Intervistoi: Vehbi Bajrami



Isuf Luzaj, një nga protagonistët e Ballit Kombëtar gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe koleg me Enver Hoxhën, rrëfen në një intervistë detaje në fillimet e karrierës për ish-diktatorin. Periudha në Liceun e Korçës, roli i tij në Partinë Komuniste dhe Konferenca e Mukjes janë disa prej detajeve që Prof. Luzaj tregon për gazetarin Vehbi Bajrami, botues i gazetës shqipe “Illyria” në Shtetet e Bashkuara. Në morinë e gjërave që flet ish-protagonisti i Ballit Kombëtar është edhe një bisedë që ai ka zhvilluar me një mjek japonez që trajtoi për 5 vjet Enver Hoxhën, një detaj ky që zbardh një anë të panjohur. Profesori shqiptar që u bë i njohur në rrethet akademike amerikane tregon edhe për shkaqet e humbjes së Ballit Kombëtar, dhe për këtë ai fajëson kastën e bejlerëve dhe përfshirjen e kolaboracionistëve në këtë parti.

Profesor Luzaj është diplomuar në Sorbonë dhe është dekoruar nga Presidenti amerikan Ronald Regan. Intervista është marrë nga libri “Shqiptarët e Amerikës”, të botuesit të gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami.



Si ka qenë periudha para pushtimit gjerman për ju?



Vitet 1936-1938 qenë vite të zeza. Kanë vdekur fshatarët në Vlorë, me bar në gojë; ua shoi jetën uria. Atëherë ra edhe tërmeti, që rrënoi çdo gjë. Studentët ishin shumë të pakënaqur me gjendjen e krijuar. Më 28 nëntor të vitit 1938, njëmijë e tetëqind studentë të Liceut të Korçës bënë një demonstratë të madhe. “Duam bukë! Populli po vdes!” - thërrisnin ata. Erdhi urdhri për arrestime. I futën studentët në oborrin e Liceut dhe ua mbyllën dyert. Tri ditë studentët qëndruan të mbyllur, pa bukë e pa ujë. Pas disa ditësh erdhi Harilla Teodosi, inspektor i Përgjithshëm i Pallatit Mbretëror, për të inspektuar gjendjen. Ai ishte shqiptar nga Bullgaria që e fliste dobët shqipen. Dha urdhër të liroheshin studentët. Liceu i Korçës ishte lice francez. Ishim vetëm tre profesorë shqiptarë: unë, Enver Hoxha, që e emëroi kunati i tij (edhe pse nuk kishte diplomë) dhe Sotir Kozmo. Të tjerët ishin nga Franca. Drejtori i Liceut, De Kurvil, mblodhi të gjithë profesorët dhe filloi të pyeste: “Pse janë ngritur studentët në demonstratë? A e përkrahin studentët komunizmin?”. Fola edhe unë. “Studentët e Liceut duan një qeveri demokratike, një qeveri që ta votojë Parlamenti”.

“Studentët janë komunistë”, – bërtiti dhe u ngrit në këmbë me kamxhik në dorë Harila Teodosi. Ai ishte njeriu më i afërt i Zogut. Rrihte gjeneralët dhe ministrat. Askush nuk guxonte t’ia kthente fjalën. “Në qoftë se ata janë komunistë, - tha Harila, - ju dhe Enver Hoxha i keni mësuar të bëhen të tillë”. “Unë ju siguroj se studentët nuk janë komunistë, por liberalë”, - i thashë. Dhe, isha i bindur për këtë. Më vonë e kuptova se nuk kisha thënë të vërtetën. Enver Hoxha kishte bërë punën e vet në mënyrë të fshehtë tek Ëmbëltorja e Koçi Bakos, duke i tubuar studentët netëve të vona dhe duke u shpjeguar doktrinën marksiste. Këta studentë më vonë e bënë atë komisar politik dhe më vonë u zgjodh sekretar i Partisë Komuniste.



