Zhvillimet në tregun bankar dhe presionet e krizës ekonomike botërore kanë detyruar bankat që të ndryshojnë rregullat e dhënies së kredive për klientët. Në bazë të vëzhgimeve të bëra në tregun e kredive rezulton se është shtrenjtuar euroja dhe është favorizuar leku, ndonëse kredia në monedhën europiane mbetet ende më e lirë. Sipas të dhënave, rezulton se bankat prej kohësh janë të prira për të dhënë kredi në monedhën vendase. Burimet zyrtare të Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës së Bankave flasin për një ulje të ndjeshme të sasisë së kredisë që jepet për blerjen e shtëpive nga klientët.



Situata



Rënien më të madhe e ka shënuar huaja në euro me rreth 74 për qind, ndërsa në lekë llogaritet në rreth 60 për qind. Nga anketimet e bëra nga e përjavshmja ekonomike “Monitor” rezulton se disa banka kanë ndërprerë plotësisht kreditimin në euro. Kjo shpjegohet me luhatjet e kursit të këmbimit, të cilat kanë qenë të një masë të konsiderueshme gjatë këtyre 18 muajve të fundit. Kjo po vë në rrezik klientët dhe bankat, pasi kredimarrësit në monedhën europiane tani duhet të paguajnë më shumë, sidomos në rastet kur të ardhurat e tyre janë në monedhën vendase. Edhe BSH-ja, por edhe vetë bankat e nivelit të dytë, po i orientojnë qytetarët që të marrin kredi në monedhën që kanë pagat apo të ardhurat e tjera.

Por tregu i banesave i detyron klientët që të marrin kredi në euro, pasi çmimet që përdoren gjerësisht prej tyre janë në atë monedhë. Përballë kësaj praktike të çmimeve klientët kërkojnë në sportelet e bankave euro, ndonëse të ardhurat i kanë në lekë. Një gjë të tillë ndërtuesit e motivojnë me faktin se pjesën më të madhe të lëndës së parë e marrin në euro dhe janë të detyruar që t’u përshtaten çmimeve duke u referuar me shpenzimet që kanë bërë ata për të ndërtuar objektet e tyre.



Interesat

Bankat i kanë ruajtur në nivelet 8.5-9.5 për qind normat e interesit për kredinë në euro dhe 12-13.5 për qind për ato në lekë. Mesataret janë të përafërta me ato të vërejtura gjatë fillimit të këtij viti, por ndjeshëm më të larta se ato të vitit 2007. Normat më të larta të interesit gjenden në bankën “ProCredit”, ku për kredi 100 mijë euro me periudhë shlyerje 15-20-vjeçare, banka ngarkon një interes të llogaritur me Eurolibor+9. Në rastin e kredisë në monedhën kombëtare norma e interesit në këtë bankë përcaktohet nga shuma e interesave të bonove të thesarit me koeficientin 6, Bth+6 (rreth 15.4 për qind). Kredia me normën më të ulët të interesit gjendet në Bankën NGB (National Bank of Greece), ku interesi i kredive në lekë është 10.75 për qind ndërsa ai në euro 9 për qind.

Ndërkohë që bankat e tjera luhaten në të njëjtat nivele interesash dhe më së shumti përpiqen të joshin klientët duke u ofruar lehtësim interesash gjatë një viti apo dy viteve të para të shlyerjes së kredisë. Për shembull, “Tirana Bank” ofron interesa më të ulëta (të bazuara vetëm në normën e interesit të Bonove të Thesarit, BTh, që do të thotë pa fitim për bankën) për dy vitet e para të kredisë, e cila në fazën e mëtejshme shkon në kuotën E+5 për monedhën euro dhe BTH+3 për lekun. Banka “Raiffeisen” ofron kredi në lekë me normë interesi Tribor+3 (Tribor është norma fikse e interesit e llogaritur bazuar në kuotimet e bankave referencë për të vendosur depozita në tregun ndërbankar të parasë, me vlerë kuotë aktuale rreth 9.4), ndërkohë që nuk jep kredi në euro për apartamente. Interesi i Bankës Kombëtare Tregtare për kreditë në monedhën lek është 12.47 për qind, ndërsa ai për kreditë në euro 11.5 për qind. Për Bankën Popullore interesi i kredive në euro është 9.5 për qind, ndërsa ai për kredinë në lekë 12.5 për qind.





