këtë fakt dhe pasi publikon një njoftim që ai e sheh të përshtatshëm, regjistruesi lëshon një certifikatë të re duke bërë shënimin përkatës në kartelë. Kur gjendet certifikata e humbur, ajo i dorëzohet regjistruesit për asgjësim. Çdo person mund të shohë, konsultojë apo kontrollojë çdo kartelë dhe mund të kërkojë një kopje të vërtetuar të saj, çdo pjesë të hartës treguese të regjistrimit, çdo dokument pronësie apo plan rilevimi të depozituar në zyrën e regjistrimit, duke paraqitur një kërkesë me shkrim dhe kundrejt një tarife të caktuar. Kopje të kartelës të vërtetuar nga regjistruesi, pjesë të hartës treguese, të një plani rilevimi ose dokumenti pronësie të depozituar në zyrën e regjistrimit pranohet si e barazvlefshme me origjinalin në të gjitha veprimet dhe çështjet me të dhe për të gjithë personat ose palët përderisa nuk është provuar e kundërta





Dokumenti që merret në Hipotekë



ZYRA E REGJISTRIMIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME



CERTIFIKATË



PËR VËRTETIM PRONËSIE



Zyra e regjistrimit _____________, Zona kadastrale nr._______

Numri i pasurisë ______________________, vol. _________ faqe ___________

Adresa e pasurisë ___________________________________________________________________________

Lloji i pasurisë _________________

Sipërfaqja Totale _______,

Nga kjo: Sa truall ________, nga kjo: sa ndërtesë ___________

N.q.s. pallat: Kuota e pjesëmarrjes _______ për qind.



kjo certifikatë lëshohet për të vërtetuar që

Zoti (zotërinjtë)

Emri, atësia mbiemri Pjesa Adresa

__________________________________________ __________________________________________

__________________________________________



- është pronar i _________________________________________________________

- janë pronar të _________________________________________________________

- është përfaqësues i familjes e cila zotëron pronën

- (bashkëpronarë sipas pjesëve si më lart)



Kjo certifikatë plotësohet në përputhje me ligjin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.



Kjo certifikatë lëshohet sipas kërkesës së paraqitur nga i (të) interesuari(t) më datë _________________, nr._________.



Data e lëshimit të certifikatës.

______________________



Box



Procedura për regjistrimin në varësi të shërbimit



Regjistrimi i kontratës së qirasë

Kontrata e qirasë për një pasuri të paluajtshme për një periudhë kohe më të vogël se një vit nuk kërkohet që të regjistrohet. Çdo kontratë tjetër qiraje për një pasuri të paluajtshme duhet të regjistrohet në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë së paluajtshme të qiradhënësit. Në qoftë se një kontratë qiraje me një zgjatje kohore një vit ose më shumë është për një pjesë të një pasurie të paluajtshme shtetërore, atëherë kartela ekzistuese e pasurisë së paluajtshme mbyllet dhe hapen dy kartela të reja, një për pjesën që është dhënë me qira dhe një tjetër për pjesën tjetër të pasurisë së paluajtshme që mbetet. Gjithashtu, bëhen shënimet përkatëse në hartën treguese të pasurive të paluajtshme.



Regjistrimi i hipotekave

Hipotekimi kërkon regjistrimin e hipotekës në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë të paluajtshme ose një pjese të saj që përdoret si garanci për detyrimin, regjistrimin e personit, në favor të të cilit ajo krijohet, si pronar të saj dhe depozitimin e dokumentit në dosje. Zbatohen rregullat për regjistrimin e pasurive të paluajtshme.



Regjistrimi i hipotekës ligjore

Me regjistrimin e pasurisë së paluajtshme, regjistruesi duhet të bëjë regjistrimin e hipotekës ligjore të rrjedhur nga një kontratë shitje në seksionin e duhur të kartelës të pasurisë së paluajtshme që shitësi ka mbi këtë pronë.



Fshirja e hipotekës

Regjistruesi në bazë të kërkesës me shkrim të paraqitur në formën e përcaktuar nga ligji vendos fshirjen e regjistrimit të hipotekës kur janë plotësuar kushtet sipas dispozitave përkatëse të Kodit Civil. Kërkesës duhet t’i bashkëngjitet akti që justifikon fshirjen e hipotekës. Veprimet përkatëse nënshkruhen nga regjistruesi.



Regjistrimi i titujve “në përdorim”

Për çdo titull “në përdorim” që është dhënë, për pasuri të paluajtshme pronë e shtetit, do të krijohet një kartelë e veçantë si dhe të pasqyrohet në hartën treguese të pasurive të paluajtshme. Zotëruesi i titullit “në përdorim” shënohet në seksionin përkatës ndërsa në seksionin e pronarëve si pronar i kësaj pasurie të paluajtshme shënohet shteti.



Regjistrimi i pasurisë së paluajtshme të fituar me parashkrim fitues



Regjistrimi i një pasurie të paluajtshme të fituar me parashkrim fitues bëhet me paraqitjen para regjistruesit të një kopje të vendimit të gjykatës, të fitimit të pasurisë së paluajtshme me parashkrim fitues. Në përputhje me këtë vendim, regjistruesi regjistron si pronar të pasurisë së paluajtshme personin që e ka fituar atë me parashkrim fitues.



Regjistrimi i kalimit të pronësisë me anë të ligjit, me vendim të gjykatës apo të një akti administrativ

Në rastet kur shteti, personi fizik ose juridik ka fituar të drejtën e pronësisë mbi një pasurie të paluajtshme, ka lidhur një kontratë qiraje ose ka vënë hipotekë në bazë të ligjit, vendimit të gjykatës apo të aktit të një organi administrativ, regjistruesi mbështetur në këto akte që personi i interesuar ja paraqet, bën regjistrimin duke shënuar pronar shtetin, personin fizik ose juridik që i ka kaluar e drejta e pronësisë.







24 Korrik 2009