Panorama PLUS 

Ornela Caci

Ka qenë padyshim një nga historitë e dashurisë më interesante ajo mes vajzës së njohur të televizionit, Rudina Magjistari dhe kryetarit aktual të PS-së dhe Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Edhe pse që të dy shumë të rezervuar për të folur për jetën private, në atë kohë kur lidhja e tyre ishte në ditët më të mira, teksa i pyesje në intervista të ndryshme, ata flisnin pa ndroje për ndryshimin për mirë që kishte marrë jeta e secilit falë kësaj historie dashurie. Ishte pa dyshim një dashuri që na bëri të gjithëve të ëndërrojmë asokohe dhe as që mund të na shkonte nëpër mend se një ditë do të merrte fund. Në vitin 2003, kohë kur kjo lidhje u bë publike, çifti shihej gjithandej bashkë. Ishte pikërisht ajo kohë kur Edi Rama kishte marrë mandatin e tij të parë si kryetar i Bashkisë së Tiranës, por shihej qartë se ambiciet e tij për të ndenjur në atë post por edhe për t’u përfshirë në politikë, ishin të mëdha. Dhe prezenca në krah të tij e një vajze shumë të dashur për publikun ishte një plus i madh për të. Rudina gjithashtu në atë kohë ishte në kulmin e karrierës së saj, kjo falë talentit dhe eksperiencës, por një ndikim ishte padyshim edhe fakti se vajza ishte e dashura e qytetarit më të rëndësishëm të Tiranës. Vajza simpatike bionde ishte prezente në ekran me programet më të ndjekura të momentit. Nëpër intervista ata tregonin se lidhja e tyre shkonte si mos më mirë. Ata jetonin së bashku, Rama pohonte se Rudina ishte një suport i madh në angazhimet e tij, madje ata tregonin shpesh edhe detaje nga jeta e tyre si të dashuruar. Mjafton të kujtojmë kohën kur të dy u futën në dietë për të arritur peshën që dëshironin.
Mbas katër vitesh lidhja e tyre merr fund. Kësaj radhe asnjëri nuk nxiton ta pohojë këtë fakt në faqet e gazetave e revistave ashtu siç ndodhi kur ata u lidhën bashkë. Një heshtje plotë nga të dy, ndërkohë që pëshpëritej se ata tashmë ishin ndarë. Gati rreth një vit mbas ndarjes, Rudina Magjistari thyen heshtjen duke deklaruar për “Panorama”-n se ata të dy nuk janë më bashkë prej shumë muajsh. Ishte tamam koha kur Rama sapo kishte marrë mandatin e tretë si kryetar bashkie i Tiranës. Madje gazetarët e ngacmonin duke e pyetur për kë kishte votuar në zgjedhjet lokale dhe a ishte kënaqur për zgjedhjen e Ramës sërish në krye të bashkisë. Duke dashur të jetë brenda të gjitha etikave të mundshme, Rudina pohonte se suksesi i radhës i Ramës e kishte gëzuar shumë.

Djali i Ramës dhe marrEdhënia me Rudinën
Gregori,  djali i vetëm i Edi Ramës, i cili ishte fryt i martesës së tij me aktoren e njohur Matilda Makoçi, sot është 17 vjeç. Dhe po të bëjmë një llogari të thjeshtë, i bie që të ketë qenë i rritur në kohën kur Rama dhe Magjistari ishin bashkë. Në moshën 12-vjeçare ai e dinte mirë se çfarë ishte Rudina në jetën e të atit dhe kjo mbase mund të ketë qenë arsyeja që edhe ai e shihte vajzën si një njeri të afërt të tij. Natyrisht ky nuk ishte rasti klasik kur e dashura e babait shihej si gruaja që i kishte zënë vendin mamasë, pasi djali i Ramës nuk i ka parë asnjëherë bashkë prindërit për arsye të divorcit të tyre që kur ai ishte bebe. Gregori ka trashëguar shumëçka nga i ati. Siç e shihni edhe nga këto foto, ai i ngjan shumë nga pamja fizike por mesa duket ka trashëguar edhe dëshirën dhe talentin për pikturën, për të cilën po bën edhe shkollën, liceun artistik të Tiranës, shkollën që ka ndjekur dikur edhe i ati. Takimi i Rudina Magjistarit me Gregorin, i fiksuar edhe nga paparaci ynë, nuk ka ndodhur vite më parë kohë kur Rama dhe Magjistari ishin bashkë, por vetëm një javë më parë, dhe rreth më shumë se një vit kur ata të dy nuk janë më bashkë. Rudina dhe Gregori kanë mesa duket një pasion të përbashkët, atë të muzikës së James Blunt dhe pikërisht në koncertin e tij tek stadiumi “Qemal Stafa”, janë takuar me njëri-tjetrin. Është impresionuese xhentilesa e djalit të Ramës, i cili ka komunikuar me ish të dashurën e babait sikur të ishte shoqe e tij pa e parë si barrierë faktin se ata të dy nuk janë më bashkë. Gregori i ka treguar diçka në celular Rudinës, mbase ndonjë foto a mesazh dhe që të dy kanë buzëqeshur teksa e shikonin. Duket se marrëdhënia e tyre ka qenë shumë e mirë në të kaluarën dhe vijon të jetë e tillë. Asgjë për t’u habitur po të kemi parasysh edhe natyrën e ëmbël dhe të qeshur të Rudinës dhe aftësinë që ka ajo për t’i bërë të gjithë për vete.


Asnjëri me të dashur në publik

Edhe pse kanë më shumë se një vit që nuk janë bashkë, as Edi dhe as Rudina nuk kanë deklaruar ndonjë lidhje të re në jetën e tyre. Duke qenë personazhe kaq të njohur, një lidhje e konsoliduar e njërit apo e tjetrit padyshim që nuk do të kishte kaluar pa u marrë vesh, por mesa duket asgjë e rëndësishme në jetën e tyre nuk ka ndodhur deri tani. Ndërkohë që pëshpëritet për lidhje të mundshme për secilin, por deri tani asgjë konkrete nuk është mësuar. Mbase kjo verë mund të sjellë surpriza për të dy.