1.

Një mik imi po e shet shtëpinë. E kishte ndërtuar babai i tij. Në kohën kur filloi të ndërtohej dukej godinë aq e madhe sa fëmijët e mëhallës menduan se ishte shkollë dhe u gëzuan. Asokohe, shkollat ishin të vogla e gëzimi i madh.

Kur u përfundua, ditën e parë në të hyrë në të, babai i mikut tim filloi të ankohej për shtëpinë e madhe të cilën e kishte ndërtuar. I dukej vetja vogëlsirë brenda saj; shtëpia e kishte gllabëruar. Me të përfunduar, i kishte ikur gëzimi i aktit të të ndërtuarit, e nuk e kishte mësuar gëzimin e të të përjetuarit të shtëpisë së madhe dhe nuk do ta mësonte kurrë. Ashtu si në apartamentin e parë dhe të vetëm të cilin ia kishte dhënë shteti, për meritat në punën socialiste vetëqeverisëse, do ta kalonte reston e ditës, në të kthyer prej punës, në kuzhinë.

Kur iku nga kjo jetë babai i mikut tim, shtëpia dukej edhe më e madhe, sepse brenda ishte edhe më boshe.

Kur të blihet, do të bart me vete gëzimin e të ndërtuarit dhe një pikëllim të bërë nga grumbulli i ofshamës së përditshme për ditët e humbura në një shtëpi në të cilën nuk u shënua gëzimi i të përjetuarit të saj; shenjë se çdo gjë ka së paku dy ndjenja.





2.

Turqit dhe gjermanët kishin së paku dy ndjenja kur vendosën të largoheshin nga shtëpitë. I pashë në sheshin kryesor të Burgasit, në Bullgari, verën e vitit 1989. Turqit ishin shtetas bullgarë, e shteti bullgar kishte vendosur të jetë shtet i bullgarëve etnikë. Meqë këta nuk ishin të tillë, shteti vendosi se mënyra më e shpejtë se si do të bëheshin shtetas besnikë ishte të merrnin emra bullgarë ose, nëse nuk donin, ta braktisnin vendin. Ata që hamendeshin mund t‘i përjetonin të dyja: edhe të merrnin emra e mbiemra bullgarë e edhe të dëboheshin prej vendit; në shtetin bullgar nuk kishte përkatësi etnike të hamendësuarish.

Gjermanët ishin nga Gjermania Lindore. Kishin vendosur që kur të merrnin rrugën e kthimit për në shtëpi të mos shkonin deri në fund; do të ndaleshin në Hungari, të kërkonin azil nëpër ambasada, apo kudo qoftë të kishin garanci se nuk kishte më kthim në shtëpi.

Turqit dhe gjermanët atë ditë ishin takuar në sheshin e Burgasit, për të shitur gjësendet e fundit që kishin para se të braktisnin idenë e shtëpisë së deritanishme. Bylyzykët e martesës që duhej të garantonin jetëgjatësinë e familjes turke në Bullgari ishin në shitje me çmimin e diktuar nga tregu i shpejtësisë së ikjes. Po ashtu një radio-transistor gjermano-lindor që sigurisht mund të zinte çdo stacion në valë të shkurta në botë; ndoshta gjëja më e vlefshme për familjen gjermano-lindore që me këtë akt dëshmonte se nuk kishte nevojë më për lajme të Zërit të Amerikës dhe të radios "Europa e Lirë" sepse kishte vendosur që mos t‘i dëgjonte më në fshehtësi e me zë të ulët; kishte vendosur të dëgjonte Radio FM dikund në Perëndim, lajme efemere mbi operacionet plastike të njërës apo aktores tjetër.

Në sheshin e Burgasit do të zbulonin jo vetëm se dy ndjenjave, pikëllimit të braktisjes dhe gëzimit të një lirie ende të paprekshme do t‘i bashkëngjitet droja se do të mbeteshin dikund në mes, në mes të pikëllimit i cili u binte mbi kokë si shiu i kombinuar i vjeshtës dhe pranverës dhe gëzimit të lirisë që do t‘u ikte para sysh, ashtu siç ikën shiu i verës, ndonjëherë edhe pa kujtesë përjetimi.

Turqit dhe gjermanët zbuluan se ndonëse kishin para vetes dy rrugë, që të dyja do t‘i çonin në një destinacion, në vendqëndrim. Turqit bullgarë, të nisur për në Lindje do të mbeteshin vetëm turq. Gjermanët lindorë, të nisur për në Perëndim, do të mbeteshin vetëm gjermanë. Dhe kjo është njëra prej gjërave që rrëfej kur më pyesin: "Çka mban mend nga viti 1989, kur ra Muri i Berlinit?".



3.

"Shtëpia" quhej romani të cilin shkrimtari i ri kolumbian kishte vendosur ta shkruante, e të fillonte karrierën e tij prej shkrimtari, duke përshkruar vendin ku kishte lindur e rritur, strukturën e godinës dhe atë të banorëve të saj. Do ta bart me vete dorëshkrimin prej një qyteze të Kolumbisë në tjetrën, ndonjëherë duke qenë e vetmja gjë që kishte me vete, pos rrobave të veshura, që i rrinin gjithnjë e më të mëdha, sepse trupi i tij sa vinte e zvogëlohej, ashtu si zvogëlohej ushqimi që kishte në dispozicion. Do ta kishte pranë ndërsa flinte në topat e letrës rotative në shtypshkronjën e gazetës për të cilën shkruante; honoraret ishin të pamjaftueshme për të mbuluar bashkë ushqimin dhe një dhomë me qira - kishte vendosur në favor të ushqimit. Pastaj do ta merrte me vete në Europë; ditët kur do të intervistonte Janosh Kadarin, pasi ky të bëhej i njohur si shtypës i popullit të vet, ditët kur do të mrekullohej me kinemanë realiste italiane të Vittorio de Siccas e pastaj dhe Fellinit apo në ditët kur i kishin mbaruar edhe paratë e biletës së kthimit për në Kolumbi, të cilën e kishte shitur para disa muajsh për të paguar ushqimin, dhe sa qe e mundur dhomën në një pension për latinoamerikanë.

Do të kthehej me të në Kolumbi, Meksikë e Kubë, derisa një ditë të ulet e të shkruajë, e i pandalur për një vit rresht, romanin i cili ishte pjekur nga dorëshkrimi, e që më vonë do të bëhet i njohur me titull "Njëqind vjet vetmi", romani i parë global, thotë biografi i tij, Gerald Martin në "G.G.Marquez: Një jetë" (Knopf,New York, 2009)- shenjë se letërsia e madhe rrjedh prej përvojës së ngushtë personale me këndin e vështrimit rikrijues të artistit dhe se çdo përvojë personale fillon nga shtëpia.





4.

Diçka duhet të dijë nga shtëpitë edhe një artist tjetër, Frank Lloyd Wright. Njëra prej figurave më të rëndësishme të shekullit XX, arkitekti amerikan definoi arkitekturën si "organike", pra atë që "zhvillohet, insiston, krijon sipas natyrës së njeriut dhe konditave të tij ndërsa që të dyja ndryshojnë". Në shekullin e kaluar, do të hyjë me insistimin e tij për të integruar kreativitetin njerëzor në habitatin natyror, ndërtimin brenda hapësirës natyrore, pra krijimin e harmonisë.

Shikoj prej kohësh qytetet shqiptare, në të dy anët e kufirit, në kohët e tyre të tranzicionit, të shekullit XXI dhe arkitekturën "joorganike". Shoh godina që sulmojnë habitatin natyror, zhvillimin e kombit, të qytetarisë. Kështu, janë antitezë e Wrightit.

Apo ndoshta, kështu duhet shikuar, duhet kthyer mbrapsht teoria e Wrightit. Ndoshta godinat e tranzicionit, të ndërtuara si dhunë ndaj qytetarisë dhe harmonisë natyrore janë pjesë organike e zhvillimit të atillë të shoqërisë: kur grupe dhunuesish të të drejtave uzurpojnë pushtetin, shpërfillin çfarëdo nocioni ligji dhe vendosin të drejtën e tyre mbi të drejtat e të gjithëve.

Shikuar kështu, godinat janë "organike"; pjesë e zhvillimit të shoqërisë së uzurpuar.