Klasat parashkollore për fëmijët pesëvjeçarë duket se do të përhapen në të gjithë vendin vitin tjetër dhe do të bëhen të detyrueshme. Kjo, pasi viti i parë i përdorimit të këtyre klasave përgatitore për fëmijët që janë në përfundim të kopshtit, ka rezultuar i suksesshëm, duke shtyrë Ministrinë e Arsimit që të kryejë edhe një vit projektin pilot për të parë rezultatet përfundimtare.


Sistemi i ri


Sistemi i ri i arsimit të detyrueshëm, që përfshin edhe klasën përgatitore në të, është pilotuar këtë vit në tetë shkolla të kryeqytetit, ku ka rezultuar i suksesshëm. Burime nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës bëjnë të ditur se ky projekt është parë pozitivisht si nga prindërit ashtu edhe nga mësuesit dhe se do të zgjerohet vitin tjetër edhe në shkolla të tjera, të kryeqytetit, por jo vetëm.


Nëse edhe vitin tjetër projekti-pilot rezulton i suksesshëm, atëherë prej vitit shkollor 2010-2011 të gjithë fëmijët pesëvjeçarë do të duhet të hyjnë në bankat e shkollës, në klasën përgatitore, përpara se të hyjnë në fillore. Me këtë ndryshim, shkolla e detyruar do të bëhet 10 vjet, nga 9 që është aktualisht. Klasa përgatitore nuk do të jetë pjesë e shkollës nëntëvjeçare, por do t`i “bashkëngjitet” asaj.


Ndryshimi


Shkollimi që pesë vjeç për herë të parë në vendin tonë është hedhur në vitin 2002, kur po diskutohej në lidhje me rinovimin e strategjisë së atëhershme për arsimin parauniversitar. Por në atë kohë, ajo u pa e parealizueshme dhe e parakohshme, për shkak të mangësive që ekzistonin në sistemin parashkollor.


Ndërkohë që kjo ide u përfshi për herë të parë në strategjinë ekzistuese dhjetëvjeçare për arsimin parauniversitar. Mënyra e zbatimit të kësaj metode është përfshirja në arsimin e detyrueshëm të vitit të fundit të kopshtit. Kjo nuk do të realizohet duke ndryshuar sistemin ekzistues të sistemit shkollor dhe parashkollor, por thjesht duke detyruar nxënësit që të kenë përfunduar vitin e fundit të sistemit parashkollor, përpara se të hyjnë në klasë të parë.


Sipas strategjisë 10-vjeçare për zhvillimin e arsimit parashkollor, fëmijët 5-vjeçarë duke ndjekur një program të rregullt përgatitor, do të kenë mundësi të mësohen me kërkesat bazë të të nxënit: të mësojnë të flasin, të njohin numrat dhe të jetojnë në një mjedis të përbashkët. Për anëtarët e Grupit Këshillimor, Për Strategjitë Sektoriale të Arsimit dhe Kërkimit në MASH, kjo nismë do të realizohet përmes përvojës së deritanishme. Ata mendojnë se kalimi në ciklin fillor bëhet më i lehtë, kur fëmijët vijnë nga një përvojë e mirë e edukimit parashkollor.