Jorida Tabaku: PD-ja do fitojë, Shqipëria ka pësuar ndryshime të jashtëzakonshme 


Kandidatja për deputete e PD-së në kryeqytet: Vendin e presin sfida shumë të rëndësishme të cilat mund të përballohen me sukses vetëm nën drejtimin e një ekipi serioz dhe të sprovuar. Lista jonë më përfaqësuese, ja përse Tirana dhe shqiptarët do të votojë për ne


Viti 2009 do të ishte për 29 - vjeçaren Jorida Tabaku, nëse mund ta themi në gjuhën popullore, viti i korrjes së asaj fare që e reja tiranase kishte mbjellur falë investimit të saj intelektual dhe politik, por edhe duke marrë “shpërblimin” për familjen e saj e cila ndonëse në 50-vjet të regjimit komunist ishte përndjekur, në vitet e pluralizmit nuk ishte përfaqësuar aq sa duhej. Ndonëse angazhimi i saj pranë qeverisjes së PD-së në nivel ekspertize ka qenë gjatë gjithë mandatit të saj të parë në vitet 2005-2009 këtë vit Jorida do të mund të realizonte atë për të cilën kishte punuar dhe ëndërruar: Angazhimin direkt të saj në qeverisje dhe politikë por për Kabinetin Berisha të cilin ajo e quan shumë të suksesshëm. Këtë vit zonja Tabaku ka marrë doktoraturën në ekonomi, është emëruar zv/ministre nga kryeministri Berisha si dhe është kandiduar në Tiranë, qytetin e saj të lindjes si kandidate për deputete e PD-së, forcës politike së cilës ajo, familja dhe fisi i Tabakëve i kanë dhënë vazhdimisht mbështetje gjatë 18 viteve të pluralizmit. Për këtë ndihet mirë, e vlerësuar dhe krenare. 29 - vjeçarja, pinjolle e familjes Tabaku ka mbaruar Fakultetin Ekonomik dhe ka kryer një sërë studimesh pasuniversitare, kryesisht në Angli dhe SHBA, dhe pavarësisht mundësive të paraqitura, asnjëherë nuk e ka marrë në konsideratë mundësinë për t’u rialokuar jashtë vendit. E rritur që e vogël me frymën e djathtë në një intervistë ekskluzive për gazetën “55”, zonja Tabaku rrëfen ambiciet e saj në politikë. Premton se do të jetë mbrojtëse e parimeve të lirive të zgjeruara ekonomike dhe shtetit ligjor duke qenë se janë edhe shtylla të programit të PD-së të cilat sipas saj janë themelore për arritjen e objektivit final të gjithë shqiptarëve, zhvillimit dhe integrimit evropian i vendit. 


- Në harkun kohor prej rreth një muaji, jeni vlerësuar dy herë: së pari duke u emëruar si zv/ministër e Integrimit, dhe së dyti duke kandiduar në qytetin tuaj të lindjes si kandidate për deputete. Si ndjeheni?


Në fakt janë tre, po t’i shtoj edhe një arritje tjetër në planin shumë personal që është marrja e Gradës Doktor i Shkencave në Ekonomi. Sigurisht që është një vlerësim shumë i madh. Vlerësimi vjen për dy faktorë kryesorë; së pari jam e kënaqur sepse është vlerësuar investimi im personal, investimi im profesional që kam bërë gjatë këtyre 9 viteve të fundit. Së dyti më është dhënë mundësia që unë të kontribuoj dhe ti bashkohem këtij ekipi të suksesshëm qeverisës, këtij ekipi fitues, që gjatë këtyre katër viteve ka bërë ndryshime të jashtëzakonshme. Dhe ky është privilegji më i madh, fakti që ndërmjet të gjithë të rinjve që kanë qenë të gatshëm të kontribuojnë, në këtë rast jam përzgjedhur dhe unë.  


- Në fakt angazhimi i të rinjve në në qeverisje ka qenë një prioritet i qeverisë. Ky vlerësim i ardhur nga ana e liderit të Partisë Demokratike dhe kryeministri Berisha, vjen tek ju thjesht si një e re nga shoqëria civile, apo ju keni dhe lidhje me PD-në?


