Jonida Tashi



Nxënësit e klasave të nënta në të gjithë vendin, duke filluar që nga ky vit shkollor, do të përzgjedhin lëndët që duan të mësojnë në gjimnaz. Për t’i paraprirë këtyre nxënësve kalimin në vitin e parë të shkollës së mesme, që përkon me klasën e 10-të, Instituti i Kurrikulave dhe Trajnimeve (IKT), pranë Ministrisë së Arsimit ka përcaktuar procedurën se si do të bëhet përzgjedhja e lëndëve me zgjedhje. Sipas IKT-së, në vitin shkollor 2009-2010, ata që dëshirojnë të shkojnë në gjimnaz, do të kenë mundësi që, përveç lëndëve që janë të detyruara dhe të njëjta për të gjithë nxënësit, të mësojnë edhe disa lëndë të tjera, të cilat mund t’i zgjedhin në përputhje me interesat, dëshirat, pasionet dhe aftësitë e tyre. Lëndët me zgjedhje synojnë të zgjerojnë mundësitë e nxënësve për studime të mëtejshme në jetë dhe për në tregun e punës. Në klasën e 10-të, secilit prej nxënësve, nga shkolla, duhet t’i mundësohet të mësojë një lëndë, të zgjedhur nga lista e lëndëve me zgjedhje. Mundësia e zgjedhjes së lëndëve me zgjedhje do të fillojë që në klasën e 10-të dhe do të vijojë, duke u shtuar, përgjatë tri viteve të gjimnazit (disa lëndë mund të zhvillohen vetëm në një vit shkollor).

Formulari 1

Deri më tani, specialistët e IKT-së, kanë përcaktuar vetëm pesë lëndë me zgjedhje të detyruar, për vitin e parë të gjimnazit që janë: Gjuhë e huaj e dytë (Anglisht, Frëngjisht, Italisht, Gjermanisht, Spanjisht); Letërsi e avancuar; Matematikë e avancuar; Trashëgimia jonë kulturore; TIK i avancuar. Ndonëse janë pesë gjuhë të huaja si lëndë me zgjedhje të detyruar, nxënësit nuk kanë të drejtë që të zgjedhin më shumë se një gjuhë të huaj të dytë. Konkretisht, nëse zgjidhni një gjuhë të huaj si preferencë të parë, ju nuk mund të zgjidhni edhe një lëndë

tjetër në radhën e preferencës së parë. Përzgjedhja e këtyre lëndëve do të bëhet nëpërmjet një formulari të posaçëm, që është quajtur Formulari 1, në të cilin nxënësit janë të detyruar të bëjnë zgjedhjet e tyre, duke i renditur ato nga zgjedhja e parë (më e preferuara) deri tek e pesta (më pak e preferuara). Për shembull, nëse si zgjedhja juaj e parë është “Matematika e avancuar”, atëherë, në Formularin 1, ju do vendosni një shenjë (X ose V) në kutinë që ndodhet në kolonën e Matematikës, në radhën ku shkruhet “Zgjedhja e parë”. Më pas vazhdoni me zgjedhje e tjera. Formulari 1 do të plotësohet së bashku me prindin. Formulari i firmosur nga prindi ose kujdestari juaj do t’i dorëzohet mësuesit kujdestar. Shkolla do të shqyrtojë preferencat tuaja për lëndët me zgjedhje për t’i plotësuar ato sa më mirë. Ajo do të shqyrtojë edhe mundësitë e saj për secilën lëndë, duke u bazuar në: numrin e domosdoshëm të nxënësve për të hapur një klasë; praninë e mësuesve të kualifikuar për lëndët e përzgjedhura në shkollë, për shembull, mundësinë për mësues të gjuhës spanjolle ose gjermane; ekzistencën e mjediseve për klasa.