A foli gjë Enveri në takim me Harilla Teodosin?



Jo, ishte më i zgjuar se ne. Qe dinak i madh. Ne kishim qenë shokë në Paris, shokë në atdhe dhe nuk e kisha ditur se ai po organizonte e frymëzonte studentët për të përkrahur komunizmin. Për të dua t’ju flas më vonë gjerësisht.



Më 7 prill të vitit 1939, Italia zbarkoi në Shqipëri. Si e kujton atë kohë Prof. Isuf Luzaj?



Ditën e Pashkëve, Musolini tha në radio: “Për këto Pashkë, vezët do t’i kuqim me gjak”. Unë isha profesor në Shkollën Tregtare të Vlorës. “Ne duhet të vemë në luftë”, - i thashë drejtorit. “Me kë të luftojmë? Nuk e di se ata vijnë me topa e vaporë?”- ma ktheu ai. Së bashku me nja 120 studentë vendosëm të luftojmë kundër italianëve. Morëm ca pushkë të vjetër. Ato ishin të ndryshkura se i kishin futur në një xhami që pikonte. Në dhjetë pushkë, vetëm njëra zbrazte fishekë. Në atë konflikt me italianët në Vlorë më shumë luftoi krahina e Kuçit, e udhëhequr nga Rrapo Çeloja. Me të ishin rreth 600 katundarë të armatosur me pushkë. Ata qëndruan tri orë te porti. Disa prej tyre u vranë e disa u plagosën. Nga studentët tanë u plagos Fadil Katoshi nga Durrësi. Ushtria italiane kishte nja 4-5 vaporë. Vlorën nuk e bombarduan. Fshatarët i kthyen tri herë varkat e vaporët.



Ç’ndodhi pas zbarkimit italian në Shqipëri?



U mbyllën shkollat, filluan të mbahen demonstrata kundër pushtuesve italianë. Në Vlorë u bë demonstrata e parë e studentëve me flamurin tonë, pa shenja të Italisë. Rreth një mijë studentë dhe një mijë qytetarë brodhëm rrugëve të Vlorës duke kënduar Himnin e Flamurit. Një student i Shkollës Tregtare vrau një polic italian. Lindi dyshimi se e kisha bërë unë një vepër të tillë dhe më arrestuan. Së pari më çuan në burgun e Vlorës e pastaj në atë të Durrësit, prej nga, pas disa muajsh, më transferuan së bashku me 12 studentë në Brindizi të Italisë. Ky ishte burgu më i keq që kam parë në jetë. Prej burgut të Brindizit na transferuan në Gaeta e prej atje në Ventotene. Aty takova Abaz Ermenjin e Llazar Fundon, filozofin më të madh që ka pasur raca shqiptare. Këtu na mbajtën deri në vitin 1942. Se kush u kishte treguar përgjegjësve të burgut se unë kisha shkruar poezi për luftën e Vlorës! Ky u bë shkak që të më çonin në një kështjellë në Cortono D’Areco. Atje njoha Ali Këlcyrën, i cili më tregoi se para se ta internonin kishte formuar Ballin Kombëtar me Mit’hat Frashërin, Fuat Bej Dibrën e Lef Nosin, po nuk kishin statut të organizatës. Në varrezat e kështjellës, të dielave, populli shkonte për të vendosur lule. Edhe ne, një ditë blemë ca lule për të nderuar të vdekurit, vetëm që karabinierët italianë të mos na hetonin se po bashkëpunonim. Në atë vend, disa të diela rresht shkruam Dekalogun e Ballit Kombëtar. Ali Këlcyra fliste, unë shkruaja. Unë propozova që në Dekalog të hynte pika e shtatë: “Organizata e Ballit Kombëtar do të zbulojë vlerat e vërteta, do t’i edukojë njerëzit pa marrë parasysh besimin, krahinën ose partinë politike”.



Si u liruat nga burgu?



