“Atje ku Fieri çelej me sy nga mali e ku kambanorja e Shën Gjergjit dilte si gisht përpjetë përmes mjegullës së parë që rëndonte mbi kurrizin e qytetit”. Kështu shkruante vite më parë për qytetin e tij, Fierin, shkrimtari Jakov Xoxa, njëri nga përfaqësuesit më në zë të prozës shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XX, i cilësuar nga studiuesja Shefkie Islamaj si një “shkrimtar i dashur, i bindshëm, që ka pasur ç’t’i ofrojë lexuesit”.

















1.


“Atje ku Fieri çelej me sy nga mali e ku kambanorja e Shën Gjergjit dilte si gisht përpjetë përmes mjegullës së parë që rëndonte mbi kurrizin e qytetit”. Kështu shkruante vite më parë për qytetin e tij, Fierin, shkrimtari Jakov Xoxa, njëri nga përfaqësuesit më në zë të prozës shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XX, i cilësuar nga studiuesja Shefkie Islamaj si një “shkrimtar i dashur, i bindshëm, që ka pasur ç’t’i ofrojë lexuesit”. Dihet tashmë në mbarë botën kulturore shqiptare se Jakov Xoxa dhe vepra e tij kryesore, "Lumi i vdekur", është cilësuar shpeshherë nga studiuesit si një nga monumentet reale gjuhësore të shqipes. Njëkohësisht sot ne konstatojmë se e gjithë vepra e Xoxës, përfshirë edhe romanin “Lumi i vdekur” përbën një nga monumentet e historisë së qytetit të Fierit. Po të bësh një vëzhgim vertikal të krijimtarisë së tij, do të vëmë re se ngjarjet që zhvillohen në këtë qytet dhe personazhet që gjallojnë aty janë persona realë, të cilët sot gjenden vetëm po të gërmosh në kujtesën e më të moshuarve. Në tekstin e Historisë dhe të Letërsisë Shqipe, që zhvillohen në vitin e katërt të shkollës së mesme, autori Shaban Sinani citon tek veprimtaria e Jakov Xoxës se ai “zhvilloi një prozë të gjatë analitike duke i qëndruar besnikërisht të njëjtit mjedis - Myzeqesë, në tri kohë të ndryshme: para, gjatë dhe pas Luftës Antifashiste tek të tre romanet e tij si: "Lumi i Vdekur" botuar në 1964; "Juga e Bardhë", botuar në vitin 1971 dhe "Lulja e kripës", botuar në vitin 1980, ndriçuar me subjektet e tyre në botën shqiptare dhe fshatin myzeqar”. Është interesant fakti që Shaban Sinani citon përsëri këtu (Letërsia dhe gjuha shqipe 2007, f. 268): “Xoxe periudhën e fundit të jetës e kaloi në vetmi, ku zgjodhi si mjedis të krijimtarisë së tij Apoloninë. Jeta e mënjanuar nga kryeqyteti, kultura filologjike dhe mjedisi tradicional i Myzeqesë lanë gjurmë të forta në ligjërimin e tij letrar, në pikëpamjen gjuhësore estetike dhe etnografike”.





2.


Krijimtaria e mirëfilltë e Xoxës nis me ciklin “Novela”, por ajo që neve na intereson këtu për këtë sprovë është novela "Tre pleqtë dhe Mihali katër", e cila është pjesë e vëllimit "Novela" të cilën autori e botoi në vitin 1958. Subjekti i saj flet për tre pleq nga Fieri, të cilët nisen nga qyteti i tyre për në Plyk, një fshat në juglindje të qytetit, për t’u çuar ushqime partizanëve. Meqenëse në Fier ishte vendosur shtetrrethimi, ata vendosin të kalojnë në shtigje të vështira përmes kënetës së Sheqit për të dalë në Kishën e Shën Markut në Grizë dhe për të vazhduar më tej, drejt Lalarit, Krapsit, për të mbërritur në Plyk, tek baza partizane. Rrugës, tre pleqtë: Xha Miti, Ganiu, Gor Kasapi dhe i biri, Mihali, përballen me peripeci të ndryshme të cilat i kalojnë me zgjuarsi. Ndërkohë, ajo që na intereson ne është frazeologjia toponimike që përdor autori si: Ura mbi lumë, Barangat e Mullirit, Gjanica etj., të cilat nuk janë gjë tjetër veçse: Gjanica, lumi që përshkon qytetin e Fierit, Ura e Kishës përmbi të, Mulliri i Beut që ndodhej aty pranë dhe kisha katedrale e Shën Gjergjit me kambanoren e saj. Këtu Jakov Xoxa shpreh me mjeshtërinë e penës së tij edhe shqetësimin e priftit të Fierit për të hedhur ditën e 6 Janarit, pra ditës së Ujit të Bekuar, kryqin mbi lumë. Por n.q.s. gjermanët e kishin bllokuar urën, duke vendosur aty një postbllok, prifti vendosi ta hidhte kryqin mbi ujin e Gjanicës tek ura tjetër ose siç shprehet autori, tek Ura e Jonuzit, e cila është ura me shkallë. Ajo quhej kështu sepse ishte ndërtuar me porosi të tregtarëve fierakë në vitin 1935 nga usta Jonuz Boriçi. Ndërkohë, toponime të tjera që ndeshim në këtë novelë janë Kasaphana (thertorja) që ndodhej pranë Gjanicës, Mbyeti, fshat pranë Fierit, kisha e Shën Kollit në Mbyet, e cila ekziston edhe sot, kisha e Shën Markut në Grizë etj.





