Kanabis i sekuestruar nga policia / Foto arkiv


Operacioni Shënjestra, arrestohen dy shtetas, në kërkim dy të tjerë për shitje të lëndëve narkotike. Operacioni është finalizuar në lagjen 5 Maj të qytetit të Elbasanit, ku gjatë kontrollit të një automjeti tip Volzvagen, me targa të huaja, agjentët kanë arritur të zbulojnë 6 kg lëndë narkotike kanabis.


Burime të policisë bëjnë të ditur se janë arrestuar në flagrancë shtetasit Ardit Çela, 24 vjeç, dhe Leonard Pëllumbi, 26 vjeç, që të dy me banim në Elbasan. Mjeti ku është sekuestruar droga ishte në pronësi të shtetasit Ardit Çela.


Veç sasisë së drogës është sekuestruar mjeti tip Volzvagen dhe 4 telefona celularë. Ndërkohë, pjesë e hetimit janë edhe dy shtetas të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia. Ndaj dy të rinjve u vendos  masa e arrestit në flagrancë për veprën penale Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike, në bashkëpunim. / Bardha Nergjoni