Djaloshi i artë i futbollit shqiptar, Jahmir Hyka është rikthyer në Shqipëri për pushimet e fundvitit. Nga Tirana në Mainz jeta e Hykës nuk ka ndryshuar së tepërmi pasi 20﷓vjeçari tregon që preferon të njëjtin stil jetese edhe pse Gjermania ofron mundësi të shumta. Klubet e natës nuk janë të preferuat e tij ndërsa tregon që kohën e lirë e kalon duke konsumuar ndonjë kafe pasditeve apo duke udhëtuar në ndonjë rast drejt Frankfurtit qytet i afërt me Mainzin. Hyka flet dhe për të ardhmen e tij duke theksuar që preferon të qëndrojë te Mainzi dhe jo të jepet në fomë huaje në ndonjë ekip tjetër.



Në përfundim të kampionatit keni qëndruar në pritje te ofertave. Diçka më konkrete për këtë periudhë pritje që do të vendostë të ardhmen tuaj?



Pasi mbaroi kampionati dhe më përfundoi kontrata me Tiranën ishte një periudhë tepër delikate pasi do të vendosej e ardhmja ime. Kishte ardhur koha që unë ta firmosja për një klub europian dhe të largohesha nga kampionati shqiptar për tu rritur më tepër si lojtar. Ka qenë një periudhë jo e lehtë pasi ofertat kanë qenë të shumta dhe nga ekipe me mjaft emër. Flitej për shuma të mëdha parash për transferimin tim dhe kjo nuk ishte diçka e lehtë. Mu desh të vendosja atë që mu duk oferta më e mirë. Besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur.



Pse zgjodhët Mainz dhe jo Dinamon e Zagrepit që kishte këmbgulur më tepër për tju afruar në skuadër?



Gjermania është një shtet shumë i madh dhe dëshira ime ishte të kaloja në një kampionat të tillë edhe pse jo në bundesligën e parë. Gjykova që transferimi tek Mainz do më shërbente së tepërmi në rritjen timë si futbollist dhe besoj se kam gjykuar drejt. Në rast se do të kisha zgjedhur të luaja për Dinamon e Zagrepit në një të ardhme të afërt do të më kishte lindur dëshira për të provuar të luaja në Gjermani. Mendova që nëse do të kaloja fillimisht në kampionatin gjerman më pas me kalimin e kohës do të kisha mundësi më të mira zgjedhje. Uroj që kjo të ndodhi në të ardhmen



Kushtet që gjete në Mainz?



Kushtet janë mëse optimale për një futbollist profesionist dhe jam shumë i kënaqur nga gjithçka që më ka ofruar klubi është në standartet më të larta. Kam një shtëpi në të cilën banoj dhe një makinë me të cilën lëviz nga stërvitja në shtëpi apo dhe kur më duhet të dal apo të vizitoj Frankfurtin apo dhe ndonjë qytet tjetër në Gjermani. Kushtet në stërvitje janë shumë të mira dhe çdo gjë, dua ta theksoj është në perfeksion.



Fillimisht, gjatë fazës përgatitore me Mainzin apo dhe në ndeshjet miqësore ku jeni aktivizuar u mendua që do të ishit një lojtar stabël në formacion por diçka e tillë nuk ndodhi. Arsyet?



Fillimisht kur u afrova në këtë ekip gjërat ishin disi më ndryshe pasi u aktivizova rregullisht gjatë fazës përgatitore e gjithashtu dhe në ndeshjet miqësore por gjërat ndryshuan disi më vonë. Ndoshta dhe unë u demoralizova pak pasi nuk arrita të kapja formacionin që në fillim dhe ndoshta kjo besoj ka ndikuar negativisht. Mainz është në vënd të parë në Bundesligën e dytë dhe mundësitë janë të shumta për tu ngjitur në sezonin e ardhshëm në të Bundesligën e parë. Ndoshta deri në këto momente nuk ka qenë shumë i nevojshëm aktivizimi im. Nuk e di. Dua të theksoj dhe faktin që ndikoi jo mirë ajo shkëputje që unë bëra gjatë periudhës që u grumbullova me kombëtaren e më vonë mora dhe një dëmtim që ende nuk e kam lënë pas. Nuk jam në formën time më të mirë dhe më duhet të punoj ende për të kapur kondicionin e duhur. Besoj se do të arrijë që në vazhdimësi të aktivizohem më tepër.



