Intervista/ Flet kreu i Komisionit Parlamentar për Drejtësinë në Parlamentin Kanadez, Art Hanger


Shaban Sulçe



Kryetari i Komisionit Parlamentar për Drejtësinë në Parlamentin Kanadez, Art Hanger, ka vizituar gjatë këtyre dy ditëve Shqipërinë.

I mbërritur në Shqipëri me ftesë të ambasadorit shqiptar në Kanada dhe “Christian Ambassy”, Hanger ka udhëhequr delegacionin kanadez, në përbërjen e të cilit ishin gjithashtu edhe biznesmenë. Në një intervistë për gazetën “Albania” deputeti kanadez deklaron se qëllimi i kësaj vizite ishte inkurajimi i marrëdhënieve midis Kanadasë dhe Shqipërisë. Duke qenë se vizita e tij përkon me debatin për reformën në Drejtësi, ne e pyetëm zotin Hanger se si e gjykonte propozimin për heqjen dhe kufizimin e imunitetit. Kreu i Komisionit Parlamentar për Drejtësinë në Parlamentin Kanadez u shpreh se kjo është një gjë shumë e rëndësishme dhe pozitive. Për këtë ai iu referua edhe krahasimit me Kanadanë, ku tha se të gjithë shtetasit, përfshirë edhe deputetët, janë të barabartë përpara ligjit.

Zoti Hanger, cili është qëllimi i vizitës suaj në Shqipëri?

Unë jam këtu në Shqipëri në një udhëtim në kuadrin e një delegacioni që vjen nga Kanadaja me ftesë të ambasadorit shqiptar në Kanada dhe të “Christian Ambassy”, për të komunikuar me anëtarët e qeverisë suaj, me anëtarë të Parlamentit dhe të fushës së biznesit, sepse dy nga anëtarët e delegacionit tonë janë biznesmenë, për të njohur më mirë dhe për të inkurajuar më shumë marrëdhëniet midis Kanadasë dhe Shqipërisë. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që na siguruan një pritje të mrekullueshme. Dua t’i falënderoj për mikpritjen e tyre dhe dua të theksoj se në Kanada jemi të interesuar për një marrëdhënie shumë të mirë midis dy vendeve, duke e inkurajuar dhe zhvilluar atë edhe më mirë në të ardhmen.

Cila ka qenë axhenda e takimeve që keni zhvilluar dhe autoritetet që keni takuar?

Ne jemi takuar me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë, me deputetin e Parlamentit Shqiptar, Edmond Spaho, me përfaqësuesen e Agjencisë së Investimeve Publike, znj. Evis Zykaj. Gjithashtu kemi zhvilluar takime me ministrin e Bujqësisë, Jemin Gjana dhe nënkryetarin e Parlamentit, Fatos Beja.

A mund të na thoni përshtypjet tuaja për Shqipërinë?

Përshtypja ime për Shqipërinë është shumë pozitive. Shikoj plot entuziazëm, veçanërisht te njerëzit e rinj me shumë shpresë për të ardhmen. Të njëjtën gjë mund të them edhe për komunitetin e biznesit. Ata ndiejnë ndryshimin dhe zhvillimin dhe kanë iniciativë dhe angazhim për ta arritur një gjë të tillë.

Qeveria shqiptare ka marrë angazhimin për të realizuar reforma në Drejtësi, por një nga pikat më të diskutueshme është ajo e heqjes së imunitetit të deputetëve. Do të deshëm të dinim një mendim tuajin, duke qenë se keni një eksperiencë në fushën e drejtësisë, ku drejtoni Komisionin Parlamentar të Drejtësisë në Parlamentin Kanadez.

Mendoj se është shumë pozitive. Po ju jap një krahasim me Kanadanë, ku jam vetë pjesë e sistemit. Rregulli dhe zbatimi i ligjit është më i rëndësishmi. Të gjithë jemi nën ligj, përfshirë edhe deputetët. Nëse një deputet mund të bëjë diçka të gabuar, do të ketë të njëjtin hetim, të njëjtin proces gjyqësor dhe të njëjtin dënim si çdo shtetas tjetër nëse shkel ligjin. Unë jam kryetari i Komisionit Parlamentar të Drejtësisë në Kanada dhe të gjitha ligjet që vijnë nga Dhoma e Deputetëve vijnë te ky komision për t’u diskutuar. Dhe ne e ftojmë publikun për të marrë pjesë në debat. Ne duam që të dimë se çfarë mendojnë ta, se çfarë shprehin. Është shumë e rëndësishme për ta për të qenë pjesë e vendimmarrjes. Sepse ne i përmbahemi parimit që ata që zgjidhen nga populli duhet t’i përfaqësojnë dhe justifikojnë më së miri besimin që u jepet atyre.

Sa e rëndësishme është, sipas jush, pavarësia e Gjyqësorit dhe e Prokurorisë nga pushteti Ekzekutiv?

Është një parim shumë i rëndësishëm pavarësia e Gjyqësorit dhe e Prokurorisë. Mendoj se duhet punuar në këtë drejtim që të mos ketë influenca politike në këto dy instanca dhe unë e përshëndes qeverinë shqiptare për përpjekjet që po bën në këtë drejtim. Gjithashtu dua të shtoj se media ka një rol shumë të rëndësishëm në pavarësinë e tyre. Media duhet ta mbajnë qeverinë të përgjegjshme në këtë drejtim dhe në të njëjtën kohë ajo duhet të paraqesë zërin e opinionit publik për të marrë pjesë në këtë debat.





Kush është Art Hanger

Ka lindur në Alberta të Kanadasë më 19 shkurt 1943

Ka studiuar për Inxhinieri në Universitetin e Kalgarit

Ka punuar për 22 vjet si oficer i Policisë së Kalgarit

Në vitin 1993 zgjidhet në Dhomën e Deputetëve, për t’u rizgjedhur edhe katër herë më pas, në vitet 1997, 2000, 2004 dhe 2006

Është drejtues i Komisionit Parlamentar për Drejtësinë dhe të Drejtat e Njeriut

Është i angazhuar në Shoqatën Kanadeze Parlamentare të NATO-s, ku shërben si këshilltar në Komitetin Ekzekutiv

Është themelues i Fondacionit Kanadez për Drejtësinë

Është anëtar aktiv i Kishës “Betlehem Evangelical Lutheran Church”





26 Maj 2008