Komisioni Qendror i Zgjedhje ka larguar nga lista e votueseve rreth 30 mijë emra të cilët janë identifikuar si të vdekur apo të tillë që kanë hequr dorë nga nënshtetësia e Kosovës.


Procesi i pastrimit të listave ka ardhur pas një angazhimi njëvjeçar që grupi punues i KQZ-së ka bërë në këtë drejtim. Anëtari i KQZ-së nga LDK-ja, Florian Dushi, ka bërë të ditur se pastrimi i listave është bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme.


“Ne jemi në fazën e përgatitjes së raportit përfundimtar. Numri i të vdekurve që janë larguar nga lista është rreth 20 mijë. Mbi 10 mijë persona tjerë e kanë ndërruar nënshtetësinë. Edhe ata tashmë janë larguar nga listat e votuesve”, ka thënë Dushi për ”Tribunën”.


Por, sipas Dushit, KQZ nuk e ka në plan të ndalet me kaq. Ai ka thënë se procesi i pastrimit të listave do të vazhdojë ende, pasi ka të identifikuar emra të rinj të personave që rishtas kanë vdekur./Indeksonline/