22/06/2009  Ndërmarrjet me 1 deri në 4 të punësuar zënë 93 për qind të totalit


Shqiptarët parapëlqejnë të punojnë në biznesin e tyre privat, sado i vogël të jetë ai. Këtë fakt e konfirmojnë shifrat e rritjes në numër të bizneseve të vogla që ushtrojnë aktivitetin në të gjithë vendin. Bizneset që dominojnë në Shqipëri janë ato me 1 deri në 4 të punësuar, sipas klasifikimit zyrtar, që ndryshe njihen si biznese të vogla. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se ato zënë një shifër prej 93 për qind, kundrejt totalit. Ndërkaq, sipas INSTAT-it, një përqindje më të vogël kanë prodhuesit e shërbimeve me rreth 85 për qind të numrit të përgjithshëm të të gjitha ndërmarrjeve. Në regjistrin e ndërmarrjeve ekonomike të Institutit të Statistikave vërehet se numri i ndërmarrjeve që rezultonin aktive në fund të vitit 2008 ishte 107 342. Mbizotërues në numër, me rreth 62 për qind, janë ndërmarrjet me aktivitet tregtar në hotele, bare dhe restorante ku më shumë se gjysma e tyre është përqendruar në qarqet Tiranë dhe Durrës. Por edhe aktivitetet e industrive dhe shërbimeve të tjera, kryesisht në arsim, shëndetësi dhe ndërmjetësime financiare zënë një pjesë të konsiderueshme të bizneseve. Kohët e fundit shihet një prirje rritëse e tyre. Ndërkaq, ndërmarrjet e mëdha zënë më pak se 1 për qind të të gjithë këtij tregu në vend, por kanë një peshë të konsiderueshme në punësim, duke qenë se kanë rreth 37 për qind të punësuar vlerësohet në regjistrin e INSTAT-it. Gjatë viteve 2006 - 2008 kanë filluar aktivitetin e tyre 44.5 për qind e këtyre bizneseve në vendin tonë. Ndërkaq, është vënë re vitet e fundit, sipas të dhënave të INSTAT-it, një rol gjithnjë e në rritje i femrave në rolet menaxhere të firmave apo edhe drejtimin e bizneseve. Me gjithë shifrat në rritje, raporti me rolin që luajnë meshkujt në drejtimin dhe menaxhimin e bizneseve është më e vogël, me vetëm 24.7 për qind. Vitin e kaluar, sipas të dhënave, u krijuan vetëm 15 ndërmarrje me mbi 50 punëtorë, ndërkohë që në vitin 2007 qenë regjistruar 42 ndërmarrje të mëdha. Numri i ndërmarrjeve të mesme që janë me 10 - 49 punëtorë u rrit me 79 njësi gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që në 2007 ishin regjistruar 394 të tilla.


Kasat


Deri në fund të këtij viti të gjitha bizneset e vogla dhe të mëdha, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në drejtoritë rajonale të rretheve, përveç atyre të kryeqytetit, duhet të përfundojnë pajisjen me kasat fiskale. Administrata tatimore ka bërë të ditur se ky është afati për personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të cilët administrohen nga drejtoritë e tjera rajonale tatimore. Ndërsa bizneset e mëdha në Tiranë kanë pasur afat përfundimtar muajin maj të këtij viti.


Bilancet financiare


Për herë të parë këtë vit, bizneset e vogla kanë deklaruar bilancet e tyre financiare vjetore, të cilat shërbejnë si bazë për vlerësimin e tatimit mbi fitimin. Ka qenë data 31 mars afati i fundit për bizneset e vogla që duhet të dorëzonin bilancet te Drejtoritë e Tatimeve, sipas skemës së re të miratuar nga Ministria e Financave. Sanksioni është që për çdo muaj vonesë ata penalizohen me 10 mijë lekë. Pas këtij afati, asnjë shifër nuk është bërë publike për ecurinë e këtij procesi.