Efektet e para të krizës do të ndihen nga ulja e fluksit hyrës të parave nga emigrantët që do të dalin të papunë dhe nga ulja e ritmit të eksporteve.


Siç e dimë, kriza globale financiare është krizë recesioni, e cila e ka zanafillën e saj në SHBA, vendi më i zhvilluar i botës.


Kjo erdhi për shumë arsye, ku ndër më kryesoret mund të përmendim:


1. Ofertën e madhe të parasë në qarkullim, duke dhënë kredi pa kriter dhe mospërdorimin e saj për investime, por kryesisht për konsum personal.


2. Ngecjen e ritmeve të rritjes së ekonomisë amerikane e, për rrjedhojë, tkurrjen e saj, e cila në një moment të caktuar nuk po rigjeneronte të ardhura margjinale për të rinovuar teknologjinë, rritjen e pagave, rritjen e mirëqenies etj. Kjo krijoi paaftësinë për kthimin e kredive të marra nga bankat, të cilat u detyruan të ulnin ofertën e parasë në qarkullim.


3. Rritja artificiale e çmimit të naftës nga vendet e OPEC-ut gjatë vitit 2007, çoi në grumbullimin e monedhës nga këto vende, duke varfëruar xhepat e konsumatorëve.


4. Shkurt, mund të themi se flukset dalëse të parasë ishin më të mëdha se flukset hyrëse të saj dhe kjo uli aftësinë blerëse në treg, e cila po shkon drejt një recesioni të plotë në të gjithë botën.


Në Shqipëri kjo krizë erdhi disi me vonesë për vetë specifikat që ka ekonomia shqiptare. Vlen të përmendet fakti se vendi ynë është vend në zhvillim dhe aktivitetet kryesore janë: bujqësia, turizmi, ndërtimi dhe të ardhurat e emigrantëve. Në këtë mënyrë, nisur nga përvoja botërore industritë që janë prekur më shumë nga recesioni janë industritë e rënda dhe ato të prodhimit të makinave, që për fat të keq dhe “të mirë”, në Shqipëri nuk ekzistojnë.


Efektet e para të krizës do të ndihen nga ulja e fluksit hyrës të parave nga emigrantët që do të dalin të papunë dhe nga ulja e ritmit të eksporteve. Kjo sigurisht që do të ndikojë deri diku në recesionin e ekonomisë, por nisur nga fakti që rreth 70 për qind e të ardhurave financiare të popullatës shkon për konsum privat, ky faktor nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh, pasi konsumi personal do të ekzistojë dhe para së gjithash konsumatorët do të heqin dorë nga sendet e luksit e pastaj do të reduktojnë konsumin.


Rrugët për shërimin e krizës mendoj se janë:


1. Mbajtja nën kontroll e kredidhënies dhe inkurajimi i bankave për të dhënë kredi në aktivitetet që gjenerojnë vlerë të shtuar.


2. Nxitja e projekteve të punësimit me karakter publik nga ana e qeverisë me qëllim rritjen e numrit të punësuarve, e për rrjedhojë rritjen e ofertës së parasë në qarkullim.


3. Aplikimin e skemave subvencionuese për bujqësinë, dhënien e grandeve siç po aplikohet deri më sot për pemëtoret, ullishtat, vreshtat etj.


4. Përmirësimin e infrastrukturës në zonat turistike (sidomos sistemimin e ujërave të zeza), më qëllim thithjen e turistëve jo elitarë, të cilët janë të interesuar për kushte optimale pushimi dhe jo për luks.


5. Përjashtimin nga pagesa e tatimeve dhe taksave për një periudhë të përcaktuar, të emigrantëve që kthehen për të investuar në Shqipëri në sektorin agro-përpunues etj.


Të gjitha këto masa nëse do të merren në kohën e duhur, mendoj se do ta japin efektin e tyre pozitiv, duke ruajtur në këtë mënyrë ritmet e rritjes së kënaqshme të ekonomisë shqiptare e duke na integruar në këtë mënyrë drejt ekonomisë globale.