3.


"Kurorat e Masar Beut" është një tjetër novelë ku personazhi i saj kryesor është Masar Beu, i biri i Galip Pashës, i cili qe një njeri i njohur në Fier dhe në politikën shqiptare të viteve 1920-1944. Pas personazhit të Masarit fshihet Qemal bej Vrioni, i cili siç e shpreh autori, u bë zyrtar në kohën e Turqisë, kur erdhi Italia dhe kur ndodhi pushtimi Gjerman. J. Xoxa e quan Masarin: "Pasha i vogël", sepse me të drejtë dega e familjes Vrioni në Fier mbante titullin e vjetër turk Pasha (i nderuar). Gjithashtu në këtë novelë gjejmë frazën: "Masar Beu i doli përpara ushtrisë italiane dhe një ditë u gdhi ministër". Në këtë rast Xoxa tregon lidhjet reale që kishte me italianët Qemal Vrioni, i cili në periudhën e pushtimit u bë deputet dhe kreu edhe disa detyra të tjera të rëndësishme si: drejtor i gazetës qeveritare "Tomori" dhe ministër i Financave në një nga qeveritë kuislinge të kësaj periudhe. Karrierën e këtij njeriu Jakov Xoxa e perifrazon kështu në gojën e njërit prej personazheve të kësaj novele: "Jo mor bej, jo! Se mos pive një e në dy, po në katër sisa bashkë. Pive në të Turqisë (Qemali kishte qenë nëpunës në administratën osmane), pive në të Shqipërisë, (Qemal Vrioni kishte qenë deputet në Parlamentin shqiptar që nga Kongresi i Lushnjes). Pive në të Italisë…" Nuk dihet se përse Jakov Xoxa i referohej këtij personi historik, duke e bërë personazh të krijimtarisë së tij, ku ai e përmend edhe në krijime të tjera me emrat: Qemal bej Gjungëza, p.sh., tek novela "Ai që tallej me urinë e tjetrit", apo Suat bej Vërdhoma tek "Lumi i vdekur". Ndërkohë që ne mund të themi se personazhet negative realizmi socialist i merrte pikërisht nga ata arketipa që sistemi i quante përfaqësues të regjimeve antipopullore, ku si e tillë ishte etiketuar nga lufta e dikurshme e klasave në regjimin komunist edhe familja Vrioni. Ndoshta J. Xoxa mund të ketë pasur edhe ndonjë ndikim tjetër, sepse dihet shumë mirë nga historia e Fierit konflikti i dikurshëm që kishte pasur familja e Xoxës me Vrionasit për një çështje pronësie në fshatin Radostinë, ku ishin përdorur edhe armët. Gjithsesi, pavarësisht nga etiketimi i Xoxes, familja Vrioni vlerësohet nga historia si themeluese e qytetit të Fierit. Siç përmendet edhe në shkrimet e historianëve të ndryshëm, ajo ka kontributin e saj në historinë tonë kombëtare. Mund të përmendim të paktën vetëm faktin se në shtëpinë e tyre në Fier u strehua Ismail Qemali, arkitekti i Pavarësisë së Shqipërisë gjatë udhëtimit të tij historik drejt Vlorës, ndërsa tek novela tjetër e titulluar “Kapedani”, Xoxa e nis rrëfimin e tij tek Manastiri i Apolonisë, ku një mbrëmje në konakët e tij dy partizanë kuvendojnë me at Stefanin dhe dhjakun e tij. Një nga partizanët është vet Xoxa, i cili ruajti gjatë gjithë jetës një nostalgji të veçantë për këtë manastir ku një pjesë kohe banoi në ambientet e tij. Edhe sot ruhet dhoma muze ku shkrimtari kaloi një pjesë të jetës së tij artistike. Ndërkohë, e veçanta e kësaj novele është se gjatë bisedës rreth sofrës me përshesh kaponjsh të Myzeqesë dhe raki të Mallakastrës, siç e quan autori, at Stefani tregon një histori për mysafirin që vjen rishtazi. Pas nofkës Kapedani, siç e tregon dhe vet Xoxa, fshihet personazhi i Pilo Xhokaxhiut.


