Prokuroria ka ridërguar në Gjykatën e Tiranës dosjen penale ndaj Jaho Salihit (Mulosmani), i cili akuzohet për vrasjen e Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit. Dosja do të gjykohet nga gjyqtari Petrit Çomo dhe mban numrin 1179. Jaho akuzohet nga prokuroria për vrasje me paramendim dhe regjistrimi i dosjes penale është kryer në datën 21 prill. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë se ridërgimi i dosjes ka ardhur si pasojë e shkeljeve që kanë ndodhur në procesin e parë gjyqësor. Gjykata e Lartë vendosi të rikthejë për gjykim dosjen e vrasjes së Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit, për të cilën Jaho Mulosmani ishte dënuar me burg përjetë. Kolegji Penal vërejti shkelje procedurale të kryera në gjykim. Tropojani, i cili ka mbi shpatulla edhe një dënim të përjetshëm për vrasjen e Azem Hajdarit, ishte dënuar përjetë për vrasjen në vitin 1999 në qendër të Bajram Currit të Bislim Hykës, vëllait të drejtorit të Policisë së Kukësit, Jonuz Hyka, dhe Isuf Bashkurtit. Sipas gjykatës, krimi kishte ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi Mulosmani dyshonte se pjesëtarë të familjes Hyka po të njëjtën ditë kishin vrarë mikun e tij të ngushtë, Feriz Kërrnajën, dhe plagosur Fatmir Haklajn. Për vrasjen e dyfishtë, tropojani u dënua përjetë, por duke mos qenë dakord me vendimin e drejtësisë, ai iu drejtua Gjykatës së Lartë. Gjatë shqyrtimit të dosjes, Kolegji Penal ka vërejtur shkelje të shumta procedurale të kryera në gjykim dhe për pasojë ka vendosur ta rikthejë dosjen nga e para. Kështu, gjyqi ndaj Mulosmanit për vrasjen e dyfishtë do të nisë nga e para. Vrasja për të cilën akuzohet Jaho Mulosmani ndodhi më 4 gusht 1999, në fshatin Cërrnicë në Tropojës. Gjatë një atentati me mina të telekomanduara vritet Halil Haklaj e Feriz Kërrnaja, ndërsa mbetën të plagosur Fatmir Haklaj (tashmë i vdekur) dhe Fatmir Daka. Një orë pas këtij krimi të rëndë, në qendër të qytetit, në vendin e quajtur "Rrethi i Policit", qëllohen për vdekje Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurti. Dyshimet për këtë ngjarje ranë menjëherë mbi Jaho Mulosmanin, në atë kohë shef i rendit në Komisariatin e Tropojës. Duket se Mulosmani bënte përgjegjës njerëzit e shefit të policisë së Kukësit, Jonuz Hyka për vrasjen e Halil Haklajt e Feriz Kërrnajës dhe për hakmarrje i vret të vëllain. Pak orë pas kësaj ngjarjeje, Mulosmani përfundon në pranga si i dyshuar kryesor për vrasjen e deputetit të PD-së, Azem Hajdari, vrasje për të cilën është dënuar me burgim të përjetshëm.