Ali Këlcyrën e falën. Kur shkoi në Shqipëri, foli me Ernest Koliqin, ministër i Arsimit. I tregoi se kishte dy vjet që po qëndroja në burg dhe isha i sëmurë. Unë në të vërtetë nuk isha i sëmurë, por këtë e tha që të më lironin më shpejt. Kështu, më liruan nga burgu. Ali Këlcyra, pas lirimit, u bë mik i gjeneralit Dalmaco, që ishte komandant i ushtrisë italiane në Shqipëri. Donte të mësonte nga ai planet e pushtuesve në Shqipëri dhe, meqenëse kishte ca pyje, ua shiti atyre për të prodhuar letër. Këto ishin kontakte tregtare personale. Kështu e dinim ne në atë kohë. Po ai, siç thashë, më shumë i bëri që të ishte në kontakt me Dalmacon. Historia do të gjykojë se a bëri keq ai që u fut në një lloj marrëveshjeje me të: “Mos më vrit, nuk të vras”. Gjithçka është shkruar për historinë e Ballit, po historia kurrë nuk është qind për qind e drejtë. Një filozof francez thotë: “Historia, 50 për qind është false”. Pse? Sepse ai që shkruan thotë atë që di. Po ai mund të dijë pjesën e vogël të gjërave që kanë ndodhur. Historinë e vërtetë nuk e shkruan as komunistët, nuk e shkruaj as unë, por do të kalojnë shumë e shumë vjet, kur të shuhen inatet dhe mëritë, të qetësohet deti dhe të dalin një apo më shumë historianë që të shkruajnë historinë.

Kur dola nga burgu, Ali Këlcyra më caktoi të shkoja anekënd Shqipërisë për të organizuar rininë kundër Italisë. Ishte maji i vitit 1942. Partia Komuniste kishte formuar çetat, por nuk ishte futur në aksion. Priste urdhrat nga Beogradi. Më vonë u formuan çetat e Ballit Kombëtar. Komandant u emërua Hysni Lepenica dhe këshilltar politik i tij Hysni Muço.



Cilat kanë qenë luftërat më të rëndësishme të Ballit kundër okupatorit italian?



Lufta më e rëndësishme ka qenë ajo e Selenicës, që e kam komanduar unë, si dhe lufta e Sykuqit dhe e Ballshit, nën udhëheqje të Hysni Lepenicës. Hysniu ishte atdhetar e trim. Vetëm Skënderbeu mund të ketë qenë më trim se ai. Po ai ishte i pashkolluar. Nuk e dinte se ç’ishte partia e ç’ishte statuti. Në pesë luftëra e kam parë me sytë e mi tek ecte në këmbë, me pushkë në dorë, ballë për ballë me armikun. Në të djathtë e në të majtë vriteshin njerëzit, mitralozi korrte dhe barin e atë nuk e kapte plumbi. Ngrihej në këmbë, thërriste luftëtarët që të shkonin pas tij, duke u thënë se plumbi i italianit nuk e kapte. Prej këtyre luftërave, megjithatë, më e rënda ishte ajo e Ballshit. Kjo luftë zgjati tri ditë e katër net. Në fund italianët u dorëzuan.

Në një libër kam lexuar më vonë se meritat për këtë Enver Hoxha ua faturon komunistëve. Po atë luftë nuk e bëri as Balli, as Partia Komuniste. 37 luftëtarë shqiptarë vdiqën, po nuk i njihte askush se kush ishin. U plagosën edhe rreth njëqind të tjerë. E di si fillon lufta? Njeriu, me të dëgjuar se ka krisur pushka, le qetë në arë, merr pushkën dhe shkon në luftë. Dhe nuk dihet kush se ç’është. U plagos edhe një djalë që ishte roja im personal.



Sa veta u vranë në anën e kundërshtarëve?



Ata u vranë më shumë, por nuk dihej numri. Ne u detyruam të iknim. Sikur të qëndronim më shumë, do të bëhej kasaphanë, sepse erdhën edhe katër batalione italianësh dhe nuk kishim mundësi të përballeshim me ta.



