Në bibliotekën e universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër gjendet një kopje origjinale e librit të Marin Barletit, "Historia de Vita et Gestis Scanderbegi Epirotarvm Principis", i cili është shtypur në Romë. Kjo kopje e rrallë, e shkruar në latinisht, gjendet në bibliotekën e universitetit pas një rruge të gjatë, përmes një librarie antikuariatesh nga Italia. I mbushur plot me të dhëna interesante, në këtë origjinal të botimit të Romës, fillim i shekullit XVI, ka një vulë interesante; letra/karta e shtypshkrimit është e stampuar me një figurë që inkuadron një kurorë mbretërore; në faqen e fundit të Librit XIII gjendet një alfabet latin, një pjesë kjo që nuk ishte botuar në përkthimin shqip, bazuar në botimin latinisht në Gjermani në vitin 1537.



Libri origjinal në Shkodër dhe të rejat që zbulon ai



Ky libër origjinal i botimit të Romës, në fillim të shekullit XVI, aktualisht është fond i bibliotekës së universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër. Edhe më përpara ka qenë fond i Bibliotekës së Institutit të Lartë Pedagogjik Shkodër, sikurse shihet edhe nga disa vula të asaj biblioteke. Kapakët e kopertinës kanë një veshje të rëndomtë dhe të pakujdesshme. Do të ishte e nevojshme që t‘i bëhej një restaurim, në qoftë se ata janë të origjinalit, ose përndryshe duhet menduar për një kopje të ngjashme me origjinalet e tjera. Në faqen e brendshme të kapakut të përparmë ka një fletë të shkruar të ngjitur, nga ku informohemi se kjo kopje origjinale, në rrugëtimin e saj, ka ardhur nga Italia, duke pasur si stacion një librari antikuariatesh. Fleta shkruan: Libreria Antiquaria di Dario Giusseppe Rossi Corso, 33-40. Kjo fletë adrese është një stampë e porositur shtypshkronje, e cila, siç duket, u ngjitej librave të kësaj librarie. Mirëpo për fatin e keq, kësaj adrese i mungon informacioni se cilit qytet i përkiste kjo librari dhe se në çfarë vitesh kishte funksionuar. Gjetja e kësaj adrese fillimisht, për të synuar pastaj në ndonjë hetim edhe më të thellë, detyrimisht duhet kërkuar nga ndonjë lidhje me specialistë italianë në Itali. Pasi ka mbërritur në Shqipëri, kjo kopje origjinale, sikundër vërtetohet nga disa vula, ka qenë pronë e një biblioteke, e cila në vulat e saj shënohet si "Biblioteca Miss. Vol. Alb.", pra "Biblioteka e Misionarëve Vullnetarë Albanezë/Shqiptarë". Nga sa na kumton ish-bibliotekari, prof. W.Kamsi (i cili e ka blerë këtë libër nga një person civil), kjo bibliotekë ka qenë një organizim i misionarëve vullnetarë katolikë shëtitës nëpër malësitë e veriut, me një fillesë qysh nga një kohë e hershme e shekullit XIX e deri aty te viti 1914. Në frontespicin e njohur tashmë, ky botim, në pjesën e djathtë poshtë, ka një vulë, e cila, sado me mjaft vështirësi, na lejon të shprehemi (me dyshim?) se është një shqiponjë biqefale me një kurorë mbretërore në mes dhe me një yll të Davidit në mes të trupit të shqiponjës. Sigurisht se kjo vulë do të kërkonte një teknikë më moderne. Në qoftë se kjo vulë nuk rezulton e ndonjë kronologjie të vonë të shekullit XIX, atëherë mbetet e hapur edhe hipoteza se mbase i përkiste një libri e vule të ish-pasardhësve Kastriotë. Le të qëndrojmë edhe pak te kjo faqe. Siç njihej me kohë, në krahun e majtë të minigrafikave ka dy shqiponja të puthitura. Specialistët heraldistë italianë kishin shprehur një mendim se kjo paraqitje e përzgjedhje ishte bërë nga ilustratorët e shtypshkronjës, nga improvizimet e formatet shtampë që kishin ata dhe nuk kishte lidhje me ndonjë përzgjedhje të vetë porositësit të librit, me këtë rast Barletit. Një vërejtës e kishte menduar si një kopje nga një punim në dru, si një ish-ilustrim i një skene