Autori i Lajmit: red.
Sistemi i Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme vepron sipas ligjit nr.7843 dt. 13.7.1994 “Për Rregjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”, duke ofruar një mënyrë tërësisht të re për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme. Ndryshimi thelbësor i kësaj mënyre të rregjistrimit të pasurive, nga ajo që aplikohej në zyrat e hipotekës, konsiston në sigurinë që ofron kjo formë regjistrimi duke i shtuar dokumentit ligjor me të cilin bëhej regjistrimi në hipotekë, edhe dokumentin teknik (Harta Treguese e Regjistrimit) si dhe duke bërë afishimin e listave të pasurive. Rregjistrimi fillestar i një pasurie bëhet nga Zyrat e Njësisë së Menaxhimit të Projektit, ndërsa zyrat e rregjistrimit të pasurive të paluajtshme bëjnë veprime, vetëm pasi ka mbaruar procesi i rregjistrimit fillestar të kësaj pasurie. Fazat nëpër të cilat kalon regjistrimi fillestar janë përgatitja e Hartës Treguese të Regjistrimit (HTR) dhe e Librit të Ngastrave (LN) të terrenit nga rilevimi apo azhornimi dhe të dhënat gojore; grumbullimi i dokumentave të pronësisë; përgatitja e një kartele për çdo pasuri të paluajtshme; kompjuterizimi i informacionit të kartelave dhe përgatitja e listave për afishimin publik; ligjërimi i regjistrimit fillestar.



Ja çfarë dokumentesh kërkohen për regjistrimin fillestar të një pasurie të paluajtshme



Për pasuritë e paluajtshme të fituara nga ligji nr.7501. dt. 19.7.1991 “Për tokën”

duhet vetëm akti i marrjes në pronësi të tokës



Për pasuritë e paluajtshme të fituara nga ligji nr.8312, dt. 26.03.1998 “Për tokat bujqësore të pandara” dhe VKM Nr. 513, dt. 21.8. 1998, duhet:

a)Akti i marrjes në pronësi të tokës

b) Plan-vendosja



Për pasuritë e paluajtshme të fituara në bazë të VKM nr. 266, dt. 8.8. 1991 “Për ndarjen e pasurisë në Kooperativat Bujqësore”, duhen:

a)Vendimi i komisionit të shpërndarjes dhe likujdimit të pasurive të Kooperativave Bujqësore.

b) Kontrata e shitblerjes së objektit.

c) Kontrata e marrëdhënieve me truallin

d) Plan-vendosja



Për pasuritë e paluajtshme të fituara në bazë të ligjit nr.7745, dt. 26.7.1993 “Për rivlerësimin dhe shpërndarjen në vlerë të pasurisë së ish-kooperativave bujqësore”, duhen

a) Kontrata e shit-blerjes së ndërtesës

b) Kontrata e marrëdhënieve me truallin

c) Vendimi i këshillit të komunës

d) Plan-vendosja



Për pasuritë e paluajtshme të fituara në bazë të VKM, nr.452, dt. 17.10.1992 “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”, duhet:

a) Akti i marrjes së tokës në pronësi/përdorim

1. Kontrata e marrëdhënieve me truallin midis Agjencisë Qendrore të ristrukturimit dhe privatizimit të N.B.-ve dhe Subjektit

b) Kontrata e shit-blerjes së objektit

c) Plan-vendosja



Për pasuritë e paluajtshme të fituara në bazë të VKM nr.161, dt. 8.4.1993 “Për disa shtesa e ndryshime në VKM 452, dt. 17.10.1992 “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”

a) Akti i marrjes së tokës në pronësi i lëshuar nga Komisioni i tokës

1. Nëqoftë se akti i mësipërm është në emër të ish-pronarit, kërkohet dëshmia e trashëgimisë.

b) Plan-vendosja



Për pasuritë e fituara në bazë të ligjit nr. 8053, dt. 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, duhet:

a)Akti i marrjes së tokës në pronësi, i lëshuar nga komisioni i tokës në rreth

b) Plan-vendosja



Për pasuritë e paluajtshme të fituara në bazë të ligjit 7512, dt. 10.8.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private dhe nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”

a) Kontrata e shitblerjes mes AKP dhe blerësit për objektin e privatizuar.

b) Kontrata e marrëdhënieve me truallin

c) Plan-vendosja

d) Akti i dorëzimit, i nënshkruar nga AKP dhe blerësi



Për pasuritë “Pallat” dhe “Apartament” të fituara nga Ligji nr.7652, dt. 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetësore”, duhen:

a) Kontrata e shitblerjes

b) Planimetria e apartamentit

c) Genplani i pallatit

d) Certifikata e gjendjes familjare më 1.12.1992, në rastin kur nuk janë përcaktuar bashkëpronarët në kontratën e shit-blerjes.