Raporti me shokët e ekipit?



Kam raporte mjaft të mira me të gjithë lojtarët e tjerë të Mainz por kjo nuk do të thotë që shoqërohem me të gjithë. Konsumojmë ndonjë kafe apo dhe dalim shpesh pas ndeshjeve apo stërvitjeve gjëra normale që i kam bërë dhe në Shqipëri kur luaja këtu. Shokë kam dy futbollistë që njëri është nga Algjeria dhe tjetri nga Bosnja. Janë të dy myslyman dhe ndoshta kjo ka ndikuar që të krijojmë më tepër afrimitet me njëri tjetrin.



Raporti me tifozerinë dhe fansat?



Kam raport mjaft të mirë me të gjithë tifozët e ainz dhe dua ta theksoj faktin që kur shkova për herë të parë jam entuziasmuar së tepërmi nga pritja që më bënë. Mainz ka një tifozeri të mrekullueshme dhe kjo më ka bërë të ndihem mjaft mirë. Fansat?!(qesh) Jap shumë autografe në ditë dhe kjo të bën të ndihesh i vlersuar së tepërmi. Në moshën timë është diçka tepër e bukur dhe që të emocionon. Besoj se me kalimin e kohës dhe kur të filloj të aktivizohem rregullisht do ti fitoj zemrën më shumë dhe do të kem më tepër punë me fansat



Jeta në Mainz jashtë fushave të lojës?



Bëj të njëjtën jetë që bëja dhe këtu në Shqipëri para se të largohesha. Zgjohem në mëngjes dhe pasi ha diçka dal pi ndonjë kafe me ndonjë shok. Më pas stërvitje edhe pse më kërkuat të flas për jetën jasht fushave të lojës skam çbëj pasi jeta ime është e lidhur ngushtë me futbollin. Në stërvitje qëndroj deri në orën 6 të pasdites e më pas sërish ndonjë kafe apo të dalur në qytet. Ka ditë që kur kam kohë të lirë udhëtoj drejt Frankfurtit për të kaluar pak kohë atje.



I frekuenton klubet e natës?



Nuk jam i dhënë pas klubeve të natës dhe nuk kam qenë edhe para se të transferohesha në Gjermani. Jam besimtar dhe kam disa parime të miat. Nuk po them që nuk shkoj por nuk është se e bëj këtë gjë së tepërmi. Ka raste kur kam pushim apo mund të dal dhe shkoj në ndonjë klub me ndonjë shok. Pimë diçka, jo alkol pasi nuk e është për mua dhe më pas sërish kthehem në shtëpi për të pushuar.



Kohën e lirë si e organizoni?



Nuk është se kam shumë kohë të lirë pasi stërvitemi shumë por kur kam mundësi siç e thash dal me ndonjë shok, të cilët i kam të pakët. Udhëtoj drejt Frankfurtit që është afër me Mainzin dhe gjëra të tjera normale që bëjnë të gjithë në jetën e përditshme.



Tani që hapet merkato e dimrit do të kërkoni të transferoheni diku tjetër i huazuar për tu aktivizuar më tepër?



Dëshira ime është të qëndroj këtu ku jam pasi ndihem mjaft mirë. Dua të luftoj për të kapur një vënd në formacion dhe nuk preferoj të lëviz në ndonjë ekip tjetër. Nuk dua më të huazohem diku dhe më pas të rikthehem sërish. Është lodhje diçka e tillë. Duhet kohë sa të përshtatesh me lojën e një ekipi dhe nuk më pëlqen të bëj më aventura.



Keni pasur oferta gjatë kësaj kohe?



Zyrtarisht në klub apo dhe tek mua nuk ka ardhur asnjë ofertë. Kam dëgjuar se më kërkojnë disa klube por besoj se janë vetëm fjalë në një periudhë të tillë para hapjes së merkatos.



Preferencat e Hykës për ndonjë klub të mundshëm ku mund të transferoheni në janar?