Kohëzgjatja e kredive

Deri tani ka pasur një tendencë për të shkurtuar afatet e dhënies së kredive nga ana e bankave, ndërsa klientët nuk e kanë këtë prirje për shkak se rriten këstet mujore dhe kjo bëhet akoma më problematike kur tregu i punës nuk është i qëndrueshëm. Por, të dhënat e tregut, duke iu referuar ofertave të bankave, flet një përmirësim krahasuar me fillimin e vitit 2009.

Duke parë gjendjen e vështirë të shumë klientëve, bankat sugjerojnë paketa kredis me afat 15-20 vjet. Por, në anën tjetër, shuma e financuar për blerjen e shtëpive ka ndryshuar. Nëse deri para disa muajsh kishte shumë banka që ofronin kredi për blerje banesash në masën 100 për qind, sot është tejet e vështirë të gjesh oferta të tilla. Po ashtu, kontratat që bëjnë ndërtuesit me bankat janë modifikuar për shkak të situatës financiare. Klienti duhet të parapaguajë një shumë të konsiderueshme që lëviz nga 15-40 për qind dhe pjesën tjetër duhet ta marrë tek banka. Kjo e bën bankën më të sigurt dhe sjell më pak risqe financiare për të.













Box 1

A duhet marrë kredi tani?



Ndryshimet në tregjet financiare kanë shkaktuar pasiguri të madhe. Po ashtu, edhe zhvillimet në ekonomitë e brendshme kushtëzojnë marrjen e huasë. Në vendin tonë gjërat duken më optimiste sipas statistikave të brendshme apo ato të institucioneve financiare ndërkombëtare. FMN-ja, BERZH-i dhe BB kanë rishikuar edhe një herë ritmet e rritjes ekonomike vjetore për Shqipërinë, duke e çuar në masën 3 për qind. Duke parë ndryshimet e vazhdueshme të kursit të lekut me euron, dhe paqëndrueshmërinë e vendeve të punës, çdo kush heziton për të marrë një kredi. Po ashtu, një dilemë e madhe është nëse kredia duhet të merret në euro apo në lekë. Në një perspektivë afatgjatë, kur pritet që brenda 5 apo dhjetë vjetësh Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, një kredi në euro për çdo klient do të ishte e favorshme. Por kush duron deri atëherë? Gjërat janë më të sigurta në një perspektivë afatshkurtër ose afatmesme nëse merr një kredi në lekë. Përtej këtyre dilemave ka edhe sugjerime për klientët nga këshilluesit e mirë të bankave. Tani për tani ekspertët këshillojnë që të mbajnë fort të ardhurat që kanë siguruar; po ashtu, të mos bëjnë këmbime nga njëra valutë në tjetrën. E njëjta praktikë sugjerohet edhe në rast se do të marrësh një kredi. Ndonëse Banka Qendrore e uli normën e interesit për herë të dytë brenda një periudhe 1-vjeçare, kjo nuk po reflektohet me ulje të normave të interesit në lekë. Kjo po ndodh për shkak të pasigurive që kanë edhe vetë bankat. Prandaj, disa ekspertë sugjerojnë që të pritet një kohë më e mirë. Kjo nuk i pengon të guximshmit dhe të suksesshmit në biznes apo punë që të marrin kredi edhe në këto momente.





BSH: Kredia e keqe arrin në 8.7 për qind



Situata më e vështirë e sektorit real të ekonomisë si edhe tkurrja e burimeve të financimit gjatë periudhës, u shoqëruan me rënien e cilësisë së portofolit të kredisë. Në fund të muajit qershor të vitit 2009, kredia me probleme përfaqësonte 8.7 për qind të vlerës së përgjithshme të portofolit të kredisë. Në vijim, bankat kanë rritur fondet rezervë për humbjet e mundshme nga kreditë, dhe kjo është shoqëruar me një ndikim negativ në rezultatin financiar të periudhës. Sidoqoftë, në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit, sektori bankar shënoi një rezultat financiar pozitiv në vlerën 0.66 miliardë lekë. Për sa i takon kapitalizimit të veprimtarisë, ky tregues mbetet i qëndrueshëm dhe në nivele të kënaqshme. Në fund të muajit qershor 2009, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit rezultoi 16.9 për qind. Në ruajtjen e qëndrueshmërisë së treguesit të kapitalizimit të veprimtarisë, ka ndikuar ngadalësimi i investimeve me koeficient rreziku të lartë, ruajtja e një rezultati financiar pozitiv, mosshpërndarja e fitimit dhe rritja e kapitalit nga aksionerët.





