Autori i Lajmit: Redaksia
Shkrirja e zyrave rajonale të Agjencive të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka detyruar qeverinë që të miratojë rregulla të reja për mënyrën e aplikimit. Gjithashtu, qeveria ka miratuar dje edhe dokumentacionin që duhet të plotësojnë ish-pronarët për të marrë pronën e tyre apo për tu kompensuar. Sipas vendimit, çdo pretendues duhet të plotësojë dokumentacionin e kërkuar dhe më pas duhet të plotësojë edhe një kërkesë që duhet ta dorëzojë në zyrat e AKKP-së që tashmë janë vetëm në Tiranë. Sipas vendimit të djeshëm, subjekti i shpronësuar depoziton drejtpërdrejt ose nëpërmjet postës, në sekretarinë e AKKP-së, kërkesën e motivuar për njohjen, kthimin apo kompensimin e pronës, shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm, sipas këtij vendimi, me të cilin provon pretendimet e tij. Kërkesa e subjektit të shpronësuar duhet të jetë sipas formularit tip, të miratuar nga ministri i Drejtësisë, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së. Formulari tip nënshkruhet nga subjekti i shpronësuar ose përfaqësuesi i tij me prokurë. Formulari tip përmban një paralajmërim, që ngarkon me përgjegjësi sipas ligjit subjektin kërkues, në rast të deklarimit të të dhënave të rreme apo depozitimit të dokumentacionit të falsifikuar.

Dokumentacioni

Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, dosja duhet të përmbajë një dokument shoqërues që vërteton pronësinë e subjektit të shpronësuar, përbëhet nga dokumentacioni ligjor dhe dokumentacioni hartografik. Në çdo rast që subjekti depoziton kërkesë të re, sipas një vendimi gjyqësor përrivendosje në afat, pjesë e dokumentacionit shoqërues është edhe vendimi i gjykatës për rivendosjen në afat. Dokumentacioni ligjor përbëhet, sipas rastit, nga

vërtetimi i pronësisë, shoqëruar me kopje të njehsuar të fletës përkatëse të regjistrit hipotekor, të lëshuar nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për efekt të kthimit dhe kompensimit të pronave; Dokumenti kadastral, shoqëruar me kopje të njehsuar të fletës përkatëse të regjistrit kadastral, pranë zyrave të administrimit dhe mbrojtjes së tokës, në këshillin e qarkut; Vendimi gjyqësor i formës së prerë së bashku me hartën e pasurisë, të vulosura nga gjykata, si dhe akt–ekspertimi, në rast se gjatë gjykimit të çështjes në gjykatë është kryer një i tillë apo të tjerë. Pasi ka plotësuar të gjithë dokumentacionin subjekti i shpronësuar paraqet, pranë AKKP-së, kërkesën e motivuar për kompensimin e pronës, shoqëruar me dokumentacionin.

Shqyrtimi i dosjes

Pasi ish-pronari ka dorëzuar kërkesën dhe dosjen me dokumentacionin përkatës, AKKP nis punën për shqyrtimin e kësaj dosjeje. AKKP-ja, në varësi të objektit të kërkesës së subjektit të shpronësuar, bashkërendon punën me institucione të treta, duke kërkuar dokumente të nevojshme për vërtetimin e gjendjes juridike apo fizike të pronës, si dhe konfirmimin e dokumentacionit tekniko-ligjor të depozituar nga subjekti. Ky dokumentacion, sipas rastit, mund të kërkohet nga një ose disa prej institucioneve të mëposhtme. Të gjitha kërkesat për njohje dhe kthim të pronës, të paraqitura në zyrat e AKKP-së, shqyrtohen sipas rendit kronologjik të paraqitjes së tyre. Mënyra e trajtimit, shqyrtimit dhe e dhënies së vendimit për kërkesat apo ankesat e subjekteve të shpronësuara, bëhet në përputhje me ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, dhe akteve nënligjore të dala në bazë dhe për zbatim të tij. AKKP-ja, pas shqyrtimit të kërkesës dhe marrjes së vendimit, pajis subjektet e shpronësuara me dokumentin përkatës për njohjen, masën dhe mënyrën e kthimit ose të kompensimit të pronës. Në rastin kur AKKP-ja nuk e pranon/rrëzon kërkesën/ankesën e subjektit, i jepsubjektit të shpronësuar një kopje të vendimit të mospranimit/rrëzimit.

