Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, ka ekstraduar tre persona, të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Kështu, Interpol Tirana realizoi ekstradimin nga Londra, Angli, të shtetasit shqiptar Asim Murtati, vjeç 31, nga Kukësi.


Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës me vendim të datës 03.11.1998 e ka dënuar me 11 vjet burgim për veprën penale të “vjedhjes me armë në bashkëpunim”. Shtetasi Asim Murtati më datën 18.11.1997, në bashkëpunim me shtetasit Shpend Murtati, Agron Cubi dhe Kismet Muja, duke qenë të maskuar dhe nën përdorimin e armëve të zjarrit, i kanë zënë pritë një makine transporti njerëzish dhe pasi kanë kërcënuar udhëtarët me armë, i kanë grabitur ata.


Ndërkohë, u ekstraduan nga Italia dy shtetas shqiptarë të kërkuar. Sokol Methoxha, 39 vjeç u deklarua fajtor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Skrapar për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit”. Ndërsa Roland Maci, 38 vjeç nga Vlora është dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale “Mbajtje e substancave narkotike”. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas këto shtetas i janë dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.