Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikës japin shifra shqetësuese për muajin janar, pasi edhe importet edhe eksportet kanë shënuar rënie. Të dhënat tregojnë se rënia ka qenë më e fortë në kahun e eksporteve. Në raportin mbi tregtinë e jashtme përgjatë muajit janar, i cili u publikua nga INSTAT konstatohen shifra shqetësuese të eksport- importeve çka dëshmon për ndikimin e drejtpërdrejtë të krizës globale mbi ekonominë tonë.

Në të dhënat e publikuara nga INSTAT ritmi i eksporteve përgjatë muajit janar është ulur në nivelin 11.6% krahasuar me janarin e vitit paraardhës dhe 4.5% në raport me dhjetorin e 2008. Më e thelluar paraqitet rënia e importeve në vend, ku sipas buletinit të publikuar nga INSTAT gjatë këtij muaji importet kanë rënë me 35.5% krahasuar me dhjetorin e 2008 çka do të thotë një rënie e theksuar e konsumit në vend. Rënia e eksport- importeve ka thelluar deficitin tregtar në vend. Rënie më të madhe të eksporteve e kanë shënuar materialet e ndërtimit në masën 32%. Gjatë këtij muaji kanë shënuar ulje të ndjeshme importi i të gjithë grupeve të mallrave, si makineritë e pajisjet në masën 42.1%, produktet kimike dhe plastike në 39.2% si dhe grupi i produkteve ushqim, pije dhe i duhanit. Ndërkaq rënia e importeve përmirëson edhe defiçitin tregtarë i cili për muajin janar arriti në 21 milionë lekë. Italia dhe Greqia mbeten partnerët kryesor në import-eksport.