Eshtë e vërtetë që qeveria Berisha iu ka krijuar shumë hapësira të rinjve për tu angazhuar dhe dhënë kontributin e tyre, jo vetëm në qeverisje por duke iu krijuar dhe të tjera hapësira fal reformave të ndërmarra që të mund të realizojnë objektivat e tyre. Në rastin tim mendoj se kam avantazhin që i kam pasur të dyja. Pavarësisht se kam qenë simpatizante, militante e Partisë Demokratike për shumë kohë, kam qenë anëtare e saj që në vitin 2001, nga ana tjetër kam 10 vite që punoj në shoqërinë civile. Nuk i kam përzier asnjëherë këto dy elementë, ashtu siç ka ndodhur me shumë të tjerë. I kam mbajtur të veçuar angazhimin tim me Partinë Demokratike dhe njëkohësisht angazhimin tim me shoqërinë civile. Për këtë arsye besoj se angazhimi im me shoqërinë civile do të më ndihmojë akoma dhe më shumë duke kuptuar edhe një pjesë tjetër të realitetit shqiptar, i cili ndoshta brenda administratës nuk kuptohet. Eshtë e vërtetë se ftesa më ka ardhur nga Kryeministri, por dua të theksoj se kam gjetur një përkrahje dhe mbështetje të gjerë brenda strukturave të Partisë Demokratike, si për postin e zëvendësministres, ashtu dhe vendosjen e emrit tim në listën e kandidatëve për Tiranën. 


- Duke qenë se ju keni qenë e angazhuar me shoqërinë civile, si i keni parë zhvillimet që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre katër viteve të fundit?


Unë i kam parë këto zhvillime jo vetëm nga pikëpamja e shoqërisë civile, por edhe si akademike. Kam bërë shumë studime në terren. Temat e mia të Masterit dhe e Doktoraturës që sapo kam përfunduar, lidhen me bizneset e vogla dhe me nxitjen e sipërmarrjes dhe kjo ka qenë një fushë në të cilën unë kam investuar dhe studiuar shumë në realitetin shqiptar. Pikëpamja ime lidhur me këtë fushë është se, bizneset shqiptare sot e kanë më të lehtë për të bërë biznes se katër vite më parë. Nuk ka më barriera financiare, është përmirësuar me 48 vende pozicioni i Shqipërisë në lidhje me sigurimin e financimit për bizneset e vogla, është reduktuar barriera e krijimit të biznesit, është reduktuar taksa për bizneset. Në të gjithë botën, taksa e sheshtë që është vendosur nga kjo qeveri konsiderohet si promotor zhvillimi dhe njëkohësisht presupozon që do të ndihmojë një grup shumë të gjerë biznesesh. Shembulli më konkret është rritja e numrit të bizneseve të krijuara, vendet e punës të hapura dhe që do të vazhdojnë të hapen. Kjo liri ekonomike, kjo lehtësi e të bërit biznes sigurisht që është faktori më pozitiv. Sigurisht që ka pasur ndryshime të jashtëzakonisht pozitive në shumë fusha, ku dua të përmend bumin infrastrukturor, reformën fiskale, sukseset në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, paketën në mbështetje të fermerëve që do të vazhdojnë edhe në katër vitet e ardhshme, etj., të cilat jo vetëm që mundësuan anëtarësimin në Nato por që e kanë afruar Shqipërinë më shumë se kurrë me BE. Por, ajo që unë dua të vlerësoj krahas investimit në lehtësinë e të bërit biznes, është njëkohësisht dhe sektori i arsimit. Kjo qeveri është fokusuar në këto katër vite, në liberalizimin e arsimit dhe në institucionalizimin e të drejtës universale për arsim. Është një e drejtë që duhet t’i jepet çdo individi. Pastaj e përcakton vetë universiteti, e përcakton vetë tregu i punës se kush është më i mirë dhe kush është më pak i mirë. Por, kjo qeveri ka parimin që tu japë të gjithëve të njëjtat të drejta dhe ky parim i zbatuar si në arsim, si në ekonomi, e në çdo sektor tjetër, ka qenë faktori bazë që ka sjellë një rritje të vazhdueshme ekonomike. 


- Meqë folët për arsimin dhe si akademike besoj keni ndjekur në debatet e fundit televizive, përfaqësues politikë të Partisë Socialiste por dhe specialistë që përkrahin aksiomën e tyre të cilët e kanë parë me shumë dyshim reformën në arsim. Madje kanë shkuar deri atje sa kanë komentuar me ironi përsa i përket liberalizimit të arsimit të lartë me shtimin e numrit të studentëve në universitetet publike apo dhe hapjes së universiteteve private. Cili është komenti juaj rreth këtyre qëndrimeve?