Për pasuritë e paluajtshme të fituara në bazë të ligjit nr. 7698, dt. 15.4. 1993, “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”, duhen:

a)Vendim i Komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave

b) Plan-vendosja

c) Dëshmia e trashëgimisë, në rastet kur prona i është kthyer trashëgimlënësit

d) Proces- verbali i marrjes në dorëzim (dorëzimi i ndërtesës ose piketimi i truallit)



Për pasuritë e fituara në bazë të ligjit nr. 7699, dt. 21.4.1993 “Për kompensimin në vlerë ose troje ish-pronarëve të tokave bujqësore, livadheve, kullotave, tokave pyjore dhe pyjeve”, duhen:

a) Vendimi i Komisionit të Kthimit të Pronave

b) Plan-Vendosja

c) Dëshmia e trashëgimisë në rastet kur prona i është kthyer trashëgimlënësit.

d) Proces-verbal i dorëzimit, i mbajtur mes drejtorisë së shërbimit pyjor dhe pronarit.



Për pasuritë e paluajtshme të fituara në bazë të dekretit të presidentit të Republikës nr. 378, dt. 2.12.1992 “Për faljen e studiove të punës të piktorëve dhe skulptorëve”, duhet:

a)Akt-dhurimi i ndërtesës i përgatitur nga Komisioni i përbashkët i bashkisë dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve

b) Plan-Vendosja

c) Dokumenti për marrëdhëniet me truallin.





detaj

Kartela e pasurisë së paluajtshme

Kartela e pasurisë së paluajtshme është fleta e volumit të regjistrit që mbahet për çdo pasuri. Ajo përmban 5 seksione, të cilat përmbajnë sipas radhës, të dhëna në lidhje me vendndodhjen e pasurisë, përshkrimin nëpërmjet elemeneteve të tilla si lloji i pasurisë, sipërfaqja etj. Kjo kartelë jep gjithashtu të dhëna në lidhje me pronarin e pasurisë; bën përshkrimin e të drejtave të tilla reale mbi pasurinë si qera, përdorim si dhe jep informacion në lidhje me hipotekimet, urdhërat e regjistruesit për vendosje kufizimesh etj.



box

Pas afishimit, merr fuqi ligjore rregjistrimi fillestar

Periudha 90-ditore kur keni kohë të ankoheni



Çfarë është periudha e afishimit dhe çfarë mund të ndryshohet gjatë kësaj periudhe?

Eshtë periudha 90-ditore e publikimit të listës së pasurive, sipas pronarëve në zonën kadastrale përkatëse ku ndodhen këto pasuri. Gjatë kësaj periudhe të gjitha pretendimet i bëhen të ditura rregjistruesit nëpërmjet një personi të autorizuar i cili ka detyrën të ndjekë dhe të japë shpjegimet e duhura për këtë proces. Gjatë periudhës së afishimit mund të korrigjohen gabime materiale si edhe të zgjidhen mosmarrëveshjet. Pas përfundimit të afishimit, Regjistrimi Fillestar përfundon dhe ka forcë ligjore dhe informacioni që përmbajnë KKP dhe HTR konsiderohet i ligjshëm.



box

Si të veprosh kur ke një pronë të ligjshme, por nuk ke dokumentin e pronësisë

Në rastet kur personat, qofshin familje apo persona juridikë privatë apo shtetërorë që zotërojnë pronën sipas legjislacionit, nuk disponojnë dokumenta pronësie, do të zbatohet neni 24/b i ligjit nr. 7843, dt. 13.7. 1994 “Për regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”. Dokumentat e nevojshme për aplikimin e këtij neni janë: Kërkesa për rregjistrimin e pasurisë; deklarata personale e pronësisë e vërtetuar tek noteri, gentplani i pasurisë, deklarata noteriale e pronarëve kufitarë për vërtetimin e përmbajtjes së kërkesës në lidhje me pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet. Gjithashtu, qytetari mund të ketë e të paraqesë dokumenta mbështetës që kanë lidhje me këtë pronësi. Këtu përfshihen leja e ndërtimit e dhënë nga organi kompetent i periudhës kur është bërë ndërtimi; vendim gjyqësor, vërtetim fakti i periudhës kur është bërë ndërtimi; dokumenta të tjera gjyqësore si p.sh. akt-njoftunie, të dhëna të dokumentuara nga organet e pushtetit në shkallë lagjeje ose rrethi. Gjithashtu, qytetari mund të paraqesë dokumente që vërtetojnë blerjen e truallit nga personat ish-pronar apo dokumentet e trashëgimisë së të interesuarve.

Përgatiti: D.K.

Ky lajm është publikuar: 09/06/2008