“Kapedani’ është një tjetër tregim që prek marrëdhëniet e familjes Xoxa me Vrionasit e Fierit dhe është pika e referimit të të gjitha mërive që shkrimtari ka për personazhet e mësipërme. Si duket, ai nuk doli dot nga dukuritë e kohës dhe ngjarjen e Radostinës të ngulitur thellë në memorien e tij fëminore e hodhi në letër. Pikërisht kjo është përgjigjja që lexuesi kupton nga personazhet që lëvizin tek Jakov Xoxa.





4.


Ndërkohë, vepra më përfaqësuese e Xoxës për Fierin dhe rrethinat e tij është vepra e kryesore krijimtarisë së shkrimtarit, romani "Lumi i vdekur". Këtë roman autori e botoi për herë të parë në vitin 1964, kurse subjektin e ngjarjeve e vendos në vitin 1938, duke e nisur fillimin e veprimit në fshatin Grizë, që sot nuk ekziston, por identifikohet me vendin e quajtur Kthesa e Patosit. Edhe sot aty ku ndahet rruga automobilistike Fier - Berat nga Fier - Patos ndodhet kisha e Shën Markut, që autori e përshkruan në veprën e tij. Po kështu, ai tregon se si nis shtegtimi i familjes së Pilo Shpiragut drejt Fierit, ku gjatë rrugës, gratë e Shpiragajve shkojnë në kishën e Shën Kollit në Mbyet, ku takohen me gratë e Çukollarëve dhe Papuçinjëve, dy prej familjeve më të vjetra të qytetit të Fierit. Më pas në udhëtimin e karvanit të qerres së ikanakëve, dalin kisha e Shën Gjergjit, Ura e Kishës, Gjanica dhe më në fund Hani i Bishtanakës. Ai (hani), sipas autorit Xoxa ishte hapur nga tre ortakët, ish-emigrantë në Amerikë: vëllezërit Gjanica dhe Lako Zhullapi. Ndërkohë që këto tri personazhe kanë qenë tre persona realë në qytetin e Fierit: vëllezërit Papai dhe tregtari L. Shallapi. Po kështu, tek kapitulli i parë i "Lumit të vdekur", J. Xoxa bën një analizë të hollë historike të ngjarjeve të zhvilluara në Fier në vitet 1920-1930. Midis të tjerave, ai thekson ngjarjet e vitit 1924 kur tregtarët e Fierit u ngritën kundër Vrionasve, përfaqësuesin e të cilëve, Beun Vrionas, ai e quan në libër Suat bej Vërdhoma. Në mënyrë artistike shpjegohet këmbëngulja e tregtarëve, të cilët të mbështetur edhe nga qeveria e Fan Nolit vendosin të ngrenë një treg të ri në Bishtanakë, ku lind edhe lagjja e sotme e qytetit e njohur me emrin "Liri". Konflikti i Qemal bej Vrionit me tregtarët njihet mirë në histori. Këtë akt Xoxa e përshkruan edhe tek shkrimi “Qindvjetori i një qyteti”, botuar tek gazeta “Drita”, më 17 mars 1963. Ngjarjet që përshkruan tek "Lumi i Vdekur" i citon në mënyrë publicistike kështu: "Qeveria demokratike e Fan Nolit, për t'iu përgjigjur aspiratave të borgjezisë së vogël tregtare të këtij qyteti, e transferoi pazarin nga tregu i vjetër i Vrionasve në tokat e Bishtanakës, që ishin truall shtetëror dhe lëshoi lejet për ngritjen e dyqaneve të pazarit të ardhshëm. Vrionasit iu përgjigjën kësaj mase me gjak. Futen njerëz dhe vranë Soto Baren, të parin që ngriti dyqan në tregun e ri. Pas ardhjes së Zogut pazari u kthye në Tregun e Vjetër. Kështu kjo histori e vërtetë vazhdon në një tjetër formë, tek “Lumi i vdekur”, ku Xoxa tregon se fillimisht për të penguar tregtarët të ktheheshin tek Tregu i Vjetër, Suat bej Vërdhoma urdhëroi njerëzit e vet të zinin katër rrugët kryesore të Fierit si: Urën e Kishës, Qimitirion, (Varrezat e Vjetra), Vaun e Arrës (Sheq i Madh) dhe shtegun tek shoqëria anglo-persiane (Rrugën e Semanit). Gjithashtu në vitin 1924, sipas Xoxës u ngrit edhe Hani i Bishtanakës nga tre ortakët që ishin kthyer nga emigracioni në SHBA, fakt i vërtetë në Fier, ku një pjesë e borgjezisë tregtare-industriale që u krijua në vitet 1920-1930, e patën fillesën nga kapitalet e grumbulluara pikërisht nga emigracioni përtej oqeanit. Pikërisht në këtë han takohet familja e Pilo Shpiragut me familjen e emigrantit kosovar Sulejman Tafilit, i cili ishte ndjekur nga gjenocidi serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. Xoxa në këtë rast na sjell dhe një tjetër histori. Atë të vendosjes në Fier të komunitetit kosovar, familjet e të cilëve erdhën midis viteve 1926-1938, të përndjekur nga politika e mbrapshtë e Jugosllavisë. Sot në Fier jetojnë pasardhësit e këtij emigracioni politik, të cilët janë integruar shumë mirë në jetën ekonomike dhe shoqërore të komunitetit fierak, duke u bërë dhe protagonistë në të gjitha zhvillimet. Këtu nis edhe dashuria e djaloshit kosovar, Adilit, me myzeqaren e bukur, Vitën, e cila përshkon gjithë romanin që nga kapitulli i parë e deri në fund. Edhe Adili dhe Vita janë dy personazhe reale, historia e vërtetë e të cilëve u ngrit në art nga Jakov Xoxa në këtë vepër letrare. Për arsye etike ne nuk po i përmendim këtu emrat e tyre, por një pjese të lexuesve fierakë do t’u shkojë mendja se cilët janë këta njerëz që jetuan gjatë shekullit të kaluar në Fier.





