Komisioni Qendror i Zgjedhjeve parashikon që të publikojë rezultatet e zgjedhjeve paraprake për çdo Qendër Votimi. Në mbledhjen e datës 8 prill, KQZ—ja pritet të përcaktojë procedurën e dërgimit të rezultateve paraprake nga KZAZ-të drejt KQZ-së. Për çdo proces të mbylljes së votimit, nisjes së numërimit të votave KZAZ duhet të informojnë me anë të emailit KQZ-në. Gjithashtu në rrugë elektronike duhet të dërgohet edhe “Miratimi i Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve të Zgjedhjeve për zonën e administrimit zgjedhor përkatës”. “KZAZ përcjell në rrugë elektronike në KQZ, për çdo QV, informacionin e përcaktuar në udhëzim, menjëherë pas marrjes së tabelës së rezultateve nga GN-ja. Ky proces vazhdon deri në përfundimin e vlerësimit e numërimit të votave dhe dorëzimit të të gjitha tabelave të rezultateve prej GN-ve”, thuhet në nenin 4 të udhëzimit. Gjithashtu theksohet se “pas miratimit me vendim nga KZAZ-ja të Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve të Zgjedhjeve për zonën e administrimit zgjedhor përkatës, KZAZ-ja njofton KQZ-në për përfundimin e procesit të numërimit të votave”. Ndërsa sanksionohet se “me marrjen e informacionit nga KZAZ-të, KQZ bën publikimin në dinamikë në rang zone zgjedhore”. Publikimi i informacionit të mësipërm bëhet në sallën e mediave, elektronikisht e në letër, dhe në faqen e KQZ-së në internet. Informacioni i publikuar nga KQZ-ja, në çdo rast, shoqërohet me numrin gjithsej të QV-ve në zonën përkatëse zgjedhore dhe me numrin e QV-ve, mbi të cilin është llogaritur rezultati i dhënë. Por një rezultat i tillë cilësohet se nuk është zyrtar nga ana e KQZ-së.