Pacienti 58-vjeçar, Gjon Pylla ka humbur zërin para 4 muajsh, pas heqjes së laringut. Mjeku: Shteti duhet t’i rimbursojë protezën


Nuk di të flasë me shenja, sepse nuk mundet t’i mësojë në moshë madhore. Nervozohet, përplas çdo objekt që i del përpara dhe nuk arrin të mbajë veten, kur të tjerët nuk e kuptojnë për ato që do të thotë me shenjat që bën. Vetëm para 4 muajsh, fliste si gjithë të tjerët por tashmë është bërë memec në moshën 58 vjeç, pas një operacioni për heqjen e laringut, operacion që i kushtoi edhe zërin. Bëhet fjalë për pacientin Gjon Pylla, nga Shkodra, i cili mund të rifitojë zërin vetëm duke vendosur një aparat që kushton rreth 600 euro, shumë kjo që nuk mund ta sigurojë pasi është shumë i varfër. Mjeku otorino-laringolog në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Besim Boçi pohon se fatin e Gjonit e kanë rreth 50 pacientë në vit, të cilët heqin laringun për shkak të kancerit që u është krijuar në fyt dhe pas kësaj, humbin edhe zërin. Por nga ana tjetër ai pohon se në QSUT, mjekët janë të aftë të vendosin protezën e zërit dhe se shteti duhet t’u sigurojë rimbursimin e protezës së zërit, ndonëse vendet e tjera e japin falas.


Sëmundje dhe varfëri


Përpiqet të na shpjegojë me shenja se humbja e zërit po i shkakton atij shumë probleme, por këtë arrijmë ta kuptojmë vetëm pasi e shkruan në letër, pasi asgjë nuk mund të kuptohet nga ato që përpiqet të shpjegojë. “Kanceri më mirë të më kishte marrë jetën, se zërin. Nuk më kupton askush me shenjat që bëj”,- shkruan Gjoni në një letër të bardhë që doktori e mban gjithmonë për pacientët që nuk arrin t’i kuptojë me shenja. Gruaja e Gjonit, Filja pohon se ai u bë operacion në muajin prill për të hequr laringun dhe që nga ajo ditë, ai nuk mundi të flasë më. Varfëria që ka pushtuar familjen, sipas Files nuk i jep mundësi të blejë protezën e zërit, e cila kushton rreth 600 euro. “Nuk kemi patur kurrë në dorë këtë shumë parash. Mjekët morën përsipër të bëjnë operacionin, por jo të na japin protezë, pasi ata nuk kanë dhe ajo duhet të ndërrohet çdo vit. Nuk dimë ku të mbytemi, është e tmerrshme tek e shikojmë që e vuan çdo ditë e më shumë humbjen e zërit”,- pohon Filja. E ndërsa fati i keq i ka zënë derën me sëmundjen e varfërinë, tashmë kjo familje nuk shikon asnjë shpresë se ai do të rifillojë të flasë. Madje Gjoni e di se me anë të një proteze mundet të fillojë të flasë, por fakti që fati i ka “dhuruar” edhe një skamje duket që po e bën atë të vuajë pleqërinë memec. “Ndihet keq tek shikon ndonjë pacient që ka vendosur protezën e zërit dhe flet në mënyrë normale. Por nga ana tjetër, ai e di se nuk kemi ku t’i gjejmë ato para ndaj po vuan shumë. Fundja, ky është fati i keq, na duhet të vuajmë sëmundje dhe varfëri”,- pohon File Pylli.


