Afatet dhe mënyra e plotësimit të dokumenteve për të derdhur kontributet për pension i kanë kushtuar deri në gjobë biznesit të vogël. ISSH shpjegon në manualet e saj procedurat, dokumentet dhe mënyrën e plotësimit të formularëve nga biznesi i vogël. Gazeta boton të plotë shembujt e institutit.

Dokumentet për pagesat e kontributeve
Për të realizuar pagesën e kontributeve, fillimisht duhet të merrni dhe të plotësoni formularët tip, që janë:
1. “Listëpagesa e sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimi mbi të ardhurat nga punësimi”, - E-SIG 025/a2, e cila vendoset vetëm në faqen e prapme të kopjes së tretë, të formularit të plotësuar të deklarimit dhe pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
2. “Formular i deklarimit dhe pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore”, - E-SIG 011-012/a, i plotësuar në tri kopje.
3. Këta formularë mund t’i tërhiqni pas datës 5 të muajit që pason mbylljen e çdo tremujori kalendarik, në organin përkatës tatimor. Së bashku me formularët janë edhe udhëzimet për plotësimin e tyre (pra, udhëzimi për plotësimin e listëpagesës dhe udhëzimi për plotësimin e formularit të deklarimit dhe të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore. Fillimisht do të plotësohet listëpagesa dhe më pas mbështetur në të dhënat e saj do të plotësohen tre formularët e deklarimit.
Për subjektet e biznesit të vogël
Formulari E-Sig 025/a.2 – “Listëpagesa e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore dhe Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi” e vendosur në faqen e prapme të kopjes së tretë të formularit të deklarimit, dorëzohet në bankë ose në Postën Shqiptare sh.a., jo më vonë se data 20 e muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori kalendarik. Pra, jo më vonë se datat 20 prill, 20 korrik, 20 tetor, 20 janar.
Formulari E-Sig 027/a – “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë e atyre rishtazi si dhe e të larguarve nga puna”, që dorëzohet në organin tatimor të paktën 48 orë përpara fillimit të punës së të punësuarve, të cilët fillojnë punë për herë të parë, apo janë të punësuar rishtazi, si dhe brenda 10 ditëve për të larguarit nga puna.
Formulari E-SIG 011-012/a - “Formuar i deklarimit të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, i plotësuar në tri kopje dorëzohet në bankë ose në Postën Shqiptare sh.a. Në kopjen e tretë të formularit të deklarimit, në faqen e prapme të tij, vendoset dhe plotësohet listëpagesa E-SIG 025/a2.
Formulari E-SIG 046/a – “Pasqyrë deklarimi me të dhënat për pagesën e kontributeve të Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi” – dorëzohet vetëm nga subjektet që bëjnë dorëzimin e deklarimeve në format elektronik.
Kujdes! Formulari i deklarimit dhe pagesës së kontributeve, si dhe listëpagesa e pasqyrat e tjera duhet të plotësohen në përputhje me shënimet përkatëse tek secila prej tyre. Kopja e formularit të deklarimit tërhiqet nga subjekti pranë organeve tatimore, ose shkarkohet nga faqja zyrtare e Internetit e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve www.tatime.gov.al, për çdo periudhë tatimore, përpara datës së deklarimit.
Por këto formularë mund t’i gjeni duke i shkarkuar nga faqja zyrtare e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve www.tatime.gov.al.
Plotësimi i listëpagesës dhe i formularit të deklarimit.
Mbani listëpagesën përpara, ndërkohë që lexoni këto udhëzime për plotësimin e saj:
-Të dhënat në këtë formular do të plotësohen me dorë. Në krye të listëpagesës, sipas radhës, do të plotësohen vizat që janë lënë bosh duke filluar me NIPT-in e tij, emrin dhe mbiemrin, vitin dhe tremujorin, statusin që është person fizik pa punëmarrës, veprimtarinë që në shumicën e rasteve është aktivitet shitje dhe rrethin ku ushtroni aktivitetin.
-I vetëpunësuari, në kolonën me numër 5) Numri i sigurimit shoqëror do të hedhë numrin e sigurimit shoqëror, që ndodhet në kartën e identitetit të tij.
-Në kolonën me numër 6) Emri mbiemri hedh emrin dhe mbiemrin e tij.
-Në kolonën pa numër, detyra, funksioni, profesioni, apo puna që ka kryer do të hidhet shënimi “I vetëpunësuar”.
-Në kolonën me numër 7) Numri i kategorisë së të punësuarve për kontributet do të shënoni numrin “6”, i cili është numri që përfaqëson personin fizik.