Tabelat me kushtet e huave për shtëpi



Raiffeisen Bank



Shuma maksimale e financuar: 100 mijë euro ose ekuivalenti në lekë dhe dollarë amerikanë.

Afati i shlyerjes së huas: 20 vjet.

Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: 70%.

Normat e interesit: Në lekë: Tribor + 3.5% në vit.

Garancia që kërkohet: Hipoteka e pronës që do të blihet ose e një prone ekzistuese, në vlerën 135% të huas.

(Shënim: TRIBOR është 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave' në tregun ndërbankar të parasë. Aktualisht, interesi 12-mujor i Tribor është 9.39%)





Intesa SanPaolo Bank



Shuma maksimale e financuar: 100 mijë dollarë amerikanë ose ekuivalenti në euro dhe lekë.

Financimi: Jo më shumë se 70% e vlerës së apartamentit dhe jo më shumë se 50% e vlerës së dyqanit.

Monedha: EURO (8.5%) / USD / LEKË

Garancia: Shtëpia, dyqani që do të blihet/rikonstruktohet/mobilohet ose një pasuri tjetër provizore.

Të ardhurat mujore: Jo më shumë se 60% e të ardhurave duhet të shkojnë për pagesën e kredisë.





Banka Kombëtare Tregtare



Shuma maksimale e financuar: 500 mijë dollarë amerikanë ose ekuivalenti në euro dhe lekë.

Afati maksimal i shlyerjes së huas: 20 vjet për huat në lekë, 10 vjet për huat në valutë.

Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: 80%.

Normat e interesit: Në lekë: Bono Thesari 12-mujore +3.5% në vit. Në euro: 11.5% në vit.

Garancia që kërkohet: Hipoteka e shtëpisë ose e një pasurie tjetër të paluajtshme.

(Norma aktuale e bonove të thesarit është 9.4 për qind.)



Banka Popullore



Shuma maksimale e financuar: -

Afati maksimal i shlyerjes: 15 vjet.

Përqindja e vlerës së shtëpisë që financohet: 80%.

Normat e interesit: Në euro, euribor 12-mujor + 6.5% në vit, me dysheme 9.5%

Në lek: Bono thesari 12 mujore + 3% në vit (për dy vitet e para vetëm Bono Thesari- BTH+0%).

Garancia që kërkohet: Pasuri e patundshme, në vlerën 120% të huas.

(Norma euribor është aktualisht 1.25 për qind.)





NBG Bank



Shuma maksimale e financuar: 250 mijë euro.

Afati maksimal i shlyerjes së huas: 20 vjet.

Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: 75%.

Normat e interesit: Në euro: 9% në vit. Në lekë: 10.75%

Garancia që kërkohet: Hipoteka e pronës që do të blihet ose e një prone ekzistuese.



Tirana Bank



Shuma maksimale e financuar: 100 mijë euro ose ekuivalenti në lekë dhe dollarë amerikanë.

Afati maksimal i shlyerjes së huas: 25 vjet.

Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: Në lekë 70%, në euro 60%.

LEKË = Bono thesari (12m) + 3 %

EURO = Euribor (3m) + 5.5% (me një minimum prej 9%)

Garancia që kërkohet: Hipoteka e pronës që do të blihet ose e një prone ekzistuese, në vlerën 143% të huas.



Alpha bank

Interesi: LEKË = Bono thesari + 5%

Kolaterali 140% e shumës së kredisë







Union Bank



Shuma maksimale e financuar: -

Afati maksimal i shlyerjes së huas: 20 vjet.

Përqindja maksimale e vlerës së shtëpisë që financohet: 70%.

Normat e interesit: Në lekë BTH 1v + 3.5%

Në euro: Euribor 1v + 6.1%

Garancia që kërkohet: Hipoteka e pronës që do të blihet ose e një prone ekzistuese





6 Nentor 2009