homerike, ku përplaseshin dy shqiponja. Dr. M.Zeqo kishte shprehur një opinion se kjo shqiponjë duhej të ishte një nga heraldikat më të hershme e origjinale të familjes Kastrioti, sipas përzgjedhjes e dëshmisë së vetë Barletit. Më së fundi, edhe pse e kishte konstatuar qysh nga vitet ‘70, A.Luka është shprehur se ndoshta kjo lidhej si një shqiponjë e fisit alban-epirot, në objektet shtiza me shqiponja me derdhje, të cilat te M.Barleti në disa raste na paraqiten në bashkëshoqërim si dy objekte të veçanta: si "flamurë e shqiponja" krahas ndarjes antike në flambularë-bajraktarë. Në krahun e djathtë shihet edhe mirënjohura ujkonjë e Romës me dy binjakët, Remin dhe Romulin, e cila ishte e mirënjohur edhe në Iliri, jo vetëm nga monedhat e shumta romake, por me gjasa edhe nga legjendat më të hershme persiane, për Kirin e Persisë, të cilin gjithashtu e kishte ushqyer një bushtër-ujkonje (Kjo kërkon një trajtim më vete). Karta/letra me të cilën është shtypshkruar në latinisht libri i M.Barletit, sipas një opinioni të shprehur nga vizitori dr. Musa Ahmeti, ka gjasa se mund të jetë disi më e vjetër se sa koha e shtypshkrimit. Bazuar te pamjet në dritën e diellit na ka rezultuar se të gjitha letrat janë të stampuara dhe ndër të gjitha ato dallohet një figurim në formë shqyti, që inkuadron një kurorë mbretërore. Këtë për t‘u siguruar ne e kemi fotografuar me aparat dixhital. Nisur nga ky fakt, mendojmë se kjo kartë/letër është e porositur posaçërisht. Gjithashtu, duke u bazuar te ky fakt, ne kemi arritur në mendimin se letra nuk mund të jetë shumë kohë më e vjetër se sa shtypshkrimi, në atë përmasë të ekzagjeruar që e ka menduar dr. Musa Ahmeti. Gjithsesi, kjo do të kërkonte një ekspertizë të specializuar. Ky botim, në fund, në faqen ku përfundojnë komplet të XIII librat/kapitujt, sikurse edhe mund të konstatohet nga skanimi, ka të regjistruar edhe germat e alfabetit latin, paraqitje kjo që nuk ka figuruar në botimet e përkthimit shqip. Në libër ka edhe tek-tuk ndonjë mbishkrim me dorë nga përdoruesit, siç duhet të jetë i vonë një datim i vitit 1508, i shkruar me dorë. Duke gjykuar disi, për arsyen e vendosjes së alfabetit latin në fund, ndonëse duket si pa lidhje, mendja na shkon pak më larg, në vitin 1367, kur "Magister Johani, doktor në gramatikë, deklaron, se premton dhe detyrohet kundrejt presbiterit Andre të Shën Palit dhe Pultit, se do ta mësojë nipin e tij Nikollën të lexojë e të shkruajë mirë, sipas mënyrës tregtare, dhe do t‘i mësojë atij Donatin dhe Katonin që të dijë t‘i përkthejë..." ("Acta et Diplomata", II, 233, sipas origjinalit latinisht). Dhe është shumë e qartë se ky djalosh shkruan albanishte/shqipe me germa latine si "shkrimin tregtar" dhe më pastaj mësohet të përkthejë nga latinishtja në shqip. Po kështu, për të rikujtuar: "Dhe sado që ata albanët kanë një gjuhë tjetër fare të ndryshme nga ajo latine, megjithatë ata kanë në përdorim, si edhe në të gjitha librat e tyre, alfabetin/shkronjat latine". (Rel. i Kryepeshkopit të Tivarit, më 1332, "Bur. të Zgj. për ‘Historia e Skënderbeut‘", Vëll II, 1962, Dok. Nr. 68, f. 111). Për ta përforcuar, po kujtojmë faqen 222 të "Historia e Skënderbeut", ku Barleti e nënvizonte termin "Qytetërimi Alban" ose faqen 255, ku e nënvizonte fjalën "në gjuhën albanese". Ka ardhur koha që disa tabu të thyhen, sepse qytetërimi ilir, alban, dardan e epirot, të cilët lidhen në një etnos, sado me objekt të kufizuar, në monedha, terrakota etj., siç mendon studiuesi A.Luka, e kishte filluar shkrim-këndimin me alfabet, pothuajse në një hap bashkëkohor me të gjithë Mesdheun. Do të ishte e pafalshme të na humbë ndër sy e ndër duar e turi, karta e identitetit tonë të lashtë!