Shpërndarja

Ndonëse nxënësit do të plotësojnë vetëm një formular për përcaktimin e lëndëve me zgjedhje në klasën e 10-të, vendimi për lëndët e lira do të merret pasi të jenë plotësuar edhe katër formular të tjerë. Në këtë proces, do të përfshihen plot pesë formular, që janë: Formulari 1, i zgjedhjes së nxënësit; Formulari 2, i mësuesit kujdestar të klasës së nëntë; Formulari 3, i Drejtorisë së Shkollës 9-vjeçare; Formulari 4, dhe 4/1, i Drejtorisë së Gjimnazit dhe Formulari 5, i Drejtorisë Arsimore Rajonale ose Zyrës Arsimore (DAR/ZA). Për të qartësuar plotësimin e formularëve të mësipërm, IKT-ja ka publikuar udhëzuesin për plotësimin e formularëve të zgjedhjes për nxënësit që do të vijojnë klasën e 10-të në gjimnaz. Fillimisht secili nxënës

i klasës së nëntë duhet të pajiset me fletën informuese dhe

Formularin 1 të zgjedhjes. Këto do të dërgohen në shkollë nga DAR/ZA-të dhe do të shumëfishohen për secilin nxënës nga shkolla, nga vetë nxënësi ose nga DAR/ZA. Po ashtu, secila shkollë 9-vjeçare do të pajiset me Formularin 2 dhe 3, që do të dërgohen nga DAR/ZA-të. Secili gjimnaz do të pajiset me Formularin 4 dhe 4/1, që do të dërgohet në shkollë nga AR/ZA. Së fundi, DAR/ZA-të do të pajisen me fletën informuese, formularët 1, 2, 3, 4, 4/1, 5, të cilat dërgohen në çdo DAR/ZA nga IKT-ja.



Plotësimi i formularëve

Mësuesi kujdestar i klasës së nëntë

Secili nxënës i klasës së nëntë është i detyruar të plotësojë Formularin 1. Më parë, ai bashkë me prindërit ose kujdestarët e tij, duhet të lexojë fletën informuese. Mësuesi kujdestar i klasës së nëntë ka përgjegjësinë që: secili nxënës të pajiset me fletën informuese dhe Formularin 1; T’u shpjegojë dhe t’i orientojë nxënësit për përmbajtjen e fletës informuese dhe mënyrën se si do të plotësohet Formulari 1; T’u kërkojë nxënësve që Formulari 1 të plotësohet në shtëpi dhe të jetë i nënshkruar nga prindi ose kujdestari i tij; Të mbledhë nga secili nxënës vetëm Formularin 1. T’u bëjë të ditur nxënësve që Formulari 1, i plotësuar nga ata, do të shkojë në gjimnazin që pranon nxënësit e shkollës së tyre, sipas përcaktimeve të DAR/ZA-së; Të plotësojë Formularin 2, pas përpunimit të të dhënave të Formularit 1; Të dorëzojë në drejtorinë e shkollës Formularin 2 të plotësuar saktë, së bashku me të gjithë formularët 1 të nxënësve të klasës së tij, brenda 3 ditësh, që nga pajisja dhe plotësimi i formularëve nga nxënësit dhe prindërit.

Drejtoria e shkollës 9-vjeçare

Drejtoria e shkollës 9-vjeçare ka përgjegjësinë që: Të mbledhë të gjithë formularët 1, të plotësuar nga nxënësit, së bashku me formularin 2, të plotësuar nga mësuesit kujdestarë; Të plotësojë saktë formularin 3, duke përpunuar saktë të dhënat e formularëve 2 të mësuesve kujdestarë; Të dërgojë zyrtarisht në gjimnazin që mirëpret nxënësit e shkollës së tij, sipas përcaktimeve të DAR/ZA, të gjithë formularët 1, të plotësuar nga nxënësit, si dhe formularin 3 të shkollës 9-vjeçare, brenda 2 ditësh, që nga marrja e

formularëve të nxënësve dhe formularët 2 nga mësuesit kujdestarë.

Drejtoria e gjimnazit

Drejtoria e gjimnazit ka përgjegjësinë që: Të mbledhë të gjithë formularët 1, të plotësuar nga nxënësit që pritet të vijnë në shkollën e tyre. Këto formularë vijnë nga shkolla 9-vjeçare; Të mbledhë të gjithë formularët 3, të plotësuar nga drejtoritë e shkollave 9-vjeçare; Të përpunojë të dhënat e formularëve 3, të ardhur nga shkollat 9-vjeçare,

duke i hedhur dhe plotësuar në formularin 4; Të vendosë se cilat zgjedhje do të ofrojë gjimnazi i tij për vitin e ardhshëm shkollor për klasën 10-të, të cilat pasqyrohen në formularin 4/1; Të dërgojë zyrtarisht në DAR/ZA formularin 4/1, të plotësuar saktë, për të gjitha zgjedhjet që gjimnazi vendos për klasën 10-të të shkollës së tyre. Kjo duhet të kryhet brenda 2 ditësh që nga marrja e formularëve të nxënësve dhe formularët 3 nga shkollat 9-vjeçare.