Si u organizuan luftëtarët shqiptarë për këtë betejë?



Iniciativa për të kundërshtuar italianët në Ballsh ishte e Ballit Kombëtar, pasi ramë dakord në Shkozë, në shtëpinë e Gani Alikos, me Mehmet Shehun, Hysni Kapon dhe një inxhinier komunist. Në çdo fshat kishim nga një celulë prej tre vetash. Nga tre veta kishte edhe Partia Komuniste. Prej anëtarëve të celulave askush nuk u vra. Komunistët nuk kishin asnjë oficer teknik të luftës. Ne, të paktën, kishim njërin që kishte qenë toger ushtrie për pesëmbëdhjetë vjet.



A ishit të armatosur dhe ku i gjenit armët?



Armatimi ynë ishte i vjetër. Kishim vetëm dyfekë e mitraloza.



Prof. Luzaj, ju keni marrë pjesë aktive në Konferencën e Mukjes. Ç’ka mbetur në kujtesën tuaj? Si e patë atëherë këtë ngjarje dhe si e shihni sot?



Konferenca e Mukjes, në vitin 1943, është ngjarja pa të cilën është vështirë të flitet për historinë e asaj kohe. Ata që morën pjesë në të, me të vërtetë ishin përfaqësues të popullit. Në të merrnin pjesë edhe kosovarët, edhe çamët, edhe komandantët e forcave të armatosura. 12 përfaqësues kishte Balli, e po aq kishte edhe Partia Komuniste. Idenë për mbajtjen e Konferencës e dha Mit’hat Frashëri me Ali Këlcyrën. Mit’hati më pat thënë se idenë e kishte diskutuar edhe me Lef Nosin e Fuat Bej Dibrën. Ky i dyti dikur kishte 5 restorante në Paris. I kishte dhënë Ismail Qemalit 30 mijë napolona floriri që të shëtiste botën dhe i paguante gazetat që të botonte artikuj në dobi të çështjes tonë kombëtare. Erdhi koha që kur u kthye në Shqipëri nuk kishte ku të flinte. Mori me qira një shtëpi në Tiranën e vjetër. Në Konferencën e Mukjes, përveç këtyre të dyve, mbaj mend këta persona nga ana e Ballit: Mit’hat Frashërin, kryetar, Ali Këlcyrën, nënkryetar, Hasan Dostin, sekretar, Hysni Lepenicën dhe Hysni Muçën. Nga ana e Partisë Komuniste ishin: dr. Ymer Dishnica, Abaz Kupi, i cili më vonë braktisi PK për shkak të çështjes së Kosovës, Mustafa Gjinushi dhe Mustafa Kaçaçi. Të tjerët nuk i njihja se kush ishin. Merrnin pjesë mijëra veta që rrinin nën ullinj, se aty nuk kishte shtëpi. Kishte vetëm një mulli atje afër ku flinte Mit’hat Beu i sëmurë nga kolla. Në shesh ishin vendosur 24 veta, ndërsa të tjerët rrinin anash. U bisedua tërë ditën çështja e Kosovës dhe më në fund komunistët dërguan kasnecin që merrte urdhra nga Enver Hoxha: u pranua Marrëveshja. Kur u mor vendimi i përbashkët nga përfaqësuesit e Ballit dhe PK, që Kosova të jetë pjesë e Shqipërisë etnike, jehuan kodrat e fushat nga duartrokitjet e turmës, së cilës nuk i shihej fundi. Gëzim më të madh në jetë nuk kam pasur. Më vonë, siç e dini, nga presioni i komunistëve jugosllavë, komunistët shqiptarë na e kthyen shpinën.