Përse dhe në cilin vit u botua libri i Barletit



Në gazetën "Shkodra", në dhjetor 1999, studiuesi shkodran Agron Luka publikoi një studim të titulluar "Përse dhe në cilin vit u botua libri i rilindësit evropian M.Barleti, ‘Historia de Vita et Gestis Scanderbegi Epirotarvm Principis‘" të cilin e kishte sinjalizuar dhe e kishte diskutuar me prof. I.Zamputi dhe prof. Dh.S.Shuteriqin, së paku qysh nga viti 1983. Në këtë publikim, studiuesi pati fare pak mundësi ta konsultonte këtë origjinal me sy të lirë në bibliotekën e universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër. Në studim kundërshtoheshin pikëpamjet dhe interpretimet e disa autoriteteve se ky libër, të cilin ne e kemi bërë si zakon ta quajmë shkurtimisht "Historia e Skënderbeut", ishte shkruar për t‘i nxitur alban/shqiptarët për kryengritje të reja antiturke të panumërta, në lidhje me disa premtime për organizimin e një Kryqëzate të Re, nga Vatikani, etj. Studiuesi Luka solli argumente dhe fakte duke vërtetuar të kundërtën, se në kohën konkrete nuk kishte asnjë lloj shprese të tillë, as në situatën politike dhe as në vetë shkrimin dhe bindjen e Barletit. Qëllimi kryesor i Barletit dhe i të gjithë bashkatdhetarëve që e kishin nxitur, ndihmuar, përkrahur dhe që madje i ishin lutur për ta shkruar këtë libër, ka qenë për ta përjetësuar në histori tërë epopenë e lavdishme dhe qytetërimin alban-epirot së bashku me heroin e tyre, si një detyrim për qytetërimin progresist rilindës evropian dhe pastaj për një sërë qëllimesh e detyrash të tjera fisnike që ky kolos ia linte porosi brezit të pasardhësve. Me gjithë gjendjen e rëndë, Barleti ishte optimist se ky popull kaq i lashtë, megjithatë nuk do të zhdukej, por do të mbijetonte. Në pjesën tjetër, studiuesi Luka diskutoi në lidhje me vitin e botimit të "Historia e Skënderbeut". Sipas pikëpamjes së autorëve F.Pall, F.Noli, S.Prifti, Dh.S.Shuteriqi etj., vepra mendohej se ishte botuar midis viteve 1508-1510. Noli e mendonte në vitin 1506, ndërsa studiuesi shkodran M.Prendushi e linte të hapur çështjen e vitit të botimit, duke theksuar se data nuk mund t‘i vendosej arbitrarisht, përderisa vetë botimi nuk e përmbante. Studiuesi Luka, duke hulumtuar brenda rreshtave, në të dy botimet e njohura të Barletit ("Rrethimi i Shkodrës" dhe "Historia e Skënderbeut"), solli citime të disa pasazheve, të cilat i kishin shpëtuar vëmendjes analizuese të studiuesve të deriatëhershëm. Në këtë mënyrë ai solli disa arsyetime që e lëkundnin dukshëm çështjen e botimit më 1508-1510 dhe ndoshta e spostonin disi përtej vitit 1514. Me këto pohime, nuk vihej në dyshim se "Historia e Skënderbeut" ishte shkruar mbas Rrethimi i Shkodrës", pra mbas vitit 1504. Çështja tashti mbetej se kur dhe sa vjet mbas 1504, kishte filluar ta shkruante dhe ta dërgonte për botim M.Barleti librin "Historia e Skënderbeut"? Në "Historia e Skënderbeut", f. 51, libri I, në parathënie Barleti shkruante: "Ka shumë vjetë tanimë që unë, - ju them sinqerisht të vërtetën - po e bëj zap këtë dëshirë për të shkruajtur, po hedh poshtë lutjet e shumta të miqve, të cilët ma kërkonin këtë me ngulm... megjithëqë nuk pushojnë së botuari çdo ditë (më falni për shprehjen) Fjalime të reja dhe Kujtime të panumurta, gjer në ç‘përdorim...". Kështu, sipas këtij pohimi, dilte menjëherë arsyetimi logjik: sa vite mbas 1504, duheshin kuptuar këto "shumë vjetë", në të cilat Barleti e kishte bërë zap dëshirën për të shkruar? Mund të quheshin "shumë vite" dy vitet e Nolit, apo ato 4 vitet deri te 1508-ta?! Kronologjia e vitit 1508 ishte nxjerrë nga autori rumun F.Pall, sipas kësaj të dhëne të