LËNDËT E DETYRUARA

Në klasën e 10-të të gjithë nxënësit, në çdo gjimnaz, do të mësojnë këto lëndë:

Lëndët e detyruara Numri i orëve në javë

Artet 1

Edukimi fizik dhe sportet 2

Gjuha shqipe dhe letërsia 3

Gjuha e huaj e parë 3

Aftësimi për jetën 1

Matematika 3

Kimia 2

Fizika 2

Biologjia 2

Shkenca e tokës, mjedisit dhe hapësirës 2

Qytetaria 2

Historia e qytetërimit botëror 1

Teknologjia të Informacionit dhe Komunikimit 2



LËNDËT ME ZGJEDHJE TË DETYRUAR (Formulari 1)

Lëndët me zgjedhje të detyruar

Gjuhë e huaj e dytë

Gjuhë e huaj e dytë (Anglisht, Frëngjisht, Italisht, Gjermanisht, Spanjisht). Kjo lëndë vijon gjatë gjithë viteve të gjimnazit. Përveç gjuhës së parë të huaj që bën pjesë te lëndët e detyrueshme bërthamë, gjimnazi do të mundësojë edhe zgjedhjen e një gjuhe të dytë si: Anglisht, Frëngjisht, Italisht, Gjermanisht ose Spanjisht. Gjuha e huaj që do të zgjidhet si gjuhë e dytë do të studiohet gjatë tri viteve të gjimnazit. Ajo lehtëson futjen në universitet dhe rrit mundësitë e studimit dhe të punësimit si brenda edhe jashtë vendit.

Letërsi (e avancuar)

Kjo lëndë vijon gjatë gjithë viteve të gjimnazit, por mund të mbyllet edhe në klasën e 10-të. Lënda “Letërsi” jep mundësi për të zgjeruar dhe për të thelluar njohuritë dhe aftësitë që mundësohen në lëndët bërthamë të gjimnazit, kryesisht në drejtim të përpunimit, të analizës së thelluar të disa veprave letrare, shqiptare dhe të huaja dhe për të kënaqur interesat dhe pasionet e nxënësve që e zgjedhin.

Matematikë e avancuar

Kjo lëndë vijon gjatë gjithë viteve të gjimnazit. Zgjedhja e lëndës “Matematikë e avancuar” kërkon një formim të mirë në programin bazë të Matematikës në gjimnaz. Ajo mundëson thellim të njohurive të mësuara më parë, si dhe avancim të mëtejshëm lidhur me zbatimet e matematikës në jetën e përditshme, në shkencë dhe në teknologji. Zgjedhja e kësaj lënde plotëson interesat dhe pasionin e atij që e zgjedh dhe e aftëson për të përballuar punët, që kërkojnë shprehi dhe formim të mirë matematik.

Trashëgimia jonë kulturore

Zhvillohet në klasën 10-të. Lënda “Trashëgimia jonë kulturore” jep mundësi për të njohur vlerat natyrore, kulturore, materiale, shpirtërore, mjedisore, turistike të krijuara në shekuj nga populli ynë, si dhe ligjshmërinë për mbrojtjen e kësaj trashëgimie. Kjo lëndë do të zhvillohet kryesisht përmes veprimtarive të tilla, si: vizita kulturore në monumentet e ndryshme, panaire, ekspozita, projekte, harta turistike etj, që synojnë zhvillimin e aftësive të karakterit praktik. Zgjedhja e saj ju bën njohës më të mirë të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe ju aftëson për punësim në fushën e turizmit dhe të kulturës.

TIK i avancuar

Zhvillohet në klasën 10-të. TIK i avancuar u jep njohuri dhe aftësi nxënësve që të krijojnë një website në internet, duke përfshirë faqe të nivelit fillestar dhe komplekse. Kjo është një mundësi për përgatitje më të mirë për ata që synojnë formim universitar në këtë fushë, por dhe për një perspektivë punësimi në fushën e krijimit të websiteve.















10 Dhjetor 2009