Tani jam me pushime në Shqipëri dhe kur të rikthehem në Mainz do të flas me drejtuesit e klubit e së bashku do të vendosim diçka konkrete për të ardhmen time. Në rast se do të vendosin të më huazojnë diku do të preferoja të qëndroja në bundesligën gjermane. Besoj se do të qëndroj aty ku jam dhe nuk do të lëviz.



Kampionati shqiptar vlen si opsion në rast huazimi?



Diçka e tillë është e pamundur të ndodhi pasi do ta quaja një hap pas për karrierrën timë si futbollist. Unë u largova gjatë verës dhe nuk e mendoj një rikthim në Shqipëri.



Keni pasur mundësi ta ndiqni kampionatin Shqiptar?



Nuk është se e kam ndjekur rregullisht por me sa mundësi kam pasur e kam parë. Besoj se këtë vit do tëjetë një kampionat i fortë dhe lufta për titull do të zhvillohet mes tre skuadrave, Tirana, Vllaznia, Teuta.



Kush mendon se do të shpallet fitues në fund?



Dëshira ime është që të shpallet Tirana dhe uroj të ndodhi diçka e tillë. Vllaznia është rivalja kryesore por nuk mbetet pas dhe Teuta që për sa kam pasur mundësi të shoh ka krijuar një grup mjaft cilësor me djem të rinj. Besoj se fituesi do të shpallet në javën e fundit të kampionatit.



Një opinion për ish ekipin tuaj Tiranën?



Tirana nuk po kalon një formë të mirë në këtë periudhë por besoj se do ti gjejë forcat për tu rikthyer në krye të tabelës së klasifikimit. Vjet, kam kaluar një vit mjaft pozitiv me këtë ekip dhe më ka shërbyer mjaft në rritjen time si futbollist. Tirana, është ekipi më i mirë në Shqipëri megjithse në këto dy vitet e fundit nuk ka kaluar një moment të mirë por shpresoj që në të ardhmen të marrë atë që meriton. Gjej rastin ti falenderoj të gjithë ata që më kanë mbeshtetur gjatë vitit të kaluar kur luajë për ngjyrat bardheblu pa harruar tifozerinë e Tiranës që më ka përkrahur në çdo moment.



Në kombëtare keni humbur vëndin e titullarit në dy ndeshjet e fundit. Si ndihesh për këtë?



Kombëtarja është tjetër gjë nga ekipet me të cilat aktivizohesh rregullisht. Për të gjithë futbollistët është një kënaqsi e madhe dhe një emocion i veçantë të veshësh fanelën e përfaqsueses. Unë do të jem i gatshëm për kombëtaren sa herë që do të më ftojnë të jem pjëse e ekipit dhe do të pranojë çdo detyrë që do më japin. Kur të jem i nevojshëm për tu aktivizuar do ta bëj me kënaqsinë më të madhe. Në dy ndeshjet e fundit nuk kam qenë në formën më të mirë fizike pasi kam pësuar një dëmtim.



Sa larg mendon se do të shkojë ky grup lojtarësh në këtë fazë eleminatoresh?



Besoj se i kemi dhënë provat që kemi një ekip mjaft cilësor dhe mund të bëjnmë jo pak në arenën ndërkombëtare. Kemi arritur rezultate pozitive ndaj kundërshtarevë më të fortë ku dua të veçoj barazimet me Suedinë dhe Portugalinë që do ti konsideroja si goxha sukses. Kemi bërë një hap fals në ndeshjen kundër Hungarisë ku nuk duhet të kishim dalë pa pikë nga ai takim por besoj se do të kemi mundësinë të rikuperojmë në të ardhmen pikët e lëna në atë ndeshje. Besoj se ky grup lojtarësh i ka mundësitë të bëjë jo pak në të ardhmen dhe pse jo mund të shpresojmë edhe për ndonjë kualifikim të mundshëm për finalet e botërorit në Afrikë. Do të ishte një ëndërr e bërë realitet.



Diçka më tepër jasht futbollit. Hobi juaj dhe ndonjë pasion i jasht fushës?



Futbolli është pasioni im më i madh. Unë nuk është se kam pasione të shumta në jetë. Jam besimtar i fesë myslymane dhe falem pesë herë në ditë. Besoj shumë dhe falë këtij besimi kam arritur jo pak në jetë. Hobi kam edhe kompjuterin dhe gjatë kohës së lirë merrem shumë me të. Kaloj shumë kohë edhe në face-book.



