Sot ndoshta është disi në hije, pa masivitetin e merituar, me mungesë të theksuar të tifozëve në tribuna, por edhe në krizë financiare. Megjithatë, volejbolli mbetet një prej sporteve, për të mos thënë sporti më i suksesshëm kolektiv në Shqipëri. Për atë që përfaqëson kjo disiplinë, por edhe për arritjet ndër vite, në treg është libri “Historia e Volejbollit Shqiptar”, ku pasqyrohet periudha 65-vjeçare, nga viti 1945 deri më 2010-ën.

Ky është libri me përmbledhjen më të gjërë në Ballkan, ndërsa siç e thekson edhe autori, Petrit Shehu, ai plotëson vakumin e historikut të sportit shqiptar në përgjithësi, e më specifikisht të volejbollit.

Përmbledhja është bërë e mundur falë bashkëpunimit me figura të volejbollit shqiptar, si Leonard Tase, Vangjel Koja, Kreshnik Tartari e Ylli Tomori. Nëpërmjet këtij libri sigurohen edhe rreth 24 vjet historic I volejbollit shqiptar që mungonte në arkiva, ndërsa vlerësohet sporti që falë emrave të mëdhenj si Farie Hoti, Ela Tase, Irini Miftiu, Asllan Rusi, Napolon Llalla, Dashamir Fagu, Petrit Muzaka, Vangjel Koja, Kreshnik Tartari e shumë të tjerë kulmin e kishte me medaljen e artë në Lojërat X Mesdhetare në Latakia të Sirisë, ndërsa në vitet 1955 dhe 1959, ekipi kuqezi është renditur i 11-ti dhe 10-ti në Kampionatet Europiane. Autori flet edhe për tabutë që ky sport theu në vendin tonë.

Libri është i ndarë në katër kapituj: duke nisur nga fillimet e volejbollit në Shqipëri, nga 1945 deri më 1960, e deri te periudha 1990-2010, që jo rastësisht titullohet “Në kërkim të traditës”. Përveç fituesve të kampionateve dhe kupave ndër vite për meshkuj e femra, skedave me rezultatet teknike të takimeve ndërkombëtarë, etiketimeve të figurave më të rëndësishme të këtij sporti, në libër paraqiten edhe edhe materiale që tregojnë historinë e hershme të mbërritjes së volejbollit në Shqipëri, prej viti 1920 nga Qemal Frashëri, diplomat i atashuar në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe tentativat e Dhimitër Kere mësues në Dardhë të Korçës, që u mësonte nxënësve bazat e volejbollit.