Vështirësitë e integrimit të shqiptarëve në vende të ndryshme të botës do të vijnë së fundi në dokumentari që pret të realizohet së shpejti nga regjisori i njohur shqiptar Besnik Zogaj. Filmi dokumentar i titulluar Integrimi do të jetë një projekt, i cili do të realizohet falë bashkëpunimit me shkollën norvegjeze Norve Voksenopplæring. Në këtë film, regjisori tregon





se trajtohen vështirësitë e integrimit të shqiptarëve në vende të ndryshme evropiane. Filmi dokumentar Integrimi bënë fjalë për të huajt e integruar në Norvegji, sidomos ata që jetojnë në qytetin Alesund, qytet ky i frekuentuar nga turistët e ndryshëm që udhëtojnë nga e mbarë bota. Gjithashtu aty tregohet edhe integrimi i të rinjve të tjerë, të cilët vijnë në këtë qytet për arsye të ndryshme, dhe për atë se çfarë bëjnë drejtuesit e këtij qyteti për integrimin e tyre sa më të shpejtë në shoqërinë norvegjeze. Shtysa, për ta trajtuar dhe shqyrtuar më thellë këtë temë mjaft të rëndësishme, ishte shkolla e cila jep një kontribut shumë të madh për integrimin më të lehtë të të gjithë të rinjve, që për arsye të ndryshme janë në Norvegji dhe se asnjëherë nuk i lënë të ndihen të huaj, tha për KNN regjisori Besnik Zogaj. Më tej ai ka theksuar se filmi do të realizohet në vende të ndryshme, nga ku kuptohen më mirë faktorët, të cilët ndikojnë më shumë që të rinjtë të ndihen të huaj apo të integruar në një shoqëri, e që shpesh gjenden në udhëkryqe të kohës. Regjisori duke jetuar edhe vetë në një vend të huaj, dëshiron të paraqes vështirësitë me të cilat ballafaqohen të rinjtë në jetën e përditshme në mërgim. Përfundimisht jam i bindur në thënien: Guri i rëndë peshon në vend të vet!, tha Zogaj. Në këtë film dokumentar, pjesë e tij do të jenë edhe familjet shqiptare që jetojnë në Norvegji. Premiera e këtij filmi pritet të shfaqet në nëntor të këtij viti në Alesund dhe pastaj do të jetë pjesë e disa festivaleve në Norvegji. Pak më vonë dokumentari do të shfaqet edhe para publikut shqiptar, në Kosovë dhe në Shqipëri. Regjisori Besnik Zogaj pas realizimit të këtij filmi ka në plan të fillojë realizimin edhe të një filmi të shkurtër artistik, i cili synon të paraqitet në festivale të ndryshme evropiane, por edhe në ato në Kosovë dhe në Shqipëri.  Disa nga filmat e realizuar nga ky regjisor janë: Zanatliu i fundit, Tingujt në Agim, Shpresa, Dhembjet e majit, Tri gota, Shpëtimi i shekullit të sëmurë, Vulë fati, etj


 






Last Updated on E Marte, 20 Prill 2010 19:42