Personeli i Inspektoriatit Shtetëror të Punës (ISHP), do të përbëhet nga nëpunës publikë dhe personel ndihmës. Ministria e Punës, përgjegjëse në fushën e politikave të punësimit, ka propozuar projektvendimin “Për miratimin e simbolit dhe statutit”, “Për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Shtetëror të Punës”, që bëhet në kuadër të përshtatjes të veprimtarisë së ISHP-së me programin politik të Këshillit tw Ministrave. Në kuadër të forcimit të strukturave të Inspektoriatit, për herë të parë parashikohet ngritja e strukturave të tilla brenda tij si, Zyrat Rajonale sipas Prefekturave dhe Zyrat Vendore në të gjitha qytetet e vendit si dhe përgjegjësitë e tyre.

Vendimi i djeshëm i qeverisë, përcakton edhe mënyrën e shpalljes së konkurimit për një vend pune në strukturën e ISHP-së deri në emërimin e kandidatit fitues, ku gjen shprehje të qartë procedura sipas të cilës personeli i ISHP-së përbëhet nga nëpunës publike dhe personel ndihmës. Vendimi rregullon edhe të drejtën e ankimimit si dhe procedurat për ushtrimin e kësaj të drejte për zhvillimin dhe rezultatin e konkurimit, kërkesë e cila paraqitet tek Komisioni i ngritur nga Ministri përgjegjës në fushën e punësimit. Po ashtu parashikohet testimi i kontrollorëve dhe inspektorëve të punës jo më pak se një herë në 3 vjet.

Parashikime vijnë edhe për masat disiplinore që jepen nga Inspektori i Përgjithshëm për mosplotësim të detyrave, thyerje të disiplinës në punë dhe rregullave të ekikws.





Ish-Qendra e Studimeve Gjeografike, pjesë e Fakultetit Histori-Filologji



Ish-Qendra e Studimeve Gjeografike (QSGJ), e Akademisë së Shkencave, tashmë do të funksionojë në Departamentin e Gjeografisë, të Fakultetit Histori-Filologji, të Universitetit të Tiranës. Qeveria, ka vendosur dje, integrimin e kësaj qendre në këtë fakultet dhe funksionimin e saj. Pasuritë e luajtshme (burime financiare, automjete, donacione, projekte kërkimi dhe zhvillimi, orendi, infrastrukturë, pajisje informatike, etj.), si dhe arkivat shkencore e çdo dokumentacion tjetër arkivor i ish-QSGJ-së, do t’i kalojnë në administrim Fakultetit Histori-Filologji.

Kështu, falë këtij transferimi, në Departamentin e Gjeografisë, të Fakultetit Histori-Filologji, të Universitetit të Tiranës, shtohen katër vende pune, për personelin akademik të ish-QSGJ-së. Ndërsa niveli i pagave të personelit akademik të ish-QSGJ-së, do të jetë i njëjtë me atë të personelit akademik të Universitetit të Tiranës.

Po ashtu, qeveria ka vendosur që numri i personelit akademik, shtesë në Departamentin e Gjeografisë, të Fakultetit Histori-Filologji, të jetë brenda numrit të përgjithshëm të punonjësve, të miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës sipas vendimit përkatës. Për periudhën nga 1 janari 2008 deri në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, të gjithë punonjësit e ish-QSGJ-së do të trajtohen nga Universiteti i Tiranës si punonjës me kontratë të përkohshme. Kurse për punonjësit, që pas riorganizimit humbasin vendet e punës, qeveria ka vendosur të zbatohen dispozitat e Kodit të Punës.













17 Korrik 2008