Moshat e treta e përdorin shpesh këtë frazë, sidomos kur kanë probleme me shikimin. Thonë që kur pleqëria të vjen duhet t‘i hapësh derën, por kur problemet shëndetësore të mundojnë ditë pas dite jetesa me shumë vite mbi shpatulla të vështirësohet edhe më shumë. Operacioni më i shpeshtë që kryejnë moshat e treta është heqja e kataraktit dhe vendosja e lentes për të rikthyer shikimin. Në gjuhën e përditshme ajo quhet perdja e syrit, pasi një vel i zi bllokon shikimin duke e dëmtuar atë shumë e më shumë ditë pas dite. Në një intervistë, kirurgu okulist, Amarildo Belshi, tregon se cila duhet të jetë koha që duhet të çojmë për të operuar nga sytë, prindërit, gjyshet apo të afërmit, kur duhet të bëjmë vizitën e parë të mjeku okulist, si dhe nëse kompjuteri dhe rrezet e tij janë të dëmshëm për të rinjtë dhe personat që i qëndrojnë për shumë kohë përballë.



Katarakti i syrit, përse formohet, kur duhet të trajtohet dhe a kanë qendrat shëndetësore në Shqipëri kapacitete mjekësore për të realizuar ndërhyrjen e heqjes së perdes?



Katarakti i syrit është një nga problematikat më të shpeshta të moshave të treta. Krijimi i perdes së syrit vihet re më shumë në moshat mbi 60 vjeç, por nuk përjashtohen rastet, kur shfaqet edhe te moshat më të reja. Zakonisht, personi që ka perde fillon të humbasë shikimin pak nga pak. Shenja e parë është pamja e dyfishtë me njërin sy, humbje të aftësisë për të parë, vështirësi dallimi. Shumë prej pacientëve mendojnë që perdja duhet të piqet para se të kryhet operacioni. Ndërkohë që theksoj që në çastin kur personat kanë probleme me shikimin duhet të paraqiten te okulisti. Është ai që vlerëson më pas situatën duke bërë dhe sugjerimet për kohën se kur do të kryhet ndërhyrja kirurgjikale.



Personat që vuajnë nga diabeti, kanë probleme me syrin, prandaj është vetëm mjeku ai që mund të evidentojë problemin dhe ta trajtojë atë. Në rast kur pacientët paraqiten në stade të avancuara, operacioni mund të mos jetë i suksesshëm dhe rrezikohet humbja e shikimit. Statistikat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për kataraktin e syrit janë 5-6 mijë pacientë në çdo 1 milion banorë dhe ne mund të luhatemi te këto shifra. Problemet me sytë janë kryesisht probleme të moshës së tretë, dobësimi i syve, e cila nuk parandalohet ose mjekohet, vetëm mund t‘i nënshtrohet kirurgjisë. Dua të theksoj se spitalet në Shqipëri, në mënyrë të veçantë shërbimi i okulistikës në spitalin "Nënë Tereza" zotërojnë kapacitete shumë të mira në radhët e mjekëve. Kirurgët shqiptarë janë të specializuar për të kryer këtë ndërhyrje, ndërkohë që janë në nivele konkurruese edhe me mjekët e huaj. Pjesa më e madhe dhe dërrmuese e ndërhyrjeve të kryera nga mjekët shqiptarë, për heqjen e katarakteve realizohen me sukses në klinikën tonë.



A është kompjuteri një armik i madh i syrit. Çfarë këshillash mund të japim për moshat e reja që qëndrojnë për shumë kohë para kompjuterit ose për ata të cilët punojnë në mënyrë të pashmangshme me këtë "koleg"?



Shpesh flitet që kompjuteri është një armik i madh, i cili na dëmton shikimin dhe është shkaktar i dobësimit të syve tanë. Në fakt, dua të theksoj që kompjuteri nuk është dëmtues i syve. Rrezatimi i tij nuk është aq i madh dhe shkatërrues për sytë tanë. Por zakonisht kur ndodhemi para tij përqendrimi është tepër i madh. Mesatarisht i pulisim sytë, 1 herë në çdo 8 sekonda. Pulitja e syve kur ndodhemi para kompjuterit është më e rrallë. Kjo ndikon në tharjen e syve, pasi ky proces ngjason me fshirësen e xhamave të një makine. Dhe në kohën kur përqendrimi është i madh, "harrojmë" të kryejmë këtë proces në kohën normale.



Në rastin e kompjuterit, mjafton të kryejmë pushime, të çohemi dhe të bëjmë pushim, të çlodhemi para se të rifillojmë përsëri nga puna.



Konsiderohen gjenetike problemet me shikimin dhe kur duhet të shkojmë për herë të parë për të bërë vizitë te mjeku okulist?



Si shumica e problemeve shëndetësore edhe shikimi ka lidhje me gjenet dhe pjesë në problemet me shikimin është edhe faktori gjenetik. Pavarësisht kësaj për problemet me shikimin nuk mund të thuhet me siguri, shkaktari apo dëmtuesi kryesor në këtë proces. Nuk ka një moshë apo një periudhë të përcaktuar se kur duhet të kryhet vizita e parë tek okulisti. Ajo që mund të them është që secili duhet të paraqitet te mjeku, kur ka probleme me shikimin, kur shikon lodhje, dobësim të pamjes, dhembje të syve, humbje të përqendrimit. Kjo mund t‘i ndodhë dhe një fëmije dhe një të rrituri. Duhet të jenë prindërit ata që të kontrollojnë fëmijët që sapo ata lindin nëse kanë anomali apo probleme me shikimin, e më pas secili duhet të paraqitet te mjeku të paktën brenda javës, sa herë shikon se sytë e tij mund të kenë një problem.