Veprimtaria
Konferenca arkeologjike promovon qendrat kryesore të zbuluara

“Në gjurmët e Ilirisë së lashtë”, kështu quhet konferenca arkeologjike, e cila do të mbahet në Torino të Italisë në datën 16 janar. Veprimtaria e organizuar nga shoqata kulturore italo-shqiptare “Vatra” është konceptuar si një udhëtim i ilustruar arkeologjik nëpër tokën Shqiptare, gjatë të cilit pjesëmarrësit do të njihen me qendrat kryesore të zbuluara të Ilirisë, si edhe me pasuritë që ato përmbajnë. I ftuari kryesor i takimit është eksperti i kësaj fushe, arkeologu Neritan Ceka. Në këtë takim do të marrin pjesë edhe arkeologu Sandro Caranzano, Chiara de Filippis historiane dhe profesoreshë e Universitetit të Torinos, si dhe gazetari Benko Gjata. Arkeologu Neritan Ceka ka dhënë leksione dhe konferenca shkencore në Gjermani, Angli, Itali, Francë, Austri, SHBA dhe në vende të tjera. Ai është anëtar i Këshillit Shkencor në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë, anëtar i Institutit të Arkeologjisë në Berlin dhe i Institutit Koldeway Gesellschaft në Gjermani. “Në gjurmët e Ilirisë së lashtë” është një veprimtari që zhvillohet në kuadër të projektit Festivali i Kulturës Shqiptare. Projekti parashikon zhvillimin e veprimtarive që synojnë promovimin dhe vlerësimin e pasurisë historike, artistike, kulturore dhe letrare të popullit shqiptar.






#