Të dëgjosh një politikan ti thotë rinisë së vendit të tij, dhe më konkretisht të diplomuarve të 4 viteve të fundit, se je e pavlerë dhe e pashpresë dhe se ne do të punojmë për rininë ‘e ardhshme, është njësoj si të dëgjosh një prind t’ja thotë këtë fëmijës së tij, dhe si zgjidhje të bëjë një fëmijë tjetër.  E pra një prind i vërtetë nuk do ta bënte kurrë këtë.  Kjo është shumë e trishtueshme.  Teoritë socialiste në këtë drejtim ngjasojnë si dy pika uji me ato të Partisë së Punës në sistemin plotësisht të centralizuar ekonomik, arsimor dhe të punësimit, ku ishte Partia që vendoste se sa dhe kush do të shkollohej dhe se ku do caktohej në punë kushdo që diplomohej. Partia Demokratike beson tek liria dhe është e bindur se këtë funksion duhet ta kryejë tregu i lirë.  Ajo çfarë ne mendojmë se duhet të ofrojmë janë mundësi të parabarta për këdo që dëshiron të shkollohet.  Sigurisht që zhvillimi i vazhdueshëm i vendit dhe rritja ekonomike do të krijojë mundësi në rritje punësimi dhe do të kërkojë angazhimin e njerëzve gjithnjë e më të shkolluar. Rritja e numrit të studentëve çon vetëm në përmirësimin e tregut të punës. Për ata të diplomuar që ndoshta nuk janë të aftë të punësohen nga bizneset e mëdha apo institucionet të tjera, ne po krijojmë të gjitha lehtësitë që nesër të mund të hapin një biznes të tyre dhe të kthehen në një promotor real zhvillimi. Këto studentë që neve po i çojmë në universitete, do të krijojnë vende të reja pune.  E përmenda dhe pak më parë që, ne si e djathtë kemi disa parime. E drejta universale për studim është një parim bazë, që nuk duhet t’ia mohojmë askujt. Asnjë shqiptar që do të studiojë nuk do të pengohet.  


- Le ti kthehemi edhe një herë sfidës tuaj të fundit. Kandidoni për Parlamentin Shqiptar duke qenë në listën e Tiranës. Meqë vini nga shoqëria civile dhe, politika në momentet kyçe merr nga shoqëria civile pjesën më të mirë të saj, nëse kjo ftesë do t’ju ishte bërë nga një tjetër forcë politike a do e pranonit?


Sigurisht që jo. Parimet dhe bindjet e mija janë të djathta, bazohen tek një shtet i vogël por ligjor dhe liria e individit.  Unë në asnjë moment nuk kam pasur dyshim në politikat e kësaj qeverie, sepse përfaqësojnë bindjet e mija, të familjes sime, të të parëve të mi. Për më tepër unë nuk mund të jem dot me një forcë tjetër politike, kur unë vij nga dy familje të mëdha ish-pronarësh, familje sipërmarrësish të sekuestruar dhe arsimtarësh të përndjekur politikë. Sigurisht që e vetmja alternativë është alternativa e djathtë, që hapi portën e lirisë dhe demokracisë në fillim të viteve ’90 dhe që e ka afruar më shumë se kurrë Shqipërinë me familjen Evropiane në këto katër vite reformash të rëndësishme.


- Duke qenë së vini nga dy familje të mëdha ish-pronarësh dhe të pereskutuarish, për lexuesit por dhe votuesit a mund të dimë më shumë për prejardhjen e Jorida Tabakut? 


Përfaqësoj dy familje shumë të mëdha, familjen Tabaku dhe familjen Turdiu, dhe sigurisht që është një krenari që përfaqësoj listën e Tiranës nën siglën e PD-së. Ndonëse e re në moshë dhe nuk kam arritur që ta jetoj sistemin diktatorial di fare mirë vështirësitë me të cilat është përballur familja ime si dhe shumë familje të tjera shqiptare gjatë atyre viteve. Familja e babait tim ka qenë një ndër familjet që në vitet ’30 ishte angazhuar në ekonominë e tregut. Kishte fabrikën e vetme të sapunit dhe parfumeve këtu në Shqipëri dhe madje eksportonte, por sistemi ia konfiskoi të gjitha pronat. Si mjaft familje të tjera të ngjashme gjatë 50 viteve të regjimit totalitar kanë vuajtur shumë dhe nuk iu dha kurrë vendi i duhur në shoqëri. Ndërsa nga familja e nënës, Turdiu, ka qenë familje arsimtarësh, kanë studiuar në universitetet më të mira jashtë Shqipërisë. Gjyshi im ka qenë i dënuar në Savër të Lushnjës ku me shumë pasion vazhdonte të jepte mësim nga 12 deri në 13 orë në ditë fshatrave të kësaj zone. Sigurisht që vuajtjet dhe aspiratat e familjes sime për sipërmarrjen e lirë dhe arsimin kanë ndikuar mjaft në formimin dhe bindjet e mia.