5.


Jakov Xoxa u mor edhe me shkrimet publicistike të cilat i botoi në organe të ndryshme të shtypit, si: “Zëri i Popullit”, “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Ylli” etj. Në njërin prej tyre të titulluar "Qindvjetori i një qyteti", botuar më 17 mars të vitit 1963 në gazetën “Drita”, Xoxa merr rolin e historianit kur shkuan midis të tjerave: "Ky qytet, si rrallë qendra banimi të ngritura në kohën e Turqisë, është ndërtuar jo rreth ndonjë xhamie, por në vendin e një tregu të gjësë së gjallë. Që këtej ka mbetur edhe emri Fier nga Fiera (ital. - panair)”. Mjaftoi ky përcaktim subjektiv i shkrimtarit që iu erdhi për shtat shumë fierakëve, të cilëve origjina e Fierit si qendër tregtare e përmendur ua guduliste sedrën e tyre qytetare, si dhe dukej më i modës se përcaktimi tjetër, që cilëson se emri i qytetit vjen nga një lloj barishteje që është fieri, ashtu siç ndodh me shumicën e emrave të fshatrave të tjerë përreth. Kaq mjaftoi dhe Xoxe me këtë rast goditi, si i thonë, mu në shenjë. "Viktima" të tij ishin dy intelektualë fierakë, studiues seriozë dhe me reputacion. I pari ishte Perikli Ikonomi, i cili e përmendi këtë gjë tek libri i tij "Historiku i qytetit të Fierit", botuar në vitin 1968, ndërsa i dyti ishte historiani dhe poeti Hysen Emiri që i përmbahej edhe ai këtij "argumenti" tek libri i tij "Historia e Fierit", botuar në vitin 2001. Kështu ende sot, pas 45 vjetësh, ky mendim i shprehur nga Jakov Xoxa merret akoma si më i besueshmi dhe ka bërë pas vetes përkrahës të shumtë, ndoshta sepse njerëzit vërtet besojnë në vërtetësinë e këtij hamendësimi apo ndoshta dhe nga respekti që ekziston në Fier për trashëgiminë letrare të shkrimtarit, të cilën ia kushtoi qytetit të tij, Fierit.