Qirjako Dama: “Jam i pari që fitova zërin me aparat”


Është i pari në vendin tonë që ka vendosur protezën e zërit pas heqjes së laringut. Nuk do ta mendonte kurrë se mund të jetonte pa zë, por për fat të mirë, ndryshe nga të tjerët, Qirjako Dama ka mundur të blejë protezën e zërit me paratë e tij, duke i shpëtuar faktit se do të mbetej memec në moshën 52-vjeçare. Ai mundet të na shpjegojë shumë mirë se si ndihet tashmë që mund të flasë, madje zëri i tij është i qartë dhe nuk ka nevojë fare të flasë me shenja. “Kur mjekët më thanë se nuk do të mund të flisja më, u trishtova aq shumë sa doja të vdisja. Por më dhanë shpresa se me anë të kësaj proteze që shikoni në fytin tim, do të flas. U lehtësova aq shumë dhe do të isha i gatshëm ta paguaja atë me çfarëdo çmimi, vetëm memec të mos ngelesha”,- pohon Qirjako Dama. Por nga ana tjetër ai pohon se ndihet me fat, se në vendin tonë është i pari që flet me anë të një aparati dhe se operacioni kishte rezultuar me sukses. “Tani flas dhe ju më kuptoni. Ku do të mësoja unë të flisja me shenja në këtë moshë. Pastaj, jam i pari që kam vendosur këtë protezë dhe e ndiej veten pak si të veçantë”,- pohon ai. ----------------------------------------------------- 


Sipas Boçit çdo vit u hiqen 50 personave laringu. Në 99 për qind të rasteve, shkaktar është duhani


"Pacientët kërkojnë të vdesin por jo të mbeten memecë"


Të sëmurët janë të gatshëm të mos heqin laringun dhe të vdesin brenda pak kohësh, vetëm të mos humbasin zërin. Kështu u shpreh otorinolaringologu, Besim Boçi, në QSUT, i cili thekson se këta pacientë mund të rifillojnë të folurën vetëm nëse vendosin protezën e zërit. “Kemi hasur në vështirësi që t’u mbushim mendjen që kjo sëmundje trajtohet me heqje të laringut dhe pas heqjes nuk do kenë zë. Kuptohet se të sëmurët ose trajtoheshin vetëm me rreze, ose refuzonin çdo lloj trajtimi, duke thënë që më mirë preferojnë të vdesin sesa të rrinë pa zë, dhe largoheshin pa asnjë trajtim”,- pohon mjeku Besim Boçi duke shpjeguar se tashmë për herë të parë janë futur protezat e zërit, që përdoren vetëm në rastet kur hiqet plotësisht laringu. Sipas tij, kjo protezë mund të vendoset menjëherë pas operacionit, pra sapo hiqet laringu, dhe rezultati është i mirë sepse i sëmuri fillon të flasë gati 2 javë pas vendosjes së protezës, me një zë që i kthehet rreth 70-80 për qind. Ndërkohë ia pohon se kjo ka ndihmuar në disa drejtime; e para, sepse do bindet më lehtë i sëmuri që do të heqë laringun dhe të marrë trajtimin që do. Fakt tjetër pozitiv për vendosjen e kësaj proteze janë edhe largimet e pacientëve që mund të shkojnë jashtë shtetit vetëm për të hequr laringun dhe për të marrë trajtimin, dhe shpenzimet e tyre do të jenë më të pakta. “Ajo që kërkojmë ne është që këto të rimbursohen nga shteti, pasi me 50 mijë euro në vit, shteti i ka mundësitë që të mbulojë të gjithë pacientët për 1 vit. Proteza shkon për 1 pacient 6 muaj deri në 1 vit, që do të thotë se pas 1 viti duhet ndryshuar. Kjo herën e parë shkon 600 euro, por pas 1 viti shkon 500 euro. Për një shtet nuk është asgjë për t’i përballuar”,- pohon mjeku Boçi. Ndërkohë ai shpjegoi se kanceri i laringut ndeshet ekskluzivisht tek konsumatorët e duhanit. Sipas tij, nëse ndeshin rreth 100 persona në vit, me këtë problem 99 për qind e tyre janë konsumator të duhanit dhe në 1 për qind ka qenë ose faktori gjenetik se faktori profesional.