Nëse mundeni a mund të na komentoni listën e dy ekipeve ose forcave kryesore politike në Tiranë asaj të PD-së dhe PS-së?


Lista e Partisë Demokratike e Tiranës, është lista më përfaqësuese që është bërë. E them këtë sepse, në këtë listë mishërohen më së miri vlerat më të mira të zhvillimit të Tiranës në këto 18 vite. Gjen akademikë të përfaqësuar aty, janë familjet më të mëdhaja tiranase të përfaqësuar atje, është e përfaqësuar administrata, të gjithë ata persona të cilët kanë kontribuuar dhe kanë ndërmarrë reformat e suksesshme qeverisëse të këtyre 4 viteve, janë të përfaqësuar. Gjithashtu, është e përfaqësuar nga pikëpamja e ministrave, jo vetëm lista e Tiranës, por lista e çdo qyteti kryesohet nga ministrat e kësaj qeverie. Ne jemi të gjithë një ekip. Neve që të gjithë plotësojmë njëri-tjetrin, që të gjithë konsiderohemi se i japim kësaj liste një kontribut që nuk e ofron tjetri. Nuk dua të bëj komente për listën e Partisë Socialiste, sepse ndoshta nuk i njoh mirë të gjithë individët dhe nuk e di çfarë kontributi ata kanë dhënë, por sigurisht që kushdo do të ishte dakord me mua që një ushtri pa komandant, nuk ofron gjë tjetër veçse disfatë. Ndërkohë që jam e bindur se forca politike që përfaqësoj me të vërtetë e meriton fitoren, duke pasur parasysh jo vetëm vullnetin e palëkundur dhe arritjet e suksesshme që kemi pasur këto katër vjet, por dhe garancitë e padiskutueshme që ofron për suksesin e programit të PD në katër vitet e ardhshme. Ndoshta sistemi proporcional është i tillë që individi nuk evidentohet, por PD ka bërë të mundur që, krahas partisë, me këtë listë të votohet edhe për individin. 


Nëse do të zgjidheni deputete, çfarë të rejash mendoni se do të sillni në Parlamentin Shqiptar?


Pa mëdyshje që rruga e reformave të suksesshme që kemi ndërmarrë dhe që sollën anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, nënshkrimin dhe ratifikimin e MSA nga të gjitha parlamentet e BE, do të jetë dhe rruga që do të vazhdojmë dhe në katër vitet e ardhshme në mënyrë që në fund të mandatit tonë të dytë ta kemi çuar vendin në prag të anëtarësimit në BE, ndërkohë që kontributi im në Parlament do të jetë pikërisht në mbështetje të zbatimit të programit që do të sjellë këtë. Në veçanti, unë dua të fokusohem shumë tek arsimi, tek çështjet gjinore që kjo qeveri i ka pasur përzemër dhe do vazhdojë t’i ketë. Dua të fokusohem shumë tek bizneset e vogla, nxitja e tyre dhe mënyra se si ne mund të përmirësojmë këtë treg dhe këtë industri që është forca vibrante e ekonomisë shqiptare. Gjithashtu, si mund të përmirësohen marrëdhëniet e shoqërive tregtare. Ka shumë drejtime në të cilat unë mund të kontribuoj, por Parlamentin e ardhshëm e konsideroj pothuajse në të njëjtën frymë që është Parlamenti i sotshëm, por me angazhime akoma më të mëdha, në mënyrë që si fillim, brenda mesit të vitit që vjen të mundësojmë ëndrrën e çdo shqiptari për të lëvizur i lirë në Evropë.. 


- Përse mendoni se do të fitojë Partia Demokratike, dhe duke qenë se jeni me origjinë tiranase, a mendoni se tiranasit do votojnë maxhorancë PD-në?