14. Ngarkohet Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.







Ndryshohet pagesa për kthimin apo kompensimin e pronës



Përveç procedurave të reja që duhen ndjekur për kthim apo kompensim të pronës, qeveria ka miratuar edhe ndryshimet për sa u përket tarifave që duhet të paguajnë pronarët. Sipas vendimit, shuma e paguar nuk do të jetë më në bazë të vlerësimit të sipërfaqes së tokës, por sipas çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së tokës, të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Gjithashtu, pjesë e këtij vendimi janë edhe disa procedura që ndjek AKKP për të verifikuar sipërfaqen e pronës dhe kufijtë e saj. Sipas vendimit AKKP-ja, brenda 30 ditëve, por jo më vonë se tre muaj ngadata e paraqitjes së kërkesës e të dokumentacionit nga kërkuesi, kryen verifikimin e hollësishëm dhe konfirmon faktin, nëse kërkesa dhe dokumentacioni shoqërues përmbushin kushtet e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi. Verifikimi i kushteve bëhet nëpërmjet inspektimit në terren nga punonjësit e AKKP-së. Gjithashtu, AKKP-ja u drejtohet organeve, që kanë lëshuar dokumentet me kërkesën për konfirmimin e vërtetësisë së tyre. Korrespondenca bëhet pjesë e dosjes. AKKP-ja ka detyrë të kryejë saktësimin e kufijve të sipërfaqes, që kërkohet të tjetërsohet, duke kryer matje në terren, kur rezulton se dokumentacioni tekniko-ligjor, i paraqitur nga kërkuesi nuk përmban kufij ose dokumentacioni teknik nuk është i plotë. Shpenzimet e verifikimit dhe të matjes në terren parapaguhen nga kërkuesi, sipas tarifës së miratuar nga ministri i Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në përfundim të shqyrtimit sipas afateve të mësipërme, AKKP-ja ia përcjell Ministrisë së Drejtësisë dosjen e plotë së bashku me relacionin teknik, të shoqëruar me inventarin e dokumenteve.





Dokumentacioni që duhet plotësuar për kthim apo kompensim



1. Subjekti i shpronësuar depoziton në AKKP kërkesën për njohjen dhe kthimin apo kompensimin



2. Kërkesa e subjektit të shpronësuar duhet të jetë sipas formularit tip, të miratuar nga ministri i Drejtësisë



3. Dokumentacioni shoqërues, që vërteton pronësinë e subjektit të shpronësuar, përbëhet nga:

a) dokumentacioni ligjor;

b) dokumentacioni hartografik.



4. Dokumentacioni ligjor përbëhet, sipas rastit, nga:

a) vërtetimi i pronësisë, shoqëruar me kopje të njehsuar të fletës përkatëse të regjistrit hipotekor, b) dokumenti kadastral, shoqëruar me kopje të njehsuar të fletës përkatëse të regjistrit kadastral

c) vendimi gjyqësor i formës së prerë së bashku me hartën e pasurisë, të vulosura nga gjykata

ç) dokumenti që vërteton heqjen ose marrjen e së drejtës së pronësisë nga shteti subjektit të shpronësuar

d) vendimet e mëparshme të ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendimet e Komisionit/Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të cilat janë marrë përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.9583, datë 17.7.2006,

e) dokumenti i lëshuarnga arkivi hipotekor (pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme);

ë) çdo dokument tjetër ligjor, i nevojshëm për zgjidhjen e drejtë të çështjes.