Kur u bë pajtimi mes ballistëve dhe komunistëve në Konferencën e Mukjes hartuam traktet; i hodhëm në Tiranë e gjetkë dhe së bashku me Mit’hat Frashërin, Fiqri Dinen, Fuat Beun dhe Lef Nosin vajtëm në Dibër. Më emëruan përfaqësues të çetave të Ballit Kombëtar. Unë duhej t’u jepja urdhër çetave sesi duhej të vepronin dhe t’i raportoja Komitetit. Hysni Lepenica u emërua komandant i çetave të Ballit në Jug të vendit, ndërsa Hysni Muço ndërlidhës i çetave të Ballit me Komitetin Qendror. Në atë kohë italianët dogjën pallatin e Fiqri Dines. Ai pallat i bukur, me katër kate, bëri dy javë derisa u dogj. Filluam luftën kundër italianëve. Me ne ishte edhe Cen Elezi, i biri i Isuf Elezit. U mblodhëm 180 bajraktarë dhe formuam “Besën dibrane”. Mbajti një fjalim Mit’hat Beu. Fola edhe unë. Dëshpërimin më të madh në jetë e kam pasur atje, kur e kuptova se ata që udhëhiqnin Ballin ishin bejlerë. Fatkeqësia më e madhe ishte se disa prej tyre kishin bashkëpunuar me qeverinë italiane, siç ishin Gjon Marka Gjoni, Pjetër Llaci, Mustafa Kruja… Dhe ata ishin këshilltarët e Ballit Kombëtar. Në Dibër gjetëm edhe një prefekt nga Kurveleshi që, po ashtu, kishte bashkëpunuar me italianët. Kështu, “Besa dibrane” u shua, ndërsa italianët vranë Qazim Koculin në Vlorë. Vdekja e tij ishte edhe vdekje e Ballit, sepse ai ishte si Perëndia i Labërisë. Kur i thosha popullit që të vemë në luftë, më pyesnin: “Ç’thotë Qazimi?”. Po të mos vritej ai, mendoj se nuk do të fitonte as Partia Komuniste.



Cilat janë shkaqet e dështimit të Ballit?



Faji kryesor i mosorganizmit tonë ishte te bejlerët, të cilët ishin anëtarë të Komitetit Qendror. Balli, për të mos fituar komunistët, do të duhej të bënte këto gjëra: të mbante tri grupet e ushtrisë nën komandën e vet; një grup në Shkodër, ndërsa dy të tjerët në Tiranë e Elbasan, që përbënin rreth 120 mijë ushtarë të armatosur. Po t’i udhëhiqte Balli këta ushtarë, komunistët nuk do të fitonin. Komandantët e grupeve erdhën ilegalisht me ne, ndërsa ushtarët shkuan në shtëpitë e tyre. Ushtarët dhe oficerët i lanë kazermat dhe vetëm gjeneralët erdhën me ne! Balli, po ashtu, nuk ishte në gjendje të formonte çeta në tërë Shqipërinë. Çeta pati vetëm në Vlorë, Berat dhe në Korçë. Në Korçë çeta u shkatërrua, sepse komandanti bëri vetëvrasje. Në prefekturën e Beratit ishte Abaz Ermenji që nuk zbrazi asnjë pushkë kundër italianëve se, s’kishte rast, meqë italianët ishin në Vlorë e Berat.



A ishit ju atëherë të vetëdijshëm për këto që thoni sot?



Në atë kohë nuk i dija këto gjëra. Vetëm në Dibër e kuptova se kishim humbur luftën për shkak të bejlerëve nga të cilët Shqipëria kurrë s’ka pasur e as që do të ketë ndonjë përfitim. Bëjnë përjashtim bejlerët siç ishte Ismail Qemali, Mit’hat Frashëri e ndonjë tjetër. Përveç kësaj, në Komitetin Qendror nuk patëm asnjë njëri të ri. Isha vetëm unë, që nuk kisha shumë eksperiencë.



Si e çmoni personalitetin e Mit’hat Frashërit?



