Firma Bektel e Durrës-Kukës në krye të klasifikimit për të tretin vit radhazi


Ervin KOÇI



Kompanitë e ndërtimit në vendin tonë janë ndër subjektet e biznesit me më tepër fitim dhe që zhvillojnë një aktivitet të madh ekonomik. Vet sektori i ndërtimit në vendin tonë është një nga shtyllat e ekonomisë shqiptare dhe numëron mbi 50 mijë të punësuar, në një kohë që kompanitë e ndërtimit sot janë ndër taksa-paguesit më të mëdhenj të arkës së shtetit. Ato derdhin në buxhetin e shtetit çdo vit miliarda lekë në formën e taksave dhe tatimeve, në një kohë që kontributi i tyre është mjaftë i madh në ekonominë e vendin sidomos në 10 vitet e fundit. Gazeta “Albania” boton sot të plotë listën e 28 kompanive kryesore të ndërtimit në vend, bashkë me bilancet e tyre të fitimit në tre vitet e fundit. “Pjesëmarrja” në top-listën e kompanive më të mëdha në sektorin e ndërtimit i përket firmave të prodhimit të çimentos dhe të ndërtimit dhe shtrimit të rrugëve. Sipas ndërtuesve, kjo është një shprehje e qartë që sektori i ndërtimit varet më së shumti nga investimet publike dhe jo nga burimet e investimit të vetë bizneseve. Këtë e konfirmon fare mirë edhe pozicioni kryesues për të tretin vit radhazi i konsorciumit amerikano-turk ndërtues i rrugës Durrës-Kukës, “Bechtel & Enka”, që ndryshe nga të gjitha kompanitë e tjera të ndërtimit në vend ka një rritje të fitimeve nga viti në vit.



Kompanitë



Në listën e 28 kompanive kryesore të ndërtimit në vend, afro 50 për qind të xhiros totale për shoqëritë më të mëdha, është realizuar nga firmat e ndërtimit të rrugëve. Jo rastësisht, shoqëria me xhiron më të lartë në sektorin e ndërtimit është “Bechtel & Enka”. Ajo në tre vitet e fundit ka marrë edhe “pjesën e luanit” të financimeve të buxhetit të shtetit për investimet në infrastrukturë, ku kjo sasi parash ka shkuar për rrugën Durrës-Kukës-Morinë, ose më saktë për segmentin më të shtrenjtë të saj atë Rëshën-Kalimash. Konsorciumi amerikano-turk, i angazhuar në ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, projektit më të kushtueshëm në infrastrukturën shqiptare, realizoi një xhiro vjetore prej afro 37 miliard lekësh, në një kohë që fitimi para tatimit rezultoi rreth 11 miliard lekë, apo rreth 90 milion euro. Norma bruto e fitimit rezulton rreth 30 për qind. Fitimi i vitit 2008 është në vlerë rreth 60 për qind më i lartë se ai i vitit 2007. Nga ana tjetër, firma ka realizuar 30 për qind të xhiros totale të sektorit të ndërtimit gjatë vitit 2008. “Bechtel & Enka J.V.” rezulton kështu një ndër kompanitë më fitimprurëse në tregun shqiptar dhe ka pasur fatin e mirë që nuk është ndikuar aspak nga kriza ekonomike globale që filloi t’i jepte efektet në vend në fundin e vitit të kaluar. Kompania rezultoi e dyta më e madhe në vend për nga madhësia sipas xhiros, duke ia kaluar vetëm KESH-i. “Bechtel & Enka J.V.”, falë tenderit miliarder të rrugës Rrëshen-Kalimash ka realizuar një vlerë të ardhurash shumë të lartë krahasuar me gjithë bizneset e tjera të sektorit të ndërtimit. Pasi realizoi një xhiro “simbolike” prej 500 milion lekësh në vitin 2006, në vitin 2007 shoqëria amerikano-turke arkëtoi një shifër 36 herë më të lartë nga buxheti i shtetit shqiptar, rreth 17 miliard lekë. Që kur ka nisur punimet e saj në Shqipëri, gjatë viteve 2006-2008, kjo kompani ka xhiruar rreth 58 miliard lekë duke arritur kështu nivele xhiroje “të papara” më parë në sektorin shqiptar të ndërtimit. Aksi Rrëshen-Kalimash, me një gjatësi prej 60 kilometrash, që po ndërtohet nga kjo kompani, pritet të përfundojë brenda këtij viti.



