07/04/2009  Miratohet nesër udhëzimi për mbledhjen dhe publikimin e informacionit


Informacioni për votat mbështetet në tabelat e rezultateve të GNV-ve


Rezultatet e zgjedhjeve të dhëna në mënyrë elektronike nga KZAZ-të, do të publikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në rang zone zgjedhore. Institucioni kryesor që merret me administrimin e procesit zgjedhor, ka hartuar një udhëzim që ka për qëllim të përcaktojë procedurat që do të zbatojnë KZAZ-ja dhe KQZ-ja për mbledhjen, administrimin dhe publikimin e informacionit për procesin e numërimit të votave për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Pas mbylljes së votimit KZAZ-ja duhet të dërgojë në KQZ informacionin për ecurinë e dorëzimit të kutive të votimit me fletët e votimit dhe kutive me materialet zgjedhore; fillimin e numërimit të votave; rezultatet e zgjedhjeve të çdo QV-je për partitë politike dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit në mënyrën e përcaktuar në këtë udhëzim; si dhe miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve të zgjedhjeve për zonën e administrimit zgjedhor përkatës. Informacioni për procesin e numërimit të votave mbështetet në tabelat e rezultateve të plotësuara nga Grupet e Numërimit dhe të dorëzuara në KZAZ. Ai duhet të përmbajë domosdoshmërish për çdo QV numrin e fletëve të votimit të gjetura në kutinë e votimit; numrin e votave të pavlefshme; numrin e votave të vlefshme; dhe shpërndarjen e votave të vlefshme për partitë politike dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit. KZAZ përcjell në rrugë elektronike në KQZ për çdo QV, informacionin menjëherë pas marrjes së tabelës së rezultateve nga GN-ja. Ky proces vazhdon deri në përfundimin e vlerësimit e numërimit të votave dhe dorëzimit të të gjitha tabelave të rezultateve prej GN-ve. Pas miratimit me vendim nga KZAZ-ja të tabelës përmbledhëse të rezultateve të zgjedhjeve për zonën e administrimit zgjedhor përkatës, KZAZ-ja njofton KQZ-në për përfundimin e procesit të numërimit të votave. Përcjellja e informacionit të përcaktuar në këtë udhëzim në KQZ, bëhet nën drejtimin dhe përgjegjësinë e sekretarit të KZAZ-së. Informacioni i publikuar nga KQZ-ja në çdo rast shoqërohet me numrin gjithsej të QV-ve në zonën përkatëse zgjedhore dhe me numrin e QV-ve mbi të cilin është llogaritur rezultati i dhënë.


Edukimi i zgjedhësve


KQZ ka përpiluar një projekt që udhëzon zgjedhësit që nga mënyra se si duhet tw verifikojnë emrin në lista deri tek ajo e votimit për zgjedhjet e 28 qershorit. Projekti nis me verifikimin e emrit në listën përfundimtare të zgjedhësve, mundësinë e paraqitjes së një kërkese në gjykatën e rrethit gjyqësor përkatës deri 24 orë përpara datës së zgjedhjeve. Kjo e fundit vendos, por jo më vonë se 6 orë përpara mbylljes së votimit. Vendimi përmban lejimin për të votuar në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, si dhe numrin e qendrës së votimit ku zgjedhësit i lejohet të votojë. Po ashtu, aty saktësohen të drejtat dhe kundërvajtjet. KQZ kujton se votimi më shumë se një herë në të njëjtat zgjedhje përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose heqje lirie deri në tre muaj. “Pjesëmarrja në zgjedhje është një e drejtë e njohur nga Kushtetuta dhe ligji. KQZ ju fton të merrni pjesë në votimet e datës 28 qershor 2009 për të zgjedhur drejtpërdrejt me votën tuaj përfaqësuesit tuaj në Kuvendin e Shqipërisë. Ushtrojeni këtë të drejtë”, - fton KQZ-ja.