Autori i Lajmit: Suela Topi
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka caktuar dje numrin e deputetëve që do të ketë çdo qark, emrat e të cilëve do të dalin nga zgjedhjet e 28 qershorit. Numri i deputetëve është përllogaritur në varësi të popullsisë aktuale të çdo qarku. Por mbledhja e dytë e këtij Komisioni nuk ka kaluar pa probleme. Fillimisht debat ka shaktuar kërkesa e përfaqësuesve të opozitës për të marrë informcione të plota në lidhje me të dhënat e ardhura nga Ministria e Brendshme për numrin e përgjithshëm të popullsisë dhe ndarjen në çdo qark të saj. Mospërputhja e të dhënave të ardhura në KQZ edhe pse ato ishin shoqëruar me shpjegimin se numri i shtetasve ishte ulur për shkak të dublikateve, bëri që opozitarët të kërkonin shpjegime se çfarë metode ishte përdorur për të eleminuar dublikatet. Kjo kërkesë nuk është mirëpritur nga përfaqësuesit e mazhorancës. Por për të marrë një vendim me konsensus kreu i Komisionit, Arben Ristani pranoi shtyrjen e mbledhjes për të marrë shpjegimet e nevojshme. Vendimi është marrë pasditen e djeshme pas dëgjimit të shpjegimeve nga drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti. Në zbatim të formulës së caktuar në Kodin Zgjedhor, KQZ ka marrë vendimin për të caktuar 32 deputetë në qarkun e Tiranës, 16 në Fier, 14 në Elbasan, dhe 13 në Durrës. Ndërkohë qarku i Beratit do të ketë vetëm 8 deputetë ndërsa për Dibrën janë vendosur 6. Korça do të ketë 12 dhe Gjirokastra 5 deputetë, ndërkohë në qarkun e Lezhës janë caktuar 7, në Shkodër 11, në Kukës 4 dhe nga qarku i Vlorës do të mund të dalin 12 deputetë.

Diskutimet

“Në të dhënat e ardhura nga Ministria e Brenshme ka diferenca në shifra. Duam sqarime pse janë këto ndryshime. Nëse bëhet fjalë për zhdukjen e dublikateve duam të dimë se çfarë metode është përdorur për eleminimin e tyre dhe për më tepër a ka një akt të brendshëm të Ministrisë për këtë proces”, - deklaroi Dëshira Subashi para se KQZ të miratonte ndarjen e mandateve. Sipas saj këto shpjegime janë mëse të nevojshme për të patur një proces sa më transparent. Kjo kërkesë u mbështet dhe nga përfaqësuesi tjetër i PS-së, Artan Laze i cili madje kërkoi sqarime dhe për shtetasit e vdekur apo të zhdukur si dhe mënyrën se si do të pasqyroheshin të burgosurit. Kjo kërkesë e mbështetur edhe nga përfaqësuesi i PSD-së në Komision, Pandeli Varfri është kundërshtuar nga përfaqësuesit e mazhorancës. Përfaqësuesi i republikanëve, Klement Zguri pohoi se Ministria e Brendshme solli të gjitha informacionet e kërkuara dhe procesi nuk mund të zgjatet pa fund çka do të pengonte përgatitjen e procesit zgjedhor. “Mbledhjen e kaluar ne i bëmë shkresë me shkrim Ministrisë së Brendshme për kërkesat tona të cilat e kanë marrë përgjigjen edhe në bazë të detyrimeve që ka Gjendja Civile sipas nenit 34 të Kodit Zgjedhor. Prandaj nuk ka kuptim të bëjmë të tjera kërkesa”, - tha Vera Shtjefni, përfaqësuesja e PD-së. Por këto kërkesa nuk kanë bindur opozitarët. Duke parë qëndrimin e tyre kreu i KQZ-së shtyu mbledhjen për disa orë dhe më pas ajo u zhvillua dhe në prezencë të kreut të Drejtorisë së Përgjitshme të Gjendjes Civile, Armand Teliti i cili dha shpjegimet përkatëse.

Formula

Në bazë të nenit 75 të Kodit Zgjedhor dhe të dhënave të dërguar nga MB, KQZ ka llogaritur numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Numri total i shtetasve, 4.295.977 është pjestuar me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, ku është përcaktuar numri 30.686, si numri mesatar i shtetasve që i takojnë çdo mandati. Numri i shtetasve për çdo zonë zgjedhore është pjestuar me numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati, 30.686, dhe çdo zone zgjedhore i është caktuar një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga ky pjestim. Pas këtij veprimi ngelën pa u shpërndarë edhe 6 mandate. Në bazë të nenit 75, pika 5, të Kodit Zgjedhor, këto mandate u janë shpërndarë zonave zgjedhore (qarqeve) që kanë mbetjen më të madhe pas presjes dhjetore, të numrit të përftuar nga pjestimi i mësipërm. Vendimi i KQZ-së i cili hyn në fuqi menjëherë do të kalojë për miratim në Kuvend brenda 2 marsit.

Ky lajm është publikuar: 13/02/2009