Ndërtimi



Sektori i ndërtimit, që zë rreth 14 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), që gjatë vitit 2008 është rritur vetëm nga kompanitë e prodhimit të çimentos dhe ndërtimit të rrugëve. Sipas të dhënave nga DPT-ja, kompanitë kryesore në vend kanë qarkulluar gjatë vitit 2008, rreth 80.8 miliard lekë, ku pjesa dërrmuese i përket firmave të ndërtimit dhe shtrimit të rrugëve. Kompanitë që ndërtojnë banesa kanë ulur ndjeshëm xhirot, kjo për shkak të krizës ndërkombëtare ekonomike, por dhe për shkak të mbingopjes së tregut vendas me ndërtime. Kriza në këtë sektor ka ulur xhirot vjetore për shumë kompani që veprojnë në këtë degë, kryesisht në ndërtimin e apartamenteve, ndërsa rritje kanë shënuar kompanitë që janë përfshirë në punët publike (të financuara me tendera shtetërorë). Për vitin e kaluar, sipas INSTAT-it, sektori i ndërtimit ka realizuar rreth 126.3 miliardë lekë të ardhura, me një rritje prej 6.5 për qind krahasuar me vitin 2007. Në 2008 sektori i ndërtimit zinte rreth 14 për qind të PBB-së. Ajo që vihet re në fakt, në xhirot e deklaruara në organet tatimore është rënia e të ardhurave, si dhe xhirot tepër të ulëta krahasuar më të tjerët, të kompanive aktive në ngritjen e godinave të banimit.







Xhiro (në lekë) e firmave kryesore të ndërtimit në vend



Subjekti Xhiro 2008 Xhiro 2007 Xhiro 2006

BECHTEL & ENKA 36,972,188,815 17,934,726,311 500,880,184

FUSHE-KRUJE CEMENT FACTORY 6,779,052,000

ANTEA CEMENT 3,459,890,000

EUROTECH CEMENT 2,872,047,000 2,932,212,217 3,276,089,575

KALIVAC GREEN ENERGY sh.p.k. 2,695,952,000

TREMA ENGINEERING 1,974,010,000 1,796,725,923 2,362,455,952

ALB-STAR 1,936,556,000

ALPINE BAU GMBH, Filiali Tiranë 1,750,040,000

ELBASAN CEMENT FACTORY 1,705,447,000 1,506,881,682 1,422,300,573

GECI 1,683,588,000

EDIL-AL– IT 1,632,504,000 2,678,522,331 3,102,958,662

SALILLARI 1,476,670,000

ALBAN - TIRANA CO 1,171,266,000 383,471,841 372,174,680

KAMZA DEVELOPMENT 1,140,812,000 459,515,694 121,283,552

ALBAVIA 1,028,818,000 469,145,323 543,377,504

GORA 989,154,000 1,148,407,209 1,148,495,341

DEGINA 901,107,000

GJOKA CONSTRUCTION 894,475,000 811,856,353 588,952,209

ALBANIAN INVESTMENT CONSTRUCTION892,756,000

J & P AVAX SH.A. 848,548,000 1,224,954,360 926,240,825

EUROTEOREMA GROUP 821,164,000 918,640,842 719,887,232

KIRCHBERGER–ALBANIA807,287,000 399,261,641 477,040,083

GLOBAL CONSTRUCTION792,674,000

IMPRESA COSTRUZIONI GIUSEPPE MALTAURO776,956,000

TRISS NDERTIM 738,642,000

ALBA BETON 735,204,000

PERXHOLA 725,870,000

EUROTEOREMA PEQIN 116,009,000 729,700,749 572,871,207



Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve









BSH: Importet vijuan ngadalësimin në qershor



Gjatë 6-mujorit të parë, Shqipëria importoi 116 milionë euro mallra më pak, ose ranë me 10.1 për qind, duke treguar se kërkesa e brendshme në ekonomi ka vijuar të dobësohet. Kjo gjë bëhet e ditur nga të dhënat statistikore të përpunuara nga Banka e Shqipërisë. Sipas BSH-së, gjatë qershorit të këtij viti, Shqipëria importoi 267.3 milionë euro mallra, ndërkohë që një vit më parë pati importuar rreth 300 milionë euro. Importet e Shqipërisë filluan të ngadalësohen në muajt e fundit të vitit 2008, ndërsa kaluan në negativ në fillim të vitit 2009. Rënia e importeve në qershor ishte më e forta e shënuar ndonjëherë në Shqipëri dhe u prodhua njëkohësisht si pasojë e rënies së çmimeve të mallrave në tregun ndërkombëtar, por edhe si pasojë e rënies së kërkesës së brendshme. Importi i ushqimeve dhe kafshëve të gjalla u reduktua me 12 për qind gjatë qershorit, ndërsa importet legale të karburanteve dhe lëndëve të tjera djegëse u reduktuan me 47 për qind. Rënia e importeve të lëndëve djegëse i dedikohet posaçërisht rënies së çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar. Në qershorin e vitit të kaluar, çmimi i naftës në bursën e Londrës pati mbërritur në rreth 140 dollarë për fuçi, ndërsa aktualisht është më pak se 65 dollarë për fuçi. Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, Shqipëria ka importuar 1.55 miliardë euro mallra, rreth 116 milionë euro më pak nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë, eksportet e Shqipërisë kanë rënë me 96 milionë euro, ose me 20 për qind.







27 Korrik 2009