Redi Gjuzi

Kriza e besimit të qytetarëve dhe bizneseve ndaj sistemit bankar ka përfunduar, por kriza e besimit të bankave ndaj qytetarëve dhe bizneseve po thellohet. Statistikat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë qartë, se në muajt e fundit është rritur ndjeshëm depozitimi i parave në banka. E thënë ndryshe, biznesi dhe qytetarët kanë filluar të derdhin kursimet e tyre në banka. Sipas shifrave të fundit zyrtare, depozitat e reja gjatë një muaji kanë arritur në 59.500 miliardë lekë, të ndara sipas afateve. Shifra është rreth 22.2 miliardë lekë më e madhe se një muaj më parë. Shifrat flasin qartë se qytetarët i janë rikthyer bankave. Me një logjikë të thjeshtë, do të mendohej se rritja e besimit në sistemin bankar do të sillte për rrjedhojë edhe të kundërtën, pra rritjen e besimit të bankave te individët. Por kjo gjë, sipas shifrave nuk ka ndodhur. Statistikat tregojnë se kreditë e reja të dhëna gjatë një muaji kanë rënë me 3.2 miliardë lekë më pak se një muaj më parë. Pra, nuk bëhet fjalë për një krizë likuiditeti, por në treg ka aktorë më të leverdisshëm dhe të sigurt sesa biznesi dhe qytetarët.
Investimi në Bono
Shifrat tregojnë se bankat po mbledhin para dhe nuk po i investojnë ato me të njëjtat ritme për biznesin dhe konsumatorët. Në fakt në treg ka edhe një aktor tjetër që i ka dalë biznesit dhe konsumatorëve si një konkurrent i fortë. Çuditërisht ky aktor është qeveria. Bankat janë biznes dhe si çdo biznes tjetër përpiqen të maksimizojnë fitimin dhe të ulin riskun. Kushte më të mira se në Shqipëri për të arritur një objektiv të tillë nuk ka. Dy aktorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave, kanë krijuar ambientin më të mirë të mundshëm për një aktivitet bankar sa më fitimprurës dhe me më pak risk se asnjë investim tjetër. Në teorinë dhe praktikën ekonomike, investimi më i sigurt është ai në bono thesari. Shteti asnjëherë nuk falimenton. Bonot e thesarit janë një instrument me anë të të cilit buxheti i shtetit merr para për të mbuluar deficitin e të ardhurave. Sa më shumë të rritet ky deficit, aq më shumë rritet kërkesa e buxhetit për para dhe aq më i shtrenjtë bëhet interesi i bonove. Në ankandin e fundit të bonove të thesarit, interesi për maturimin 12 mujor arriti në 9.4 për qind. Kjo është norma më e lartë e interesit gjatë këtij viti dhe ndër më të lartat që nga viti 1998. Rritja e normës së interesit tregon qartë kërkesën e lartë për para, që ka qeveria për mbushjen e deficit të buxhetit. Rritja e interesit është e frikshme në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, apo në krahasim edhe me fillimvitin. Në janar të këtij viti interesi i bonove 12 mujore ishte 8.84 për qind, ndërsa në ankandin e fundit të shtatorit, interesi shkoi në 9.4 për qind, pra me një rritje prej rreth 0.56 për qind. Krahasimi bëhet i frikshëm po të bëhet me vitin e kaluar. Në shtator 2008, interesi i bonove ishte 8.02 për qind. Pra në krahasim me një vit më parë, interesi i boneve të thesarit është rritur me 1.25 për qind. E thënë më thjeshtë, bankat për të njëjtin nivel risku, këtë shtator marrin 1.25 për qind më shumë fitime për investimin e tyre. Kjo ndoshta është arsyeja që në ankandet e fundit, shuma e kërkuar nga banka është shumë më e madhe se sa ajo që kërkon të marrë qeveria. Në ankandin e fundit bankat kërkuan 13,686 miliardë lekë bono thesari, ndërsa qeveria pranoi vetëm 11 miliardë lekë.
Biznesi
Duket se lufta në treg midis biznesit dhe bonove të thesarit, ose kërkesës së qeverisë për para, po fitohet nga kjo e fundit. Normat e larta dhe shtimi i kërkesës për para, kanë bërë që bankat, investimet e tyre t’i bëjnë në bono dhe jo në kredi. Sigurimi i një tregu të tillë, e bën biznesin dhe individët të pafuqishëm të konkurrojnë me interesin e bonove të thesarit. Kjo si arsye e parë ekonomike. Nga ana tjetër, normat e larta të interesit të bonove të thesarit, ndikojnë direkt edhe në normat e interesit të kredive. Tribori, sipas shifrave të fundit të Bankës së Shqipërisë, ka arritur në 9.41 për qind. Mbi bazën e kësaj norme, bankat vendosin interesin e kredive (duke i shtuar edhe fitimin e bankës). Sa më e lartë të jetë kërkesa e qeverisë për para, aq më i lartë do të jetë interesi i bonove të thesarit dhe aq më i lartë do të jetë interesi i kredive për bizneset dhe konsumatorët. Nga ana tjetër, sa më i lartë të jetë interesi i kredive, aq më të vështira bëhen ato për bizneset dhe konsumatorët, Në këto kushte, duket se bankat po ngelin të kënaqura me normat e interesit të bonove dhe sigurinë e tyre 100 për qind, duke i investuar paratë për të mbushur deficitin e buxhetit dhe jo për të rritur investimet e biznesit dhe konsumatorëve.
Banka e Shqipërisë
Një aktor tjetër në këtë treg është Banka e Shqipërisë. Norma bazë e interesit të lekut ndikon direkt në normën e interesit të depozitave, kredive dhe bonove të thesarit. Banka e Shqipërisë e uli me rreth 0.5 për qind normën bazë të interesit në fillim të vitit. Por kjo lëvizje e saj, nuk po i jep efektet në uljen e interesave të kredive apo bonove të thesarit. Ka që nga janari që Banka e Shqipërisë nuk po ndërmerr një hap tjetër në uljen e normës bazë të interesit, edhe pse normat e bonove dhe kredive po rriten nga muaji në muaj. Norma e bonove të thesarit, jo vetëm nuk u ul pas vendimit të Bankës së Shqipërisë, por është rritur shumë më tepër se sa parashikimet. Mosndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në uljen e normës bazë, sigurisht që nuk ndihmon që “luftën” në treg mes bonove dhe biznesit ta fitojë ky i fundit.


Interesat e Bonove 12 mujore

Gusht        8.15%
Shtator        8.02%
Tetor        7.94%
Nëntor        8.10%
Dhjetor        8.56%
Janar        8.84%
Shkurt        8.87%
Mars        9.07%
Prill        9.13%
Maj        9.15%
Qershor        9.23%
Korrik          9.28%
Gusht        9.29%
Shtator        9.40%

Interesat e obligacioneve

Gusht        8.3 % 
Shtator        8.2 %
Tetor        8.15%
Nëntor        8.29%
Dhjetor        8.95%
Janar        9.3 %
Shkurt        9.15%
Mars         9.25%
Prill        9.46%
Maj        9.46%
Qershor        9.45%
Korrik        9.45%
Gusht        9.55%
Shtator        9.60%