Lidhja e Prizrenit








Në kuadër të kremtimit të 130-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dje në mjediset e Bibliotekës Kombëtare Universitare e Kosovës, u përurua libri "Kongresi i Berlinit 1878", të autorit Jusuf Buxhovi, i cili u vlerësua si një ndihmesë e madhe për studiuesit e çështjes shqiptare. Referuesit thanë se Jusuf Buxhovi veprën e tij e ka mbështetur në të kaluarën tonë historike, i cili duke njohur kulturën dhe gjuhën gjermane, gjurmoi dokumente burimore për ngjarjen politike të Kongresit të Berlinit. “Buxhovi ia doli që të sqarojë me argumente të reja Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, si një nga ngjarjet më të mëdha të historisë sonë kombëtare”, - vlerësuan referuesit për librin "Kongresi i Berlinit 1878". Historiani dhe drejtori i Institutit të Historisë, Jusuf Bajraktari, vlerësoi se autori e ka cilësuar Kongresin e Berlinit si ngjarjen kryesore politike, që ndikoi në krijimin e Lidhjes së Prizrenit. Sipas autorit, Kongresi i Berlinit, në raport me shqiptarët, nuk kishte vetëm efekte negative. Ai ofroi mundësi për shqiptarët që të realizojnë aspiratat e tyre historike me rënien e Perandorisë Osmane në Ballkan. “Buxhovi më tej shtron paralelizmin e vështirë se çfarë do të thoshte për shqiptarët mbetja në fuqi e Paqes së Shën Stefanit, përballë vendimeve aspak të lehta të Kongresit të Berlinit, që lanë kohe e hapësirë për veprime të ardhshme politike për popullin tonë”, - theksoi Bajraktari.


Ndërkaq vetë autori i librit, Jusuf Buxhovi, për veprën e vet tha: “Me këtë botim nuk përfundon e gjitha. Këtu kemi dhënë vetëm dokumentet bazë, janë edhe 2 mijë e sa dokumente, në të cilat në tri-katër botime të ardhshme do të gjejnë vend. Do të thotë janë dokumente të diplomatëve gjermanë... pa këto dokumente me siguri edhe Kongresi i Berlinit mbetet jashtë kontestit të zhvillimeve”. Këtë vepër e ka botuar shtëpia botuese "Faik Konica" e Prishtinës. Me rastin e këtij përvjetori të Lidhjes së Prizrenit, u hap edhe ekspozita e botimeve për Lidhjen e Prizrenit nga fondi i Bibliotekës Kombëtare Universitare.











Beqir Metea: Lidhja e Prizrenit në dosjet e austro-hungarezëve





Në Kosovë, me rastin e Lidhjes së Prizrenit, janë promovuar dy vepra të rëndësishme të historiografisë dhe kulturës sonë kombëtare, të botuara nga “Albanica”, në bashkëpunim me dy institucione të shkencës sonë, Institutin e Historisë në Tiranë dhe Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë. Vepra e parë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet austro-hungareze, 1878 Vëllimi I, që botohet në bashkëpunim me ekspertë të Institutit të Historisë të Tiranës, Beqir Meta, Ferit Duka, Marenglen Verli etj., paraqet dokumente të rëndësishme austro-hungareze lidhur me ngjarjet që i paraprijnë themelimit të Lidhjes, konsolidimit dhe veprimeve politike dhe ushtarake të saj për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut tonë. Vepra përfshin 248 dokumente, kryesish raporte të konsujve të Vjenës, të cilët ishin me detyrë në qytetet e ndryshme shqiptare gjatë zhvillimit të këtyre ngjarjeve të bujshme, që ndodhën pas Paktit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit. Rëndësia e këtij vëllimi të parë, pos tjerash, është se do të pasohet edhe me disa vëllime të tjera dokumentesh të këtij burimi, duke plotësuar kësisoj mungesën e dokumenteve të tilla të rëndësishme për hartimin e historisë sonë kombëtare.


Po kështu, pjesë e këtij promovimi është edhe vepra e veçantë Skënderbeu në shtypin e Rilindjes Kombëtare (1880-1912), e autores Liljana Verdho. Vepra, po ashtu, botohet me rastin e 130-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe është fryt i bashkëpunimit në mes të Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë dhe Kompanisë sonë mediale, gjegjësisht revistës “Albanica”. Veprës i paraprin një studim i gjatë i autores dhe bashkëngjitur bibliografia e publicistikës shqiptare me temën e Skënderbeut, 1880-1912. E quajmë vepër të rëndësishme për faktin se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte kryeprotagonisti shpirtëror i mbarë lëvizjes kulturore, politike e ushtarake të kësaj periudhe.


Siç konkludon autorja në hyrje të veprës, shtypi kombëtar i ka kushtuar vëmendje të veçantë figurës së Skënderbeut, virtyteve të tij, personalitetit të Heroit tonë Kombëtar si burrë shteti, si strateg ushtarak i shquar dhe si organizator shumë i aftë dhe i rrallë i jetës shoqërore e politike të shqiptarëve.