Autori i Lajmit: Tonin Alimhilli
Këmba këmbës afrohet dita e ethshme e zgjedhjeve, rëndom palët rivale në takimet e gjera elektorale gjuajnë njëra - tjetrën me romuze shpesh të devijuara nga normat morale, çka të kujton oratorinë e heronjve të antikitetit para ndeshjeve fatale të atyre kohëve. Dhe mediat në vlagën më të mirë të tyre propogandojnë e reklamojnë parashikimet e sondazheve deri me sigurinë e orakujve të tempujve të moçëm apo të plakave që lexojnë fatet në filxhanet e kafesë. Kështu, pra fushata elektorale vazhdon, ajo nuk do t ia dijë kërcënimit të krizës ekonomike globale. Zhurma, reklamat, shpenzimet e rënduara, tendosja e shpërfytyrimi i temperamentit të oratorëve të cilët komunikojnë më shumë me gjeste se sa me fjalë, të gjitha këto krijojnë atmosferën e ngjashme me atë të cirkut. Pas këtyre shfaqjeve patjetër lind pyetja: si është e mundur gjithë ajo grintë deri në pasion histerie, cudi ky deformim i njeriut për një karrige politike? Po idealizmi ku është përse nuk mund ta shoh? Një zë i brendshëm më thotë lehtë: atë e kanë mbyllur në cmendinë. Në mes dilemave dhe ironisë, homo-sapiensi shqiptar përjeton fushatën elektorale, ditët marramendëse rrokullisen si gotat me alkool, data e madhe e zgjedhjeve sigurisht do të arrijë e njëra nga dy partitë e mëdha të vazhdimësisë shpallet favorite për të qeverisë vendin. Gabohemi nëse mendojmë se u arrit fundi i dramës apo i komedisë zhurmëmadhe disa mujore. Fillon një etapë tjetër tepër interesante madje përcaktuese, del në skenë problemi i domosdoshmërisë së koalicioneve për të siguruar numrin e nevojshëm të kartonave që zyrtarizon qeverinë e re. Në këtë rast partive të vogla parlamentare i troket fati në derë jo aq për portofolet qeveritare që mund t i premtohen se sa për vendosjen e prestigjit të tyre të mohuar atëhere kur dy partitë e mëdha në marrëveshje dashakeqe ndryshuan kushtetutën dhe kodin zgjedhor në disfavor të ekzistencës të partive të tjera. Në këtë situatë postzgjedhore partitë e vogla parlamentare mobilizohen për t i treguar mbarë elektoratit shqiptar ekspansionin e lartë politik që disponojnë në përcaktimin e qeverisjes së vendit. Natyrisht ato kërkojnë të përfitojnë dhe kredo ndërkombëtare ndaj para zyrtarizimit të kualicionit me partinë e madhe përkatëse do të konsultohen, ndofta në mënyrë informale me organizma të rëndësishme perëndimore të atashuara në vendin tonë. Meqënëse duam të integrohemi në familjen europiane, diplomacia euro-atlantike monitoron rreptë ecurinë demokratike të politikës sonë si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Miqtë perëndimorë kohët e fundit ndoshta kanë arritur të vërejnë një teprim të autokracisë në partitë e mëdha. Në sistemin zgjedhor proporcional lidershipi i këtyre partive gjen terren të volitshëm për të manifestuar vesin e trashëguar të monokracisë pasi ky sistem elektoral sipas shijes së liderit paraprakisht përcakton në limitet prej fitores deri në humbje të secilit kandidat për deputet. Këtë mundësi kaq abuzive nuk e siguronte sistemi i mëparshëm maxhoritar pasi në mes të tij qëndronte konsiderata e elektoratit që hidhte votën për emra konkretë. Thuhet, por dhe besohet se së fundi ka ndodhur monopolizimi total i listave të kanditaturave vetëm me vullnetin e liderve, çka do të sjellë në parlamentin e ardhshëm oborrtarë të heshtur, të bindur e të dedikuar ndaj prijësve të tyre. Kjo do të thotë që ekzekutivi të vejë në vartësi të tij pushtetin legjislativ më konkretisht vet kryeministri i pritshëm. Politika perëndimore është tepër e ndijshme ndaj shpërfilljes të rregullave demokratike jo vetëm në funksionimin formal të shtetit por dhe brenda partive sepse nga aty buron ajo, ndaj institucionit moniturues ndërkombëtar mund të japin mesazhin për spostimin e x apo y nga kryesimi i qeverisjes. Kushtet e tyre duhen marrë seriozisht në konsideratë, ato pa tjetër duhen respektuar sepse mund të realizohen nëpërmjet faktorit të domosdoshme për koalicion “Partitë e vogla parlamentare”, por dhe me mënyra te tjera sic është largimi ose mungesa e deputetëve të quajtur të “Kalit të Trojës” të cilët asnjëherë nuk i kanë munguar grupeve parlamentare. Tani më duket se do të kemi më shumë të tillë pasi zgjedhja e tyre është bërë pa një test institucional. Të presim kush do të qeshë i fundit në këto meseletë e pafund të politikës shqiptare?!

Ky lajm është publikuar: 26/05/2009