5. Dokumentacioni hartografik për pozicionin gjeografik të pronës, i cili përbëhet, sipas rastit, nga:

a) dokumentacioni hartografik i mëparshëm, që i takon kohës nga fitimi i së drejtës së pronësisë deri në marrjen e padrejtë të pronës nga shteti.



b) dokumentacioni hartografik aktual, i cili përmban çdo të dhënë topografike dhe hartografike të pronës së pretenduar të pasqyruar në hartën aktuale dhe të konfirmuar nga institucioni që e administron atë.

6. Subjekti i shpronësuar paraqet, pranë AKKP-së, kërkesën e motivuar për kompensimin e pronës

7. Në rastet kur AKKP-ja konstaton mungesë në dokumentacion, subjektit të shpronësuar i kërkohet plotësimi i dosjes përkatëse, brenda 30 ditëve nga çasti i marrjes së njoftimit për plotësim dokumentacioni.

8. Çdo subjekt i shpronësuar ka të drejtë të pajiset, nga sekretaria e AKKP-së, me vërtetimin përkatës për numrin e protokollit të dosjes së regjistruar, që tregon edhe datën e dorëzimit të kërkesës dhe dokumenteve të tij.

9. Kërkesat e subjekteve të shpronësuara, të cilat depozitohen nëpërmjet shërbimit postar dhe kanë mangësi në dokumentacionin shoqërues, gjë që e bën të pamundur vlerësimin e tyre, do ti kthehen kërkuesit në adresën e dhënë, duke i kërkuar plotësimin e dokumentacionit në mënyrë të hollësishme, sipas dispozitave të këtij vendimi. 10. AKKP-ja, pranon dhe administron kërkesat e subjekteve të shpronësuara, kundrejt tarifave të përcaktuara, me urdhër të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave.







Shqyrtimi i dokumenteve nga AKKP



1. AKKP-ja, në varësi të objektit të kërkesës së subjektit të shpronësuar, bashkërendon punën me institucione të treta, duke kërkuar dokumente të nevojshme për vërtetimin e gjendjes juridike apo fizike të pronës, si dhe konfirmimin e dokumentacionit tekniko-ligjor të depozituar nga subjekti.



a) Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP), për gjendjen juridike të pronës;

b) njësitë e qeverisjes vendore, për pronat që i shërbejnë një interesi publik dhe për të cilat bëhet propozimi për tjetërsim;

c) bashkia (Drejtoria e Përgjithshme e Urbanistikës), komuna, këshilli i qarkut (drejtoria e urbanistikës apo njësitë e legalizimit, për konfirmimin e gjendjes së trojeve dhe të ndërtesave;

ç) Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës apo organet në varësi të saj, për pronat për të cilat ka humbur interesi publik dhe janë në pritje të procesit të privatizimit

d) Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit;

dh)Agjencia e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale;

e) Enti Kombëtar i Banesave;

ë) çdo institucion tjetër shtetëror, i cili ka në administrim pronën apo që mund të japë informacion për të.

2. Të gjitha kërkesat për njohje dhe kthim të pronës, të paraqitura në zyrat e AKKP-së, shqyrtohen sipas rendit kronologjik të paraqitjes së tyre.

3. AKKP-ja, pas shqyrtimit të kërkesës dhe marrjes së vendimit, pajis subjektet e shpronësuara me dokumentin përkatës për njohjen, masën dhe mënyrën e kthimit ose të kompensimit të pronës. Në rastin kur AKKP-ja nuk e pranon/rrëzon kërkesën/ankesën e subjektit, i jepsubjektit të shpronësuar një kopje të vendimit të mospranimit/rrëzimit.

4. Ngarkohet Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

5. Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.747, datë 9.11.2006, “Për procedurat e mbledhjes, të përpunimit dhe administrimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara gjatë procesit të njohjes, kthimit apo kompensimit të pronës”, shfuqizohet.



Ky lajm është publikuar: 14/04/2010