Me cilin ekip ëndërroni të luani në të ardhmen.



E kam thënë dhe më parë që do dëshira ime më e madhe është të luaj për Milanin ekip me të cilin jam tifoz. E kam ëndërr diçka të tillë dhe shpresoj që në një të ardhme jo të largët të realizohet. Shpresoj





Dëmtimi - Hyka pësoi një dëmtim gjatë ndeshjes Hungari﷓Shqipëri në muajin tetor dhe ende nuk është rikuperuar plotësisht. Stafi mjeksor i Mainzit e ka udhëzuar të kryejë fillimisht një fazë rekuperuese pasi është një dëmtim që kërkon kohë që të lihet pas dhe të mos e rëndojë së tepërmi këmbën e dëmtuar. Në shtatorin e vitit të ardhshëm, nëse gjërat shkojnë mirë do të Hyka do të jetë plotësisht i gatshëm dhe në kondicionin më të mirë. Në fillimin e vitit të ardhshëm Hyka do të jetë në gjëndje të aktivizohet rregullisht por duke treguar kujdes ndaj kaviljes së dëmtuar.





Jeta ne Mainz - Para se të largohesha drejt Mainzit kalova një periudhë jo të lhtë pasi kisha shumë oferta, bëhej fjalë për shuma të mëdha dhe në moshën time është disi e vështirë. Para se të zgjidhja Mainzin kisha oferta nga disa ekipe. Dinamo e Zagrepit në Kroaci më kërkonte me ngulm. Mynih 1860, Freiburg dhe Mainz në Gjermani më kërkuan dhe në fund vendosa për Mainz 05 dhe nuk jam penduar për këtë zgjedhje që bëra. Gjermania si shtet më intrigonte më tepër se Kroacia ndaj dhe zgjodha të luaja atje. Kushtet në Mainz janë mëse ideale dhe klubi më ka vënë në dispozicion një shtëpi në të cilën banoj dhe një makinë me të cilën lëviz. Mainz është një qytet i vogël dhe të gjithë më njohin. Kam raporte të shkëlqyera me tifozët e ekipit dhe me fansat. Jap shumë autografe në ditë dhe kjo është diçka mjaft e bukur. Me të gjithë shokët e ekipit shkoj mjaft mirë por kjo nuk do të thotë që kam shoqëri me të tërë. Me një Algjerian dhe një nga Bosnja kam më tepër afrimitet pasi na bashkon dhe besimi në fenë islame. Jeta këtu në Mainz nuk ndryshon shumë nga ajo jetë që bëja në Tiranë. Dal pak dhe stërvitem shumë pasi jeta ime është e lidhur ngushtë me futbollin. Besoj në fenë islame dhe falem 5 herë në ditë.



Kompjuteri është hobi im dhe kaloj shumë kohë para tij. Kombëtarja është një emocion i veçantë për çdo futbollist dhe jam i gatshëm sa herë që do të më bëhet ftesa për të veshur ngjyrat kuqezi të përfaqsues. Ëndrra ime është që në një të ardhmë jo të largët të luajë për Milanin ekip me të cilin jam dhe tifoz. Shpresoj që kjo dëshirë e madhe e imja të më realizohet.





Aktivizimi - Që pas transferimit tek Mainz, Jahmir Hyka është aktivuar vetëm në 5 ndeshje pjesërisht. Hyka tek Mainz për 3.5 milion euro, ishte transferimi më i bujshëm në verën e këtij viti përsa i përket lojtarëve shqiptare. Edhe pse nuk është aktivizuar rregullisht në ekipin që kryeson bundesligën e dytë gjermane për lojtarin 20-vjeçar mund të konsiderohet sukses transferimi në një kampionat të një niveli të lartë.



Ofertat - Zyrtarisht për Hykën nuk ka asnjë ofertë por interesimi është mjaft i madh nga klube të ndryshme në Gjermani dhe jo vetëm. Interes kanë shprehur disa klube austriane, greke dhe zviceriane për të marrë shërbimet e 20-vjeçarit në gjashtë muajt e ardhshëm me formulë huazimi.



Marre nga gazeta "Sport Ekspres"




E Shtune, 20 Dhjetor 2008