24-05-2012 / Gazeta 55

Duke u paraqitur si zëdhënëse e shoqërisë civile, Delina Fico, ish-gruaja e Edi Ramës, është shndërruar në një lojtare të rëndësishme, në skemën e PS-së, për të mbajtur nën kontroll presidencën. Ajo po tenton ta denatyrojë procesin parlamentar të zgjedhjes së kreut të shtetit, në mënyrë që pas disa ditësh, nga rrethi i ish-bashkëshorteve të tjera të Edvinit, të dalë “xholi” që do paraqitet si “jopolitiku” i përshtatshëm për të marrë konsensusin e politikës. Kjo skemë shkatërron parimin kushtetues mbi presidentin, por edhe zbulon faktin se si Edi Rama po shkatërron karrierat politike të drejtuesve të PS-së 

Dy ditë më parë, një i ashtuquajtur “Koalicioni i Shoqërisë Civile”, pa pasur asnjë tagër e duke shkelur vetë deontologjinë e organizimit të tyre, pra, atë të mosangazhimit me çështje politike, për të cilat duhet mendimi i zgjedhësve, doli dhe shpalli “parakushtet” që duhet të plotësojë presidenti i ardhshëm i republikës. E zeza mbi të bardhë, këta përfaqësues të vetemëruar e të pavotuar prej njeriu, shpallën se presidenti i ri s’duhet të vijë nga politika.
Çështja është në fakt jo aq e ndërlikuar e jo aq idealiste sa duket në plan të parë. Ky koalicioni i shoqërisë civile është mësuar të angazhohet rregullisht në kauza që në përgjithësi janë kauza politike e në 99 përqind të rasteve, në mbështetje të së majtës (përjashtim bënte viti 2004, kur për interesat e Edi Ramës, ky koalicion doli kundër kryemajtistit Fatos Nano).
Dhe prapë tani, pas përcaktimit të piketave prej Edi Ramës, se s’do pranojmë asnjë kandidat nga PD-ja e se s’kam ndërmend të propozoj ndonjë militant nga PS-ja, “Koalicioni i Shoqërisë Civile” paraqet pa mandat “identikitin” e presidentit të ri, duke e përcaktuar atë si rreptësisht jopolitik. Fraza përcaktuese është shqiptuar nga Delina Fico, ish-gruaja e Edi Ramës.
Zonja Fico, edhe pse jo e angazhuar ligjërisht me interesat personale të Edi Ramës, s’përton të jetë në vijën e parë të zbatimit të strategjisë për të çuar në krye të shtetit një njeri “jopolitik”, i cili me sa duket do të jetë aq jopolitik, sa është Delina Fico dhe koalicioni i saj i “shoqërisë civile”.
Depolitizimi i procesit të zgjedhjes së presidentit të ri i shërben skemës së mbajtjes së institucionit të kryetarit të shtetit prej të njëjtave qarqe që mundësuan kontrollimin e administratave të Moisiut e të Topit, prandaj edhe procesi duhet të orientohet drejt shmangies nga politika, si e vetmja rrugë që legjitimon emrin e paramenduar prej establishmentit të Edi Ramës për t’u dërguar atje. Për emrin e paracaktuar ende s’ka informacione konkrete e zyrtare. Të paktën, ish-gruaja e Edi Ramës, Delina Fico s’ka dhënë indicie të tilla, por s’është çudi që së afërmi, në rrethin e ish-bashkëshorteve të Edi Ramës të zbulohet edhe “xholi” që “shoqëria civile” do të dojë të katapultojë në krye të shtetit shqiptar, për interesa të brezit të dytë të Bllokut enverist. Kjo skemë shkatërron parimin kushtetues mbi procesin politik që zbatohet kur zgjidhet kreu i ri i shtetit, por edhe zbulon faktin se si Edi Rama po shkatërron karrierat politike të drejtuesve të PS-së, duke i përjashtuar ata “apriori” nga gara, për t’i zëvendësuar me njerëzit që vijnë nga oborri personal - më saktë nga oborri personal i ish-bashkëshorteve. 

...