Mit’hati ishte një njeri shumë i ndershëm, atdhetar qind për qind e i sinqertë. Demokrat në teori, aristokrat në praktikë. Në teori e donte demokracinë, po në praktikë ishte me bejlerët e Toptanit, sepse i kishte farefis dhe me ata të Elbasanit, të Korçës e të Shkodrës. Ata bejlerë, siç thashë, ishin armiku i popullit, sepse ata e mbajtën në hu e litar 500 vjet popullin shqiptar, nën sundimin turk. Një shqiptari që i shërbente sulltanit, i jepej titulli “Bej”.



Komunistët ishin më të organizuar se Balli Kombëtar?



Ata ishin shumë më të organizuar. Kishin përvojë, sepse u vinin urdhrat dhe mësimet nga Beogradi. Balli Kombëtar nuk kishte as statut, as kod apo ligj. Nuk patëm asnjë letër të shkruar se ç’duhej të bënim…



Çlirimi i Shqipërisë është produkt i rrethanave historike, apo…?



Çlirimi i Shqipërisë është vdekja e boshtit Romë-Berlin. Luftën e humbën Hitleri dhe Musolini. Shqipëria mbeti zonë e asnjërit. Atëherë, Partia Komuniste, që ishte më e organizuar sesa Balli Kombëtar, mori fuqinë në dorë. Duhet të dimë një gjë: komunistët nuk kanë zhvilluar asnjë betejë kundër gjermanëve. Është turp të thonë se kanë luftuar. Ata hynë në Vlorë pesë ditë pasi ikën gjermanët. Gjermanët ishin në Shkodër kur ata erdhën në Tiranë.



Në fillim të kësaj bisede thatë se nuk ka njëri që e ka njohur më mirë Enver Hoxhën. Cili ishte Enver Hoxha?



Ai qëndroi 11 vjet në Francë dhe nuk e fitoi diplomën. I jepte para kunati i tij që ishte milioner nga Gjirokastra. Ky i hiqte atij shpenzimet, sepse do të fejohej e martohej me motrën e tij. Kur ai vajti e pyeti në Universitet dhe mori vesh se s’kishte dhënë asnjë provim, ia ndërpreu ndihmat. Enveri më vonë mbeti pa burim të financimit dhe u fut në Partinë Komuniste, sepse ajo u jepte të huajve dreka e darka, ushqim e strehim. Mbante një çantë të madhe për t’u paraqitur para të tjerëve se kishte libra në të. Ndërroi disa fakultete, por nuk u diplomua kurrë. Të tregoj edhe një barcaletë për të. Një ditë ai më telefonoi vonë. “Ç’ke bërë ashtu?” – më pyeti i nervozuar, - ke nxjerrë nga çanta ime librat e ke futur ca tulla në të?”. Iu betova se nuk e kisha bërë unë një gjë të tillë. Kur i tregova për këtë Dhori Panos, ma ktheu duke qeshur: “Unë kam gjashtë muaj që ia kam futur në çantë ato tulla e ai tani i paska parë!”. Enver Hoxha na pat treguar një ditë se e kishte vështirë ta gjente Universitetin ku ishte regjistruar, sepse shkonte atje njëherë në gjashtë muaj.

Pata rast të takoja një doktor japonez në Amerikë, i cili kishte qenë mjek personal i Enver Hoxhës. Ditën që m’u dha Medalja e Nderit nga presidenti Ronald Regan në Universitetin e Indianës, erdhën edhe disa shqiptarë. Stavro Skëndi, profesor në Universitetin “Columbia” dhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Amerikës më njohu me doktorin japonez. Ai kishte qenë 5-6 vjet mjek i Enver Hoxhës. Më tha se diktatori shqiptar ngrihej shpesh natën nga gjumi dhe bërtiste: “Erdhën, erdhën, erdhën të më vrasin!”. Vinte roja me vrap dhe pyeste ç’kishte ndodhur. “I hidhnin pak ujë të ftohtë. Më thirrën pastaj mua për t’i dhënë injeksion”.











4 Mars 2010