-Kolona me numër 8) Ditë kalendarike pa punuar gjatë muajit ka lidhje me punëmarrësit dhe nuk plotësohet për personin fizik të vetëpunësuar, i vetëm.
-Kolona me numër 9) Ditë kalendarike të punuara tek subjekti gjatë muajit ka lidhje me punëmarrësit dhe personin fizik të punësuar në subjektin e tij, ku duhet të vendoset numri i ditëve të muajit, duke zbritur ditët e diela.
-Në kolonën me numër 10) Paga bruto - gjithsej do të shënoni shifrën 16 820, që i përgjigjet pagës minimale mujore prej 16 820 lekësh në muaj për pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, që ka hyrë në fuqi më datë 1.7.2010.
-Në kolonën me numër 11) Paga bruto - mbi të cilën llogariten kontributet shënoni përsëri 16 820, pasi në rastin e të vetëpunësuarit këto dy kolona kanë të njëjtin kuptim.
-Kolona me numër 12) Kontributet për sigurimet shoqërore - gjithsej është shuma e kolonave që vijojnë me numër 13, 14 dhe 15, por në rastin e të vetëpunësuarit kjo kolonë është e barabartë me kolonën që vijon me numër 13.
-Ndërsa në kolonën me numër 13) Punëdhënësi, do të shënoni kontributin e sigurimit shoqëror për veten tuaj, të barabartë me 3 869, që është shumëzimi i pagës minimale 16 820 x 23%.
-Kolonat 14 dhe 15 nuk plotësohen.
-Kolona me numër 16) Kontributet për sigurimet shëndetësore - gjithsej do të shënoni kontributin e sigurimit shëndetësor për veten tuaj, të barabartë me 1 177, që është shumëzimi i pagës minimale 16 820 x 7%.
-Kolonat 17 dhe 18 nuk plotësohen, pasi i vetëpunësuari nuk paguan tatim mbi të ardhurat nga punësimi.
Listëpagesa ka tre muaj të njëpasnjëshëm të tremujorit, të cilët plotësohen njëlloj si në muajin e parë dhe shumat e kolonave në fund të listëpagesës do të jenë si më poshtë:
-Kolona nr.10 e barabartë me 50 460
-Kolona nr.11 e barabartë me kolonën me nr.10, e barabartë me 50 460
-Kolona nr.12 e barabartë me 11 606
-Kolona nr.13 e barabartë me kolonën me nr.12, e barabartë me 11 606
-Kolona nr.16 e barabartë me 3 532

Plotësimi i formularit tip “Formular i deklarimit dhe pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore Duhet të keni përpara listëpagesën dhe formularin e deklarimit për të bërë plotësimin e tij.
Formulari i deklarimit bëhet pasi plotësohet listëpagesa, sepse të dhënat që do të hidhen në këtë formular merren nga listëpagesa. Plotësimi i tij fillon pas shënimit deklarim përmbledhës, pra nga pika 9 e këtij formulari.
- Pika (9) Totali i pagave mbi të cilën paguhen kontributet është 50 460 dhe merret nga kolona nr. 11 e listëpagesës - totali për tremujorin.
- Pika (10) Kontributet për sigurimet shoqërore nga punëdhënësi është 11 606 dhe merret nga kolona nr.13 e listëpagesës - totali për tremujorin.
- Pika (11) dhe pika (12) do të shënohen zero “O”.
- Pika (13) Kontributet për sigurimet shoqërore gjithsej është 11 606 dhe merret nga kolona nr.12 e listëpagesës - totali për tremujorin.
- Pika (14) Kontributet për sigurimet shëndetësore gjithsej është 3 532 dhe merret nga kolona nr.16 e listëpagesës - Totali për tremujorin.
- Pika (15) Totali për t’u paguar është 15 138, si shumë e pikave 13 dhe 14 e këtij formulari.
- Pika (16) Numri gjithsej i personave që duhet të paguajnë kontribute sipas listëpagesës është 3, sepse listëpagesa dhe formulari i deklarimit është për periudhën tremujore.
- Pika (17) Numri i personave që paguajnë kontribute në nivelin e pagës minimale sipas listëpagesës është 3, sepse listëpagesa dhe formulari i deklarimit është për periudhën tremujore dhe ju i paguani kontributet në nivelin minimal.
- Kini kujdes të vendosni datën, emër mbiemër dhe firmën, me shkronja të vogla dhe dukshme mbi vizën e përcaktuar për këtë qëllim.
- Më poshtë, në pjesën e pagesave, nuk duhet të hidhni të dhëna apo të plotësoni kuadratin shuma e paguar. Këto shënime bëhen nga punonjësi i bankës apo i postës në të cilën kryhet pagesa.