Barletit: "Tani siç marr vesh, pasi himarjotët thirrën me dëshirën e tyre nga Apulia, trupat dhe flamujt e spanjollëve kanë njohur një prijës dhe kanë filluar një mënyrë jetese më të kulturuar". Pra, këtë ngjarje a kryengritje antiturke, F.Pall e datonte si e ndodhur në janar 1508. Mirëpo në qoftë se kjo ngjarje rezultonte kështu, duhet të logjikojmë se jemi vetëm te lib. II, f. 97 dhe nuk duhet të harrojmë se kemi përpara edhe plot XI libra/kapituj, plot 397 faqe të tjera! Përse Barleti duhej ta vinte këtë të dhënë kronologjike midis rreshtave dhe nga ana tjetër nuk vendosi asnjë të dhënë tjetër kronologjike?! Me këtë rast, vepra po shkruhej e po botohej pjesë-pjesë, domethënë libra-libra?! Por, kjo kronologji e vitit 1508 nuk ishte aq absolute, pasi nuk dihej se kur i kishte rënë në vesh ky lajm Barletit, flakë për flakë, apo më vonë. Pastaj kishte mundësi që kjo lëvizje himarjote të kishte ndodhur edhe më vonë dhe me atë kuptoheshin pak a shumë një formë venomesh. Siç e thamë, nga 1508 duheshin edhe XI libra të tjerë, që ishin edhe më të gjatët e më të vështirët. Edhe vetë ajo "mënyra e filluar e kulturuar e jetesës" e presupozonte një farë kohe apo jo. Në vitin 1508, kur ta zëmë se kishte filluar së shkruari Barleti, vërehej se nuk gjendeshin as fjalime as kujtime të botuara, të cilat ai i kishte përmendur. Këto do të fillojnë nga 1510 e përtej, me shkrimin dhe botimin e Gjenealogjisë së Gjon Muzakës. Për të hedhur në diskutim edhe një hipotezë alternative, studiuesi A.Luka kishte gjetur dhe krahasuar dy episode në veprën "Rrethimi i Shkodrës", bot. 1504 dhe në "Historia e Skënderbeut", pa datë botimi. Të dy këto episode lidheshin me Sulltan Bajazitin II, 1481-1512. Në "Rrethimi i Shkodrës", f. 54, shkruhej: "Mehmeti II ishte i jati i këtij Bajazitit II, që sundon sot" dhe kjo ishte fare normale, sepse Bajaziti II ishte gjallë. Ndërkaq, në veprën "Historia e Skënderbeut", f. 56, Barleti shkruante: "Kulti i rreptë i dervishëve, në kohën kur mbretëronte Sulltani Bajaziti II, duke dalë nga rruga e tyre dhe duke bërë krime në shumë vende, për këtë u zhdukën dhe u ç‘farosën krejt prej tij". Kështu, meqenëse këtu flitej për Bajazitin II dhe në kohën e shkuar, duhet të kemi parasysh se Bajaziti II kishte vdekur më 1512. Meqenëse këtu me këtë episod jemi te libri I, si arsyetim kronologjik do t‘i binte që libri të ishte futur në shtypshkrim, përtej 1512 dhe ndoshta edhe përtej 1514!



Vepra "Historia e Skënderbeut" nuk pati datë botimi! Ky libër ishte një ndërmarrje krejtësisht private. Ai i kushtohej "Princit shumë të ndritur të Epirotëve Donferrnd, nipit të Skënderbeut". Pra nuk kemi asnjë lloj kushtimi ndaj ndonjë personaliteti të lartë të Romës dhe as të Vatikanit! Të vërejmë se, libri "Rrethimi i Shkodrës" i kushtohej Princit Leonard Loredanit, Dogjës së Venedikut dhe vetë Senatit të Venedikut! Pra ka një dallim të dukshëm, apo jo! Përse ky mister pa datën e botimit në "Historia e Skënderbeut", kur te "Rrethimi i Shkodrës" data shënohej e saktë, 10 janar 1504?! Prof. Dh.S.Shuteriqi mendonte dhe e shprehte hapur se "Historia e Skënderbeut" në Romë qe futur në një lloj indeksi censurues nga Vatikani! Analizuesit që ne i sipërpërmendëm shpreheshin se shënimi në fund të librit: "Impressum Romae per B.V." duhej shpjeguar: "Shtypur në Romë prej Benetus de Vitalibus", ku për inicialet B.V. mendohej se duhej të ishte po i njëjti botues që kishte shtypur librin "Rrethimi i Shkodrës". Dhe, përse botuesi duhej me iniciale, kur te "Rrethimi i Shkodrës" prezantohej me emër të plotë?! Mos kjo B.V. mund të ishte edhe "Biblioteca Vaticana"?