Unë nuk kam as më të voglin dyshim që PD do të votohet jo vetëm nga ‘tironsit’ por nga të gjithë ata që me mund e me djersë kanë ndërtuar jetën dhe familjet e tyre në Tiranë që sot është e të gjithëve.  Besoj se Partia Demokratike do fitojë  për një sërë arsyesh. Besoj se do të fitojmë për ato që ne kemi arritur, sepse i kemi treguar shqiptarëve që ne dimë të punojmë dhe qeverisim. Besoj se do të fitojmë sepse ne kemi një ekip fitues, kemi një ekip përfaqësues, individë që kanë kontribuar dhe do vazhdojnë të kontribuojnë. Do të fitojmë sepse kemi vërtetuar vullnetin për ta qeverisur këtë vend me ndërshmëri dhe me transparencë. Besoj se do të fitojmë, sepse shqiptarët kanë besim në alternativën e paraqitur nga Partia Demokratike. Dëgjoj shumë argumente si politika e vjetër, politika e re, jemi të lodhur gjatë këtyre 18 viteve, etj, por, në këto 18 vite shqiptarët dinë ta bëjnë mirë dallimin midis 8 viteve të një qeverisje të korruptuar të klasës së vjetër që sot na sjell një politikë ‘të re’ dhe 4 viteve reforma dhe zhvillimi të vazhdueshëm të PD-së. Unë vërtet rrjedh nga një familje autoktone ‘tironse’, dhe kjo gjë jam e bindur që e bën të ndjehet mirë këtë shtresë që besoj se jo vetëm do ta vazhdojë por do ta rrisi mbështetjen e jashtëzakonshme për PD, por së pari jam përfaqësuese e PD e cila do të votohet pasi në të gjejnë mishërim aspiratat për liri, demokraci e integrim të të gjitha shtresave sociale-ekonomike, fetare, demografike e gjeografike të Shqipërisë.   


Sidoqoftë nuk mund të rri pa përmendur faktin që gjatë vizitave të këtyre ditëve në shumë rrugica të vjetra ‘tironse’, më kanë emocionuar shumë takimet me shumë persona që më thonin “ne gjithmonë kemi votuar për PD-në, por tani që je edhe ti aty do të votojmë akoma dhe më shumë”


- Në pozicionin e zv/ministres së Integrimit, shihet që përsa i përket çështjes së integrimit, Shqipëria vazhdon të jetë shumë mirë, kujtojmë këtu anëtarësimin në NATO, nënshkrimin e MSA-së, ftesën për në BE si dhe së fundi, premtimi i qeverisë që brenda vitit të parë të qeverisjes në mandatin e dytë, do të ketë një liberalizim vizash. Sa është e mundur kjo?


Integrimi euroatlantik ka qenë dhe do të jetë prioriteti ynë kryesor. Ka qenë fusha ku ne kemi bërë më shumë dhe ku do vazhdojmë të bëjmë ende shumë. Fakti që ne u anëtarësuam në NATO, sigurisht që është meritë e të gjithë shqiptarëve, por ka qenë nxitja dhe vullneti politik i kësaj qeverie që e bëri të mundur nëpërmjet reformave rrënjësore që ndërmori dhe një lufte pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne po luajmë një rol tjetër tashmë në rajon, ne nuk jemi më aktorë, por po bëhemi faktor dhe njëkohësisht po luajmë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit. Njëkohësisht në lidhje me Integrimin Evropian, është sfida jonë kryesore. Unë, së fundmi në këtë detyrë, po filloj të mësoj shumë se çfarë kemi bërë, çfarë do të bëjmë, ku kemi ecur dhe ku kemi pasur më pak progres. Ajo që mund të them me bindje të plotë është se, të gjitha reformat që ka ndërmarrë kjo qeveri, janë të gjitha në funksion dhe hapa të ndërmjetëm drejt integrimit tonë evropian.  


Ura e Tabakëve dhe përfaqësimi për herë të parë i kësaj familje në politike


Ura e famshme të Tabakëve mbi të cilën kalojmë të gjithë sigurisht që do të ketë lidhje me mbiemrin Joridës. Familja e saj i ka fillimet të hershme, me ndërtimin e kësaj ure që mori emrin nga familja e tregtarëve të pasur të Tiranës, që bën të mundur lidhjen e dy anëve të qytetit. Pas luftës kjo familje u përndoq, iu sekuestruan pronat dhe e futën në rrethin e armiqve të pushtetit. Kjo urë ishte ndoshta e vetmja që të kujtonte emrin e asaj familjeje të madhe, një ndër themeluesit e këtij qyteti.


 


 

...