SHKRUAN: Jonida Tashi 31-03-2011 13:42

Kandidati ka të drejtë të japë provimin e shtetit jo më shumë se 5 herë. Nevojiten 50 pikë për të marrë notë kaluese. Ja si do të testohen kandidatët për marrjen e licencës për ushtrimin e profesioneve




Studentët e diplomuar nga viti 2009 e më tej, që i kanë kryer studimet në degë që janë profesione të rregulluara me ligj, do të duhet t’i nënshtrohen këtë vit provimit të shtetit, për të marrë licencën e ushtrimit të profesionit. Bëhet fjalë për të gjithë studentët e diplomuar në: Farmaci, Mjekësi, Stomatologji, Infermieri, Mami, Fizioterapi, Veterineri, Arkitekturë, Inxhinieri, Mësuesi, si dhe në disa degë të tjera që ofrojnë shërbime për popullatën, që, për të marrë një licencë si profesionist, duhet t’i nënshtrohen një provimi me shkrim dhe me gojë. Tashmë ka hyrë në fuqi rregullorja “Për organizimin e provimeve të shtetit për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, çka do të thotë se brenda këtij viti, të gjithë të diplomuarit në një nga profesionet e rregulluara me ligj, duhet t’i nënshtrohen provimit të shtetit për të marrë të drejtën e ushtrimit të profesionit. Në datën 22 shkurt të këtij viti ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka nxjerrë një urdhër për miratimin e kësaj rregulloreje, që është botuar dje në Fletoren Zyrtare. Në këtë rregullore janë detajuar të gjithë hapat që duhet të ndjekin të diplomuarit në profesione të licencuara, që nga regjistrimi për të marrë pjesë në provim, deri te marrja e të drejtës së ushtrimit të profesionit. Sipas rregullores, provimi i shtetit organizohet dhe zhvillohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), përmes Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP), në bashkëpunim me ministrinë e fushës përkatëse. Kandidatët, të cilët dëshirojnë të njësojnë dëshmitë apo të transferojnë njohuritë profesionale nga institucionet e tjera, ose të përsërisin provimet, i paraqesin kërkesat e tyre pranë autoritetit kompetent përkatës. Ndaj dhe përmbajtja e provimit të shtetit do të hartohet në përputhje me fushën e veprimtarisë profesionale. Pas përfundimit me sukses të provimit të shtetit, kandidatit i jepet titulli profesional përkatës. Ndërkaq, do të përjashtohet nga detyrimi për të dhënë provimin e shtetit profesionisti që, me hyrjen në fuqi të ligjit nr.10 171, datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, ushtron ose ka ushtruar një profesion të rregulluar; profesionisti, i cili fiton të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar jashtë Republikës së Shqipërisë, në përputhje me përcaktimet e Këshillit të Ministrave. Sipas rregullores së miratuar nga MASH, provimi i shtetit do të organizohet çdo vit, brenda periudhave kohore: java e tretë e nëntorit deri në javën e dytë të dhjetorit; java e parë deri në javën e tretë të majit. Ndërsa programi orientues i provimit do të bëhet i njohur nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) jo më vonë se 4 muaj përpara provimit. Po ashtu, MASH ka përcaktuar edhe rregullat e vlerësimit të kandidatëve në provimin e shtetit, ku minimumi i pikëve që duhet për ta kaluar me sukses është plot 50 pikë. “Provimi me shkrim vlerësohet si i kryer me sukses, nëse kandidati merr jo më pak se 50 pikë nga 100 të mundshme. Rezultati i provimit shpallet nga AKP-ja dhe UP-ja. AKP-ja i përcjell UP-së listën e rezultateve të provimit të shtetit, ku përfshihen: nota dhe pikët e provimit; kufiri i kalimit me sukses. Procesverbali i rezultateve firmoset nga të gjithë anëtarët e Komisionit të provimit të shtetit. AKP-ja mban një bazë të dhënash për të gjitha provimet e kryera”, - përcaktohet në rregullore. Kandidatët që nuk do të arrijnë të marrin sasinë e nevojshme të pikëve kaluese, pra më pak se 50 pikë, ekziston mundësia e përsëritjes së provimit. Sipas rregullores, kandidati ka të drejtë të japë provimin e shtetit jo më shumë se pesë herë. Kur provimi është kryer me sukses, nuk lejohet të përsëritet. Pas provimit, kandidati ka të drejtë të verifikojë përgjigjet e dhëna dhe të ankimojë, nëse ka kontestime për rezultatin. Për këtë, kandidati paraqet ankesën me shkrim, pranë AKP-së, brenda 5 ditëve nga shpallja e rezultateve. AKP-ja shqyrton ankesën dhe kthen përgjigje të argumentuar brenda 30 ditëve. Në rastet kur AKP-ja sugjeron rivlerësimin e rezultatit, kërkohet vendimi i Komisionit të Provimit të Shtetit. Ndërsa për rastet kur një kandidat nuk paraqitet në provim ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer. Në këto raste kandidatit i mbahet tarifa e paguar. Rregullorja përcakton se tërheqja nga provimi i shtetit nuk mund të kryhet pas hyrjes në sallën e provimit.



Vlerësimi i provimit


Për vlerësimin e provimit të shtetit përdoret shkalla e mëposhtme e vlerësimit:


Kandidati vlerësohet me notën 10 (shkëlqyeshëm) nëse merr 95-100 pikë.


Kandidati vlerësohet me notën 9 (shumë mirë) nëse merr 85-94 pikë.


Kandidati vlerësohet me notën 8 (mirë) nëse merr 75-84 pikë.


Kandidati vlerësohet me notën 7 (kënaqshëm) nëse merr 65-74 pikë.


Kandidati vlerësohet me notën 6 (mjaftueshëm) nëse merr 55-64 pikë.


Kandidati vlerësohet me notën 5 (kalueshëm) nëse merr 50-54 pikë.


Kandidati vlerësohet me notën 4 (jokalueshëm) nëse merr më pak se 50 pikë.


Provimi i shtetit cilësohet i kryer me sukses, nëse në provim kandidati është vlerësuar së paku me notën 5 (kalueshëm). Kandidati i vlerësuar me notën 4 (jokalueshëm), përsërit provimin.



Provimi i shtetit organizohet çdo vit, brenda periudhave kohore: java e tretë e nëntorit deri në javën e dytë të dhjetorit; java e parë deri në javën e tretë të majit.



Provimi me shkrim vlerësohet si i kryer me sukses, nëse kandidati merr jo më pak se 50 pikë nga 100 të mundshme




Dokumentet, regjistrimi dhe pranimi në provim


1. Pranimi i kandidatëve në provim bëhet vetëm nga MASH-i. Ai përcakton datën dhe


qendrën e zhvillimit të provimit.


2. Kandidati regjistrohet për të dhënë provimin e shtetit pas diplomimit, pranë Urdhrit


Profesional (UP) ose në mungesë të UP-së, pranë autoritetit kompetent përkatës.


3. Kërkesa për regjistrim bëhet me shkrim. Kërkesa e shoqëruar me dokumentacionin e


kërkuar për regjistrim dorëzohet jo më vonë se një muaj para datës së përcaktuar për zhvillimin e provimit.


4. Lista e kandidatëve që plotësojnë kriteret për të kryer provimin e shtetit dërgohet nga UP-ja në MASH, pas konfirmimit nga ministria përkatëse, brenda 15 ditëve nga përfundimi i regjistrimeve.


5. Pjesëmarrja në provimin e shtetit, me shkrim ose me gojë, lejohet vetëm nëse kandidati


ka marrë provimin e diplomës universitare, të parashikuar në ligjin nr.9741, datë 21.5.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.


6. Kërkesës për regjistrim duhet t’i bashkëngjiten dokumentet e mëposhtme:


a) Formulari i aplikimit;


b) Fotokopje e letërnjoftimit;


c) Fotokopje e noterizuar e diplomës së studimeve universitare e kërkuar nga autoriteti


kompetent për profesionin respektiv;


d) Fotokopje e noterizuar e suplementit të diplomës, e lëshuar nga institucioni i arsimit të


lartë;


e) Dëshmia e pjesëmarrjes në praktikën profesionale (ose fotokopje e noterizuar e saj), e


lëshuar nga UP-ja ose në mungesë të UP-së, nga autoriteti kompetent për kryerjen e praktikës, ku përcaktohet edhe kohëzgjatja. Për kandidatët e programeve të studimeve në mjekësi, stomatologji,farmaci, infermieri, mami dhe fizioterapi kërkohet edhe dëshmia e kursit të ndihmës së shpejtë;


f) Raporti mjeko-ligjor;


g) Dëshmi penaliteti;


h) Vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale;


i) Fatura e pagesës për provimin e shtetit;


j) 2 fotografi të formatit të pasaportës.


7. Dokumentacioni i mësipërm i kërkuar në shkronjat “b”, “c”, “d”, “e” të pikës 6


dorëzohet vetëm në regjistrimin e parë dhe shërben edhe për regjistrimet pasardhëse, në rast përsëritjeje të provimit të shtetit.


8. Nëse ekzistojnë fakte që justifikojnë refuzimin e kandidatit për shkak të mungesës apo


pavlefshmërisë së njërit prej kritereve të parashikuara në këtë rregullore, atëherë autoriteti


kompetent ka të drejtë të kërkojë dokumente shtesë.


Refuzimi i pranimit në provim


Kandidati nuk pranohet në provim nëse:


a) nuk zotëron diplomën e studimeve universitare të kërkuar nga autoriteti kompetent për


profesionin respektiv;


b) ka dorëzuar dokumentacionin e parashikuara deri në momentin e aplikimit;


c) është rrëzuar 5 (pesë) herë në provimin e shtetit;


d) plotëson kriteret e parashikuara në ligjin nr.10 171, datë 21.10.2009 “Për profesionet e


rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, në dispozitat e kësaj rregulloreje dhe ato të përcaktuara nga autoritetet përkatëse.