BLEDAR HOTI

Fleta e ardhshme e votimit do të ketë ngjyrë të verdhë të lehtë dhe përmasat sa një letër A3. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë në mbledhjen e datës 4 mars modelet e fletëve të votimit, mbi bazën përcaktimeve ligjore të sanksionuara në Kodin Zgjedhor. Fleta e votimit pritet të ketë një ngjyrë unike për të 12 zonat zgjedhore, të qarqeve ku do të votohet më 28 qershor. Në bazë të relacionit mbështetës mësohet se përmasat e fletës së votimit do të jenë, gjerësia 300 mm dhe gjatësia 400 mm, aq sa zakonisht fletët votimit. Kjo pritet të jetë fleta e votimit më e madhja që mund të jetë përdorur në ndonjë proces votimi. Për herë të parë në krah të emrit të subjektit politik, në krahun e majtë, do të vendoset edhe logoja e partisë. Pas emrit të partisë politike, në krahun e djathtë të saj do të shkruhet emri i plotë kryetarit dhe më pas sigla me iniciale kapitale të subjektit politik. Shënimi që do të bëjë zgjedhësi gjatë votimit do të jetë në krah të djathtë, në një kuti të vogël me ngjyrë të bardhë. Kuadrati ku do shënojë votuesi ka një përmasë me 1.2 cm*1.2 cm. Në relacionin shpjegues të KQZ-së theksohet se pavarësisht numrit të partive politike që do të konkurrojnë në rang qarku, formati i fletës së votimit dhe gjatësia nuk do të ndryshojë, duke qenë i njëjti në të gjithë Shqipërinë. Fleta e Votimit duhet të jetë prej letre, me ngjyrë, trashësi dhe elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj. Elementet e parashikuara në nenin 97, pika 1 dhe nenin 98 të Kodit Zgjedhor. Fleta votimit do të shoqërohet dhe me një kundërfletë me numër serial shtatëshifror, që korrespondon me fletën që do të hidhet në kutinë e votimit. Kundrablloku është pjesë e pashkëputshme dhe do të vendoset në zarfe të veçantë pas përfundimit të procesit të votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratojë gjithashtu edhe mënyrën e procesit të trajnimit të anëtarëve të KZAZ-ve, KQV-ve dhe të GNV-ve. Trajnimi i anëtarëve do të llogaritet mbi faza të ndryshme dhe synon të përgatisë në kohë njerëzit që do të menaxhojnë procesin zgjedhor të 28 qershorit. Gjithashtu është parashikuar që anëtarëve të Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor të realizohet dhe një testim për të parë nëse ato janë të përgatitur, kanë njohje për Kodin Zgjedhor dhe për procesin zgjedhor në përgjithësi. Mënyra e testit, pyetja që kanë do të votohet nga ana e 7 anëtarëve të KQZ-së. Në mbledhjen e së mërkurës pritet të votohen edhe modelet dhe tabelat e rezultateve ku do të pasqyrohen votat që do të dalin nga procesi i 28 qershorit.

te dhena per fleten e votimit

Lloji i letrës
Watermark 90gr/m2 100% pulp, me fibra karboni ultraviolet, 2 shtresa, e ratifikuar ne fazën përfundimtare, me certifikatë origjine

Dimensionet e fletës së votimit:                  
Gjerësia e fletës së votimit 300 mm.
Gjatësia në 420 mm.

Specifikime të përgjithshme:
Fonti: Arial, Arial Black, Tahoma, Verdana
Stema e Republikës, bardh e zi, dimensione: 25 x 27
Logo KQZ, bardh e zi, dimensione: 32 x 32
Ngjyrat: Kodi i ngjyrës Pantone 1205 C

Pjesa e pashkëputshme e bllokut (kundërfleta):
Gjerësia e kundërfletës:         20 mm
Fletë votimi             Arial Black 12
Nr. Serial            Arial 10 (7 shifror)
Zgjedhjet e përgjithshme për
Kuvendin, 28.06.2009        Arial 12


Trajnues për KZAZ-të, 66 persona
Numri i trajnuesve të zgjedhur për trajnimin e anëtarëve të KZAZ-ve dhe GNV-ve do të jetë 66, në përputhje me numrin e ZAZ-ve dhe VNV-ve, ku secili trajnues do të zhvillojë programin e trajnimit, me dy seanca trajnimi në ditë, në ditë të ndryshme, me anëtarët e çdo KZAZ-je, pas emërimit të tyre ligjor. I njëjti kontigjent trajnuesish do të trajnojnë edhe numëruesit e GNV-ve.