Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.





Kërkohet një miliarder!Nga Dr. Saemira Pino, sociologe

Jetojmë ditë të trishtuara. Lajmet e medieve elektronike, nëse përjashton optimizmin e Klanit e të ndonjë tjetri që nuk e sheh askush, nuk ngjallin asnjë entuziazëm për Shqipërinë që ndryshon, sepse pakkush sot ka dyshim që po ndryshon për keq. Ndihemi si pa të ardhme.


Mbrëmë gati të gjithë televizionet lajmëronin se “Kërkohet një Miliarder i Overnight”-it. Shteti nuk e gjen dot. Do ndihmojnë gazetarët për ta gjetur. Për fat të mirë ky vend ka gazetarë qytetarë. Mirënjohje për të gjithë ata!



***



Është goditur një gazetar nga një miliarder. U bënë kohë që miliarderët kriminelë vendosin çdo ditë për fatet tona, po përse jo edhe për jetët tona. Ata godasin indirekt çdo ditë, futen e vjedhin në xhepat tanë, ata kërcënojnë këdo që u prish planet e fitimeve të mëdha, këdo që i konkurron drejtësisht, këdo që nuk i favorizon për tenderë, këdo që nuk u “shet” tokën atje dhe atëherë kur duan ata, këdo që u zbulon evazionin fiskal, këdo që u dëshmon aferat korruptive me pushtetarët, këdo që nuk i përfshin në lista deputetësh ata apo të rekomanduarit prej tyre, këdo që nuk u jep diploma shkollash të mesme apo masterash falsë, këdo që nuk u bën hosanara, sepse janë ata që bëjnë, edhe shiun, edhe diellin, ata po e “begatojnë” Shqipërinë. Ata na “argëtojnë”, ata sjellin të huaj të famshëm, sjellin skuadra kampionësh të “luajnë” me ne, sjellin... e çfarë nuk sjellin! A nuk financonte spektakle misesh dhe bënte reklama te Formula Uno një ish-miliarder në vitet para kolapsit të piramidave? I bënte me paratë tona, por me bekimin e të pushtetshmëve, që NE të argëtoheshim...


Por ka edhe më keq. Ata, kriminelët miliarderë, godasin edhe drejtpërdrejt, drejt e në kokë. Përse të mos e bëjnë? Cili guxuaka t’u dalë përpara? A nuk votohen ligje vetëm për ata? A nuk janë “miq -sponsorë” të më të fuqishmëve të këtij vendi apo të bijve të tyre? E çfarë duan këta lloj gazetarësh që merren me ta? Përse nuk marrin shembull nga shpura e gazetarëve të celebrity service-it, që të bëjnë të famshëm brenda natës, mjafton një porosi nga dikush... dhe shtojnë turmën e “personaliteteve” virtuale? Përse këta “kokëkrisur” nuk marrin shembull qoftë edhe nga ata që shkruajnë me terma çmendurake, që guxojnë çmendurisht të ftojnë deri edhe për krim, e që çmenduria u kalohet, jo vetëm me buzëqeshje, por më e pakta edhe me honorar? Apo edhe më keq, ua miratojnë shkarravinat çmendurake duke thënë: “Mirë ia ka bërë atij apo këtij, se kanë hyrë në “Zonë të ndaluar”...


Po vjen 2010, e ndërsa kemi iluzionin se do sjellë ndonjë hap që shkurton distancën me BE, ajo që është e sigurt është se do na çojë edhe më mbrapa në renditjen vlerësuese për shkallën e lirisë së shtypit. Kundër saj janë të gjithë shpërdoruesit e pushtetit në të gjitha nivelet e në të gjithë spektrin politik. Përballë tyre duket se kanë mbetur vetëm gazetarët, ata që rrihen dhe jo ata që blihen - siç i cilësoi një koleg i tyre. Ata që nuk blihen, sado pak që janë, nesër do jenë më shumë. Kjo është e sigurt. Por sot për sot janë pasuria më e madhe që kemi.


Është fshehur një miliarder! Sot e ka emrin Rezart Taçi.


E kërkojnë gazetarët qytetarë dhe të guximshëm.